Shpërndahen pensionet e para sipas skemës së re, Rama: Reforma u bë realitet

Shqipëria

Shpërndahen pensionet e para sipas skemës së re, Rama: Reforma u bë realitet

Më: 3 mars 2015 Në ora: 14:16

Kryeministri Edi Rama, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho ishin sot në Vlorë, ku u shpërndanë pensionet e para sipas skemës së re që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015.
Shefi i qeverisë theksoi se reforma e pensioneve u bë realitet në një kohë të shkurtër, ashtu sikurse premtoi mazhoranca. Kryeministri Rama e konsideroi një moment me rëndësi aplikimin e skemës së re të pensioneve, ndërsa kujtoi se qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë pensionin social në rast se nuk plotësojnë kushtet.
“Në 1 vit e gjysmë të qeverisjes tonë u bë e mundur që çdo kush që paguan rregullisht sigurimet shoqërore arrin të marrë pension më të lartë se me skemën e vjetër. Një mësues që për 35 vjet ka paguar sigurimet me formulën e vjetër do merrte 245 mijë lekë pension ndërsa me formulën e re pensioni shkon në 277 mijë lekë. Këto janë fakte që çdo pensionistë I vërteton në xhepin e tij”, – tha kryeministri Rama.

Ndërkohë ministri Veliaj theksoi se rreth 93.302 persona janë shtuar në listën e sigurimeve shoqërore. Sipas ministrit, skema e aplikuar më parë ishte e falimentuar, ndërsa tashmë do të kemi një bilanc pozitiv për pensionistët shqiptarë. Ministri Veliaj ka theksuar se kjo skemë e re bën të mundur që të ketë pensione mbi 300 mijë lekë.
“Nëse në llogarisim sesi gjetëm sesi i gjetëm çështjen e punësimit dhe sigurimet shoqërore në vitin 2013 dhe atë që mbyllën në ditën e fundit të vitit 2014 diferenca e atyre që janë siguruar për herë të parë në sigurimet shoqërore është 93392 persona. Një skemë që ishte e falimentuar falë incentivave që ka dhënë reforma e re dhe falë amnistisë në fshat që është aplikuar nga reforma e re ka rritur të ardhurat e skemës me 100 milionë dollar ”, – tha ministri.

Veliaj dha dhe një lajm tjetër të mirë për gjithë pensionistët, kur deklaroi se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti do ketë një rritje të dytë me 2 për qind për të gjitha pensionet. “Këto nuk do kishin sens nëse nuk do bënim një bilanc pozitiv për pensionistët shqiptarë. Vjet ne rritëm pensionet në gjysmën e dytë të vitit me 2 për qind dhe ne në gjysmën e parë të këtij viti do rrisin sërisht me 2 për qind pensionet”, – tha ministri Veliaj.
Nga ana e saj, drejtoresha e ISSH-së bëri të ditur se në Vlorë është tejkaluar plani i të ardhurave me 561 milionë lekë. Zonja Braho theksoi se ISSH-ja ka rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit.

Reforma dhe skema e re e pensioneve që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, thjeshtëzoi përllogaritjen e përfitimeve, lidhjen e masës së përfitimit me kontributet e paguara duke krijuar një sistem ku secili përfiton pension në bazë të kontributit që jep. Pra, sipas skemës së re, përfiton pension më të lartë i siguruari që ka kontribuar më shumë si në vite ashtu edhe në paga në ndryshim nga skema ekzistuese. Heqja e tavanit të pensionit maksimal, bën të mundur pagimin e pensioneve më të larta që i përgjigjen kontributit të paguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat