PD kërkon mocion mosbesimi ndaj Metës, mungon emri i Fufit

Shqipëria

PD kërkon mocion mosbesimi ndaj Metës, mungon emri i Fufit

Më: 4 mars 2015 Në ora: 08:07

Kryetari i opozitës Lulzim Basha në mbledhjen e grupit të PD-së kërkoi që kryetari i parlamentit, Ilir Meta të japë dorëheqjen, pasi sipas tij nuk është i denjë për atë detyrë. Para deputetëve të opozitës Basha tha se pas akuzave të Doshit, Meta duhet të vihet menjëherë në dispozicion të prokurorisë.

Ndërkaq PD-ja përgatiti një mocion për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për të cilën janë mbledhur firma nga deputetët e djathtë. Ajo që binte në sy ishte mungesa e deputetit Mëhill Fufi. Ndërkohë në fillim të mbledhjes Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ripërsëriti kërkesën ndaj kryetarit të Parlamentit, për t'u dorëhequr dhe për t'u përballur me drejtësinë, mbi akuzat e ngritura nga deputeti Tomë Doshi.

Sipas Bashës, kryeparlamentari është nën akuzë për porositjen e dy vrasjeve, ndaj sipas tij ai nuk mund të qëndrojë më në atë detyrë. Basha tha se nuk dihet ku është kufiri ndarës mes binomit Rama-Meta. “Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit. Në vend se të trokiste në dyert e Prokurorisë, se është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve politikë, del e kapardiset para kamerave dhe synon të krijojë mjegull me deklarata të rreme e kriminale, akuza të mjera kundër opozitës. Ai duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, të vihet në dispozicion të Prokurorisë, aty ku e ka vendin nga dje në orën 2”, tha Basha.

Sipas tij, në gjithë këtë teatër kriminal, kryeministri Edi Rama zë një vend në aktorët kryesorë. Kreu i opozitës kishte një thirrje të drejtpërdrejtë për Prokurorin e Përgjithshëm, pa kursyer mbështetjen ndaj tij. Ai tha se duke qenë dëshmitar i gjithë kësaj ngjarje, ai tentoi t'i mbyllë gojën deputetit Tomë Doshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat