Veliaj: Asnjë kompleks për t’u përballur me dosjet

Shqipëria

Veliaj: Asnjë kompleks për t’u përballur me dosjet

Më: 4 mars 2015 Në ora: 14:52

Komisioni i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit”.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj theksoi në fjalën e tij se, varianti i sjellë për miratim nga qeveria është hartuar sipas ekspertizës dhe përvojës më të mirë, asaj gjermane.

Ndërkaq, ai vuri në dukje se qeveria nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë.

Veliaj shtoi se “ky nuk është një ligj lustracioni, nuk është një model hakmarrje, nuk është një model dënimesh kolektive, spastrimesh apo gjëra të kësaj natyre”.

Ai komentoi edhe nismën e ardhur nga dy deputetë të Kuvendit. “Alternativa tjetër që na është ofruar nga opozita na është dukur një alternativë me dashje antikushtetuese. Mënyra më e sigurt për të sabotuar një ligj të tillë është ta mbushësh me elementë antikushtetues që mos ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese, të dhunojë çdo vendim tjetër të kësaj gjykate dhe opinionin e Komisionit të Venecias dhe të dalësh në publik si populist, për të thënë që kjo është kauza morale e së djathtës”, tha Veliaj.

Në të vërtetë, sipas tij, “ndodh ajo që ndodhi sot, e djathta braktis mbledhjen, s’është fare e interesuar as për ish të përndjekurit, as për këstet dhe as për ligjin e dosjeve”.

Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit.

Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.

Akses do të mund të sigurohet gjithashtu, për efekt të veprimtarisë hulumtuese apo kërkimore me qëllim vlerësimin e veprimtarisë së ish Sigurimit të Shtetit apo vlerësimit të figurës dhe rolit të personave historik të kohës, për aq kohë sa ky informacion i shërben qëllimit të deklaruar.

Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat