Grupi i PD, mocion shkarkimi për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta

Shqipëria

Grupi i PD, mocion shkarkimi për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta

Më: 3 mars 2015 Në ora: 16:37

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon mocion shkarkimi për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Në mbledhjen që pason akuzat e deputetit Tom Doshi se kryeparlamentari Meta porositi vrasjen e tij dhe të demokratit Mehill Fufi, dhe se për këtë skenar e kishte vënë në dijeni dhe kryeministrin Rama, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi se nga Meta nuk pritej asnjë deklaratë tjetër veç dorëheqjes.
“Dorëheqjen si kryetar i Kuvendit dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit. Në vend se të trokiste në dyert e Prokurorisë, se është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve politikë, del e kapardiset para kamerave dhe synon të krijojë mjegull me deklarata të rreme e kriminale, akuza të mjera kundër opozitës”.
Sipas Bashës kjo që po ndodh në nivelet me të larta të mazhorancës që qeveris nuk është as më shumë e as më pak se sa një përplasje kumbarësh që kanë thirrur bandat e tyre nën armë.
“Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë. Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”.
Një gjë e bëri të qartë, asnjë alibi nuk qëndron, mazhoranca, tha Basha, nuk ka shans t’ia marë flamurin e dekriminalizimit Partisë Demokratike.
“Alibia e Edi Ramës nisi që dje, në fabrikimin e disa tezave përmes medias, sikur gjoja paska nisur dekriminalizimi në partinë e tij, me përjashtimin e deputetit akuzues.
Por të gjithë e pamë, se ajo çfarë deshi Edi Rama të bënte, ishte një pajtim, një pakt i ri, një mbyllje e hesapeve, pra bash e kundërta e dekriminalizimit.
Ai dërgoi emisarin Kokëdhima për negociata dhe dështoi. Ai dërgoi më pas emisarin Tahiri për negociata dhe sërish dështoi.
Çfarë është e gjitha kjo?
Asgjë tjetër përveçse lojë kumbarësh që përplasen me njëri tjetrin se kujt do tia puthin dorën; don Ramës apo don Metës. Asgjë tjetër nuk është kjo dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit”.
Por dekriminailzimi nuk duhet të kursejë as Ramën dhe Metën
“Ishin pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta që e ngjizën paktin me krimin përpara zgjedhjeve të fundit dhe ftuan në aleancën e tyre të gjithë qelbësirat, thjesht e vetëm për të ardhur në pushtet…-Çdo të ishte një dekriminalizim nëse nuk do të pastronte politikën nga etërit krijues të inkriminimit? Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj emergjence kombëtare”.
Basha përshëndeti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që në atë që e cilëson si ora më kritike për demokracinë, kërkuan dekriminalizimi e politikës shqiptare.
“Partia Demokratike bëri gjithçka mundi. Ne qëndruam në kauzën tonë edhe përkundër agresionit fizik, përkundër shkeljes së përsëritur të të gjithë të drejtave kushtetuese, përkundër zvogëlimit deri në zhdukje të çdo hapësire. E thamë fjalën tonë deri në fund, e mbajtëm të gjallë kauzën.
Shihni Edi Ramën.
Nuk e ka përmendur as edhe një herë të vetme si fjalë dekriminalizimin. Dhe nuk ka se si. Nëse nis dekriminalizimi, Edi Rama bie. Krimi dhe lidhjet e tij, janë gjysma e Edi Ramës. Nëse bie krimi, nëse bien lidhjet kriminale, rrëzohet sakaq dhe Edi Rama”.
Si kryetar i opozitës politike deklaroi se vendi nuk do të lihet peng i përplasjes së bandave në pushtet. Detyra kryesore në këtë histroi krimi sipas tij, i takon kryeprokurorit
“Ata që kanë hesape janë një minorancë me pushtet e me klane të rrezikshme nga pas. Ata janë subjekt i drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit e Kushtetutës. Unë e inkurajoj, ne të gjithë e inkurajojmë për hetim të plotë e të thellë derisa të dalin përgjegjësit para ligjit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat