Meta: Doshi pengoi hetimet

Shqipëria

Meta: Doshi pengoi hetimet

Më: 4 mars 2015 Në ora: 07:39

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputeti Tom Doshi hodhi akuza se është porositur vrasja e tij dhe e deputetit demokrat Mhill Fufi. Akuzat e Doshit duket se vendosën në gadishmëri të plotë instancat më të larta shtetërore. Kryeministri Rama priti në një takim kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryetarin e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Menjëherë pas takimit kryeministri Rama është shprehur se e gjithë kjo histori është një “telenovelë” e shëmtuar me qëllim përbaltjen e qeverisë dhe të mazhorancës. “Jam i bindur se telenovela e shëmtuar që ka nisur dje, duke bërë bashkë për të sulmuar qeverinë dhe shumicën parlamentare, një tufë politikejsh e kriminelësh që duan të përfitojnë prej dritëshkurtësisë së njëri-tjetrit, do të ketë padyshim një fund të palumtur për ta”, shkruan kryeministri. Kreu i ekzekutivit i quan akuzat e opozitës dhe të deputetit Tom Doshi si bombastike dhe se duhet të pritet me durim fundi i hetimeve. Ndërsa për kreun e Kuvendit, Meta edhe vetë Tom Doshi nuk është i “kthjellët” në ato që thotë pasi, njëherë thotë se porositësi është Agim Rama, ndërsa njëherë akuzon drejtpërdrejt vetë Metën.

Meta: Doshi i ndërron porositësit sipas interesave personale

Deputeti socialist Tom Doshi akuzoi kryeparlamentarin Meta si njeriu që porositi atentatin ndaj tij dhe deputeti demokrat Mhill Fufi. Vetëm një ditë më pas përmes një dalje publike për mediat, kryeparlamentari Meta u shpreh se Doshi nuk ka asnjë provë që ta implikojë atë në këtë histori. Madje sipas Metës ka qenë vetë Doshi, ai që 6 muaj më parë i ka folur për atentatin e porositur nga kunati i ish-kryeministrit Berisha, Agim Rama. Sipas Metës, Doshi më parë ishte shprehur para tij se Agim Rama kishte paguar 500 mijë euro për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat Fufi, me qëllim destabilizimin politik të vendit. “Lidhur me versionin e djeshëm mund t’iu them që nuk habitem për të sidomos pas vendimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e tij. Unë pjesën serioze e kam konsumuar prej muajsh, pra shqetësimin e deputetit në fjalë sipas versionit në fjalë i bërë i ditur prej tij jo vetëm për mua, por edhe për shumë persona të tjerë të përgjegjshëm dhe me përgjegjësi institucionale se ndaj tij po përgatitej një atentat ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish-Kryeministrit Berisha, z. Agim Rama, i cili do të paguante, gjithmonë sipas versionit të tij të atëhershëm, 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe të deputetit të PD-së, z. Fufi me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje ishte i përfshirë Kryetari i Kuvendit”, tha Meta.

Më tej kryeparlamentari Meta u shpreh se që në atë kohë ka pasur takime me Ministrin e Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm, duke u kërkuar marrjen në mbrojtje të Doshit dhe Fufit. Sipas Metës ka qenë vetë deputeti Doshi ai që ka penguar në zbardhjen e së vërtetës. “Deputeti në fjalë është i vetmi pengues i zbardhjes së këtyre të vërtetave dhe ai është i inkurajuar nga ana ime, ka qenë atëherë dhe është aq më shumë sot, që t’i ekspozojë të gjitha faktet e tij, gjithçka që ai disponon pasi në këtë mënyrë mendoj që do të tregonte seriozitetin e tij në gjithë këtë çështje”-u shpreh Meta. Kryetari i kuvendit tha se nuk ka asnjë provë që mund ta implikojë atë në ato çka akuzon Doshi. Meta tha se nuk i njeh arsyet për të cilat Doshi ndërroi tashmë dëshmi kur tha se porositësi i vrasjes nuk është Agim Rama, por kryeparlamentari. Duke iu drejtuar opozitës, e cila sipas tij është futur në garë “se kush i shpreh më shumë dashurinë Doshit”, Meta këshilloi veçanërisht Bashën, që të bëjë kujdes në vijim pasi pas 6 muajsh porositës i atentatit të Doshit mund të dalë kunati i tij. “Kam një këshillë për kryetarin formal të PDsë, që të jetë i kujdesshëm, sepse Doshi i ndërron porositësit çdo 6 muaj. Nëse para 6 muajsh porositës ishte kunati i Berishës, dje dola unë, kam frikë se porositësi i radhës do të jetë kunati i Bashës”, tha Meta.

Braho: Berisha të dëshmojë në Prokurori, jo shkallëve të SHQUP-it

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho “premtoi” që në seancën e ditës së enjte do të ketë surpriza për ish-kryeministrin Berisha. Në një prononcim për mediat, menjëherë pasi Berisha e akuzoi se ka lidhje direkte me botën e krimit, Braho i kërkoi Sali Berishës që të dëshmojë në Prokurori në lidhje me çështjen “Doshi” dhe jo të lëshojë akuza shkallëve të selisë së PD-së. Spartak Braho i kujtoi Berishës se fshehja e informacioneve përbën një vepër penale, ndaj për gjithçka duhet t’i drejtohet prokurorisë. “Sali Berisha ka detyrim ligjor të dëshmojë në Prokurori, jo shkallëve. Berisha duhet ta dijë që pasja dijeni dhe fshehja dënohen”, theksoi Braho. Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare i kërkoi Prokurorisë që të administrojë deklaratat e bëra nga Berisha dhe të punojë për zbardhjen e çështjes. “Prokuroria menjëherë të administrojë deklaratat e Sali Berishës për zbardhjen e çështjes. Doktori të ruajë qetësinë, pasi të enjten kam surpriza për të në Kuvend”, tha deputeti i LSI-së Spartak Braho.

Llalla urdhëron Prokurorinë të nisë hetimin

Prokuroria e Përgjithshme me anën e një njoftimi për publikun bëri të ditur se prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka urdhëruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të nisë hetimet mbi deklarimet e deputetit Tom Doshi, i cili denoncoi në media se disa muaj më parë është tentuar që të vritet ai dhe deputet tjetër i PD-së, Mhill Fufi. Ajo që bëhet e ditur është fakti se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar menjëherë procedimin penal për dyshimet së është konsumuar vepra penale e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, ashtu siç edhe ka pretenduar në deklaratat e tij deputeti Doshi. Megjithatë veprimet hetimore të prokurorëve nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

Gjithsesi Zyra e Shtypit e prokurorit të Përgjithshëm shprehet se "Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria, krahas veprimeve të tjera proceduriale, fton deputetin Tom Doshi që të paraqesë shpjegimet e tij, si edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë rast”. Në njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se kërkohet edhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë për zbardhjen e së vërtetës. “Prokuroria Shqiptare vlerëson mbështetjen dhe inkurajimin e partnerëve ndërkombëtarë në përmbushje të misionit të saj për evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të personave që kryejnë vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe zyrtarët publikë të çdo niveli”, thuhet në njoftim. Në hetimet e hapura kryesisht nga Prokuroria e Krimeve te Renda pritet që të merren edhe deklarimet e deputetit Doshi, si edhe të kërkohen materiale të tjera shtesë, për të cilat pretendohet se janë të faktuara deklaratat.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e Tom Doshit, Prokurori i Përgjithshëm Llalla, zhvilloi një takim në presidencë më presidentin Nishani. Ndonëse asnjëra nga palët nuk u prononcua për këtë takim, burimet bënë me dije së takimi mes tyre zgjati më shumë se një orë ndërsa Llalla e ka informuar Nishanin në lidhje me nisjen e hetimeve pas deklaratave të Doshit.

Vasili: Të hetohet biznesi i Tom Doshit

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili reagoi pas deklaratave të deputetit Tom Doshi, i cili akuzoi kreun e LSIsë, Meta si porositësin e atentatit ndaj tij. Vasili ka kërkuar që të hetohet ajo që ai e e quan “komploti i pularisë” duke iu referuar biznesit të vezëve në pronësi të Tom Doshit dhe Dritan Priftit. “ Kërkoj që komploti i pularisë së Koplikut të hetohet nga të gjitha organet e drejtësisë. I bëj thirrje Sali Berishës që të mos nxitohet me deklaratat e tij. Të mos ngrohë vezët e krimit”, u shpreh Vasili. Nënkryetari i LSI-së kërkon që të nisin hetime mbi biznesin e pularisë që deputeti i sapo përjashtuar i PS-së, Tom Doshi ka në bashkëpronësi me ish- ministrin e Energjitikës, Dritan Prifti. Tom Doshi është aksioner i këtij biznesi së bashku me Dritan Priftin dhe dy persona të tjerë. Më konkretisht Prifti zotëron 25% të aksioneve të këtij biznesi ndërsa Tom Doshi 35% të aksioneve.

Mazhoranca mbështet PS-në për përjashtimin e Doshit

Vetëm dy ditë pas përjashtimit të Tom Doshit nga grupi parlamentar i PS-së, mazhoranca mbështet vendimin. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani në një deklaratë për mediat dënoi ato që ai i quajti shantazhe politike, referuar akuzave të deputetit Tom Doshi, duke i cilësuar si të papranueshme.“Shprehim qëndrimin tonë se shantazhi si mënyrë për të bërë politikë është i papranueshme. Nuk bëjmë analizë të shantazhuesve, që kompromentojnë parimet demokratike, por jemi këtu për të siguruar opinionin publik, që politika e shantazhit është e papranueshme, dhe më vjen mirë që kjo u konstatua nga shumica e fushës politike”, theksoi Manjani. Deputeti socialist, Dashamir Peza u shpreh se përjashtimi i Doshit ishte i pritshëm pas deklaratave të këtij të fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat