Takimi me Gojgovic, Nishani fton presidentin e Serbisë në Tiranë

Shqipëria

Takimi me Gojgovic, Nishani fton presidentin e Serbisë në Tiranë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 16:34

​Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka ftuar në Tiranë presidentin e Serbisë Nikoliç, për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Evropës Juglindore që do të zhvillohet në 26 maj në Tiranë. Ftesa është përcjellë sot përmes kryetares së Kuvendit të Serbisë Maja Gojkovic, e cila ndodhet për një vizitë në Tiranë, ku është takuar paraditen e sotme edhe me presidentin Nishani.

Presidenti Bujar Nishani gjatë takimit me zonjën Maja Gojković, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe u shpreh se mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon, ka një shans për të rigjallëruar bashkëpunimin si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër rajonal. Duke vlerësuar mesazhet pozitive që po përcjell gjatë vizitës në Tiranë, kryetarja Gojković, edhe ato që janë transmetuar si nga Kryeministri Rama në Beograd e gjatë takimeve dypalëshe mes dy Presidentëve në kuadër të forumeve shumëpalëshe, Presidenti Nishani theksoi se klasa politike ka detyrimin dhe përgjegjësinë për të përçuar qartësi dhe ndjenjën e miqësisë dhe bashkëjetesës për brezat e rinj.
“Vetëm përmes mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe mirëbesimit, vendet e rajonit mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për popujt e tyre,”u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani evidentoi se pavarësisht qëndrimit krejt të ndryshëm që ndajmë lidhur me Kosovën si shteti më i ri në rajon, bashkohemi kur themi se Bashkimi Evropian mbetet alternativa më përbashkuese për të ardhmen e të gjithë rajonit tonë. Duke mbështetur plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe marrëveshjet e arritura deri tani me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mbështetjen e ShBA-ve, Kreu i Shtetit theksoi se dialogu mbetet platforma më e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e një të ardhme në paqe dhe begati mes të dy vendeve.

Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe statusit ekonomik, politik dhe social të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi, duke theksuar se Shqipëria pret që ata të trajtohen sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Në fund të takimit Presidenti përcolli ftesën për Presidentin Nikolić për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Evropës Juglindore që do të zhvillohet në 26 maj në Tiranë./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat