Reformohet QSUT, ja ku do të ndërhyhet

Shqipëria

Reformohet QSUT, ja ku do të ndërhyhet

Më: 3 mars 2015 Në ora: 12:45

Komisioni i Shëndetësisë miratoi dje kredinë prej 15 milionë euro nga BERZH-i. Përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës kanë dhënë votat për miratimin e kredisë. Komisioni i Shëndetësisë ka miratuar gjithashtu edhe një grant prej 1.5 milionë eurosh për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Granti do të investohet në shërbimin e kirurgjisë dhe atë të sëmundjeve të brendshme. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka shpjeguar programin.

“Kjo marrëveshje që paraqitet sot është pjesë e zbatimit të masterplanit të zhvillimit të QSUT-së, jo vetëm si qendra më e madhe spitalore në vend, por dhe si qendër universitare. Masterplani ka filluar të zbatohet që në vitin 2004. Në vite ka pasur plotësime të pjesshme të tij dhe gjithashtu, praktikisht me këtë investim, i cili është rreth 24 milionë euro, 2 janë blloqet kryesore; ndërtimi i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe rikonstruksioni themelor i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (6 katëshi). Është ndërtuar një spital i ri, në të cilin janë 2 katet e sipërme bosh, të papërfunduara.

Ato dy kate do të shfrytëzohen për të bërë shtatë salla të reja të kirurgjisë së përgjithshme, 10-12 shtretër të terapisë intensive dhe një kat tjetër me 60 shtretër. Ndërsa spitali i Sëmundjeve të Brendshme është ndërtuar para 40 vjetësh dhe aty janë disa shërbime shumë të rëndësishme, kardiologjia, gastrohepatologjia, nefrologjia etj. Aty kemi një rikonstruksion themelor për të afruar standardet më të rëndësishme që përdoren sot në Evropë, ku për një pacient përdoren në nivelin 35 metra dhe ne jemi në nivelin 15 metra.

Në atë spital sot janë rreth 270 shtretër dhe pas rikonstruksionit mendojmë të arrijmë në 240 shtretër, por qëllimi kryesor është që dhe në dhomat e pacientëve të ketë tualete dhe shërbimet kryesore. Kredia është 16 milionë euro, ku 5 milionë euro janë grant dhe detyrimi për kontribut i qeverisë shqiptare është 7 milionë e 470 mijë euro, duke bërë që përgjithësisht në të gjithë projektin 30 për qind të jetë kontributi i qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër të jetë nga banka e Këshillit të Europës. Kohëzgjatja e kredisë është për 20 vjet. Në bashkëpunim me ata që kanë realizuar masterplanin, ne kemi nisur diskutimet që në tetor të vitit 2013”, tha Beqaj.

Ndërkohë deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka ndërhyrë duke thënë se masterplani nuk është strategjik. “Pa dashur të polemizoj apo të bëj debat një Qendër Spitalore Universitare ka ca objektiva, që janë prioritare dhe strategjike. Me mirëkuptimin tuaj zgjidhja nuk është as prioritare, as strategjike. Themeli i ndërtimit nuk ka qenë rehabilitimi dhe funksionalizimi i çdo gjëje në QSUT, por ka qenë racionalizimi i QSUT-së me një objektiv madhor, uljen e numrit të shtretërve në QSUT, sepse për kuotat e shfrytëzimit të shtratit dhe elementëve të tjera duhet të shkonin drejt një reduktimi që rriste cilësinë e shërbimit”, u shpreh ndër të tjera Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat