Tahiri: Shqipëria më e sigurt me angazhimin e të gjithëve

Shqipëria

Tahiri: Shqipëria më e sigurt me angazhimin e të gjithëve

Më: 3 mars 2015 Në ora: 15:30

Tahiri tha se "pa një bashkëpunim të të gjithë atyre që kanë një kontribut sado të vogël nuk arrijmë dot kurrë të ndërtojmë sigurinë që duam në rrugë".

Vijon projeti për rritjen e sigurisë në rrugë, I organizuar nga Drejtoria e Policisë së Durrësit e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë të PAMECA IV dhe projekti ICARO.

Nxënës të shkollave të mesme të qytetit, u ftuan të ndiqnin një film që përçon mesazhe sensibilizuese, për zbatimin e rregullave të qarkullimit dhe rritur sigurinë rrugore.

Në aktivitetin me nxënës të shkollave të mesme, u shfaq më pas filmi “Rinia europiane”, me pjesëmarrës ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ambasadoren e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, zëvendësministren Elona Gjebrea, kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako, drejtorin e Policisë Perlat Çullaj dhe drejtues të tjerë lokalë.

Tahiri tha se më shumë se dyfishi i jetëve të humbura në Shqipëri, vjen nga aksidentet rrugore, krahasuar me ngjarjet kriminale, që është një shifër domethënëse.

“Unë nuk besoj se ka shembull më të mirë të mungesës së emancipimit, të edukatës dhe të respektimit të rregullave, të respektimit të ligjit sesa rrëmuja dhe kaosi në rrugët e Shqipërisë. Kjo për një gabim kolektiv tonin, duke filluar nga ata që drejtojnë mjetet tek ata që e përdorin rrugën si këmbësorë, apo në mënyra të tjera”, tha Tahiri.

Vitin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit nisi një fushatë sensibilizuese për drejtuesit e automjeteve, që kishte në qendër, edukimin e drejtuesve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor lidhur me çështje që shkaktojnë më së shumti aksident në Shqipëri, siç janë tejkalimi i shpejtësie, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, drejtimi i mjetit pa patentë dhe shumë të tjera që shkaktojnë pasoja fatale për jetën e qytetarëve dhe pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.

“Por ne besojmë se është po kaq e rëndësishme të edukojmë ata që rrugën e përdorin jo si drejtues mjetesh, por si këmbësorë, apo me çdolloj mënyre tjetër. Sepse pa një bashkëpunim të të gjithë atyre që kanë një kontribut sado të vogël nuk arrijmë dot kurrë të ndërtojmë sigurinë që duam në rrugë. Ky është ekzaktësisht një nga ato shembuj ku policia e vetme nuk mund të ndërtojë dot sigurinë rrugore në rast nuk përfshihen në këtë proces drejtuesit e automjetit dhe të gjithë ata që e përdorin rrugën si këmbësorë”, tha Tahiri.

Ministri u shpreh se është shumë e rëndësishme, që të rinjtë të kuptojnë se, “beteja jonë e përbashkët për të garantuar siguri nuk mund të fillojë duke i drejtuar gishtin njëri- tjetrit, por duke u bindur të gjithë bashkë, që nëpërmjet të tillave iniciativave ose së pari iniciativave të tilla, të bëjmë ç’është e mundur të kuptojnë vetë në radhë të parë rëndësinë e angazhimit tonë personal për një shoqëri më të sigurt, dhe pastaj me angazhimin e përbashkët për të jetuar në qytetin tuaj, në shkollën tuaj, në mjedisin ku jetoni”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat