Rrëfehet “vrasësi” i Doshit: Po, unë e mora porosinë

Shqipëria

Rrëfehet “vrasësi” i Doshit: Po, unë e mora porosinë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 08:01

Një ditë pas deklaratave të deputetit të shkarkuar nga PS, Tom Doshi se një person është paguar për të realizuar vrasjen e tij, policia ka shoqëruar një person të dyshuar. Bëhet fjalë për Durim Bamin nga fshati Nikël i Krujës dhe me banim në Fushë-Krujë, i cili, sipas pretendimit të Tom Doshit, është personi që ka marrë paratë nga kryeparlamentari Ilir Meta për ekzekutimin e tij. Biznesmeni 46-vjeçar nga Fushë-Kruja vetëm një javë më parë u bë pre e një atentati me minë të telekomanduar, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu pasi u çaktivizua nga policia. Televizioni A1 Report deklaroi se i shoqëruari ka tentuar të arratiset nga vendi pak pas mesnatës rreth orës 12:30 dhe është ndaluar nlë automjetin e tij në pikën kufitare të Hanit të Hotit per të shkuar në Malin e Zi.

Burime nga prokuroria thanë se, pas ndalimit, rreth orës 3 të mëngjesit ai u shoqërua nga Shkodra për në drejtorinë e Policisë në Tiranë. Durim Bami i shoqëruari në polici ditën e djeshme si personi i dyshuar që kishte marrë porosinë për të kryer atentatin ndaj deputetit Tom Doshi e ka pranuar këtë akuzë. Lajmi u konfirmua për A1 Report nga burime brenda Policisë së Shtetit. Gjatë marrjes në pyetje u bë e ditur se Durim Bami ka pranuar se është e vërtetë që ai ka marrë porosi për të eleminuar fizikisht deputetin Tom Doshi. Policia tregohet e rezervuar për të dhënë detaje të tjera rreth dëshmisë së Durim Bamit përballë hetuesve. Bami po merret në pyetje në lidhje me akuzat që deputeti Doshi artikuloi publikisht vetëm pak momente pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Doshi pretendon se 5 muaj më parë personi që ka marrë një pjesë të parave për të kryer vrasjen e tij, ka rrëfyer porositësin. Sipas deputetit të përjashtuar nga PS-ja, në dijeni për këtë fakt ka qenë edhe vetë kryeparlamentari Meta, ashtu sikurse ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kryeprokurori Llalla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Doshi pretendon se ka një video ku shfaqet rrëfimi i personit të paguar për ta vrarë atë dhe deputetin e Partisë Demokratike, Mëhill Fufi. Dje Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet pas deklaratave publike gjatë të hënës që bëri deputeti Tom Doshi. Durim Bami ndodhet aktualisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, dëshmia e të cilit pritet të ketë një rol kyç në zbardhjen e të gjithë akuzave.

Atentati ndaj Bamit më 22 shkurt 2015, ndaj Durim Bamit u tentua të bëhej atentat, duke i vendosur 200 gram tritol në makinën që kishte parkuar në një bllok banimi, në lagjen “Kastrioti” në Fushë Krujë Pas konstatimit nga një kalimtar i rastit për një pajisje të dyshimtë në gomën e përparme të automjetit, i cili ishte i parkuar, policia shkoi menjëherë në vendngjarje, duke bërë rrethimin e zonës dhe duke larguar edhe banorët përreth. Në vendngjarje mbërritën forcat xheniere të cilët bënë çaktivizimin e lëndës plasëse, ndërsa këtë herë mekanizmi i shpërthimit ishte tejet i sofistikuar. Lënda plasëse ishte e lidhur me një siguresë, e cila sapo makina vihej në lëvizje ajo shkëputej dhe më pas ndizej fitili përcjellës. Forcat xheniere kanë mundur të shkëpusin siguresën dhe të parandalojnë ndezjen e fitilit.

Burime brenda komisariatit të policisë së Fushë Krujës bëjnë me dije se mjeti tip BMW X5 me targë AA 858 IS ku ishte vendosur lënda eksplozive ishte i Durim Banit, i cili rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm penal. Policia shoqëroi 5 persona, si të dyshuar në lidhje me ngjarjen, kjo për shkak edhe të konflikteve të mëparshme, apo lidhjeve që mund të kanë pasur mes tyre dhe pronarit të automjetit. Forcat xheniere të mbërritura nga Tirana bënë të mundur çaktivizimin e bombës që ishte vendosur në një mënyrë të tillë që makina të shpërthente pas të ndizej makina. Grupi hetimor në policinë e Fushë Krujës i ngritur për rastin më të fundit të vendosjes së eksplozivit në makinën e Durim Bamit, tha se e kishin përqëndruar pistën e hetimeve me të kaluarën e tij. Po sipas të njëjtave burime mësohet se Bani është një person me precedentë të mëpashëm penalë.

PD: Po torturohet dëshmitari

Dje në mesditë, përmes një deklarate, Partia Demokratike denoncoi metodat e Sigurimit të Shtetit dhe shkeljen e procedurave ligjore që po përdoren, sipas saj, ndaj dëshmitarit Durim Bami, personit kyç në skenarin e akuzave për vrasje që rëndojnë ndaj kryetarit të Parlamentit. “Prej mëngjesit kur Durim Bami është ndaluar, po mbahet në ambientet sekrete të Policisë së Shtetit, pa avokat dhe nën presion e torturë, vetëm me një qëllim. Që të manipulojnë dëshminë e tij”. Më tej në deklaratë thuhet se “PD nxit prokurorinë të marrë menjëherë situatën në dorë, të hetojë në mënyrë ligjore e të pavarur, ta nxjerrë çështjen më të rëndësishme të vendit nga bodrumet e errëta e me tortura të Policisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat