14 studentë në grevën e urisë

Shqipëria

14 studentë në grevën e urisë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 16:38

Ka kaluar e qetë nata për 14 studentët që kanë hyrë në grevë urie në ambientet pranë Rektoratit. Gjatë pasdites pritet që t'u bashkohen të tjerë studentë në çadrën e dytë që u ngrit sot.
Ndjehen të lodhur ndonëse është dita e parë e greves së urisë.
14 studentët e kaluan natën nën këtë çadër me shpresën se kur dielli të lindte do të kishin një reagim pozitiv nga Ministria e Arsimit.
Është bërë gati edhe cadra e dytë që do të presë të rinjtë e tjerë gjatë orëve të pasdites.
Studentët e mjekësisë, të transferuar nga universitetet private që u mbyllën disa muaj më pare e kanë përsëritur thirrjen e tyre ndaj bizneseve që të kontribuojnë në pajisjen me krevatë dhe mbulesa.
Disa prej tyre i janë përgjigjur duke u sjellë edhe ujë. Lëngjet janë ato që kanë konsumuar gjatë natës.
Një tjetër donator ka plotësuar kërkesën e studentëve për tualete.
Dy të tilla u vendosën në hapësirën ku janë ngritur çadrat. Nga Urgjenca e Tiranës mbrritën dhe mjekët që hapën kartela mjekësore për secilin.
Studentët hedhin poshtë çdo pretendim se kjo grevë mbështetet politikisht dhe deklarojnë se do të qëndrojnë deri sa kërkesa e tyre të zgjidhet.
Sipas studentëve arsyeja kryesore e grevës është tarifa e lartë e shkollimit që ata janë të detyruar të paguajnë, e cila është gati 7-fish më e lartë. Këta studentë paguajnë 235 mijë lekë në vit, ndërsa studentët e tjerë që janë pranuar sipas maturës shtetërore, paguajnë vetëm 35 mijë lekë në vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat