Agim Rama: Bandat e Ramës e lidhin gjithmonë krimin me Berishën

Shqipëria

Agim Rama: Bandat e Ramës e lidhin gjithmonë krimin me Berishën

Më: 3 mars 2015 Në ora: 20:08

Biznesmeni Agim Rama, kunati i ish-Kryeministrit Berisha, ka deklaruar se “është e paimagjinueshme për mua”, porositja e atentateve ndaj dy deputetëve, Doshi dhe Fufi kundrejt 500 mijë eurove.

Në një prononcim për “News 24”, nëpërmjet telefonit, Agim Rama tha: “Nuk kam pse t’i komentoj ato thënie; ato nuk meritojnë asnjë koment. Nuk dua të përfshihem në këtë lloj katrahure. Nuk kam qenë në dijeni për diçka të tillë. Tom Doshin nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk njihemi as për fytyrë. Refuzoj t’i komentoj këto veprime,- përfundoi Rama, – është hera e parë që dëgjoj emrin tim për to.”

Pasi deputeti Tom Doshi akuzoi kryeparlamentarin Iir Meta se kishte porosituar vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi, ishte Kryesia e Kuvendit që “nxori në skenë” emrin e biznesmenit Agim Rama. Sipas kreut të Komisionit të Sigurisë, që lexoi deklaratën, Doshi muaj më parë kishte vënë në dijeni kreun e Kuvendit se ndaj tij ishte porositur një atentat nga kunati i ish-Kryeministrit Berisha.

PJESE NGA DEKLARATA E Z.SPARTAK BRAHO, DJE

“Me cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat