“Legalizimi i kanabisit rrit turizmin dhe lufton trafikun”

Shqipëria

“Legalizimi i kanabisit rrit turizmin dhe lufton trafikun”

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:36

Legalizimi i kultivimit të kanabisit do të ishte një armë e fortë në duart e policisë për të luftuar trafiqet e lëndëve narkotike. Kështu mendon avokati i njohur, Saimir Vishaj. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, avokati penalist, sqaron se legalizimi i kanabisit do t’i jepte mundësi policisë që të kontrollonte kultivimin dhe shpërndarjen e tij, duke bërë të mundur uljen e trafikut ndërkombëtar të kësaj lënde. Vishaj thotë se ai ka kohë që ka lobuar për legalizimin e kanabisit. Sipas tij, Shqipëria ka një vakuum ligjor lidhur me trajtimin e çështjeve të kanabisit, duke i dënuar njësoj, si kultivuesit, ashtu edhe shitësit, përdoruesit dhe trafikuesit. Avokati i qëndron idesë se duhen bërë përmirësime ligjore lidhur me këtë çështje, ndërkohë që thekson se Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka vetëm katër dispozita ligjore lidhur me lëndët narkotike, kur vendet e tjera kanë me dhjetëra dhe qindra për to. Vishaj i qëndron idesë se legalizimi i kanabisit do t’i jepte një shtysë të madhe zhvillimit turistik në Shqipëri, por më parë duhet të legalizohet dhe të përcaktohen kufijtë e përdorimit të kësaj substance. Sa i përket trafikut, avokati thotë se ligjet në fuqi janë mjaft cilësore, sa i përket dënimeve të personave që kryejnë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Vishaj, një grup deputetësh ka ndërmarrë një nismë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë nismë, si avokat penalist?

Ne kemi qenë dhe jemi pro legalizimit të kanabisit, qoftë për qëllime farmaceutike, qoftë edhe për konsum vetjak në doza të vogla. Legalizimi i kanabisit do të sjellë një hop për zhvillimin e turizmit. Ka me mijëra turistë që kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë, si gjatë stinës së dimrit, ashtu edhe gjatë verës, të cilët janë përdorues të kanabisit. Mirëpo, legjislacioni ynë e ndalon përdorimin e kanabisit, përveçe dozave shumë të vogla. Pra unë më shumë e i mëshoj idesë se kanabisi duhet të legalizohet për qëllime turistike më shumë se sa për qëllime mjekësore. Por mund të gjendet një ndërthurje mes qëllimit mjekësor dhe përdorimit për fushën e turizmit. Aspekti turistik është mjaft i rëndësishëm. Siç e thashë edhe më lart, Shqipëria është një vend turistik dhe me mijëra turistë e vizitojnë atë çdo vit. Mirëpo, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga vende që e kanë legalizuar kanabisin për konsum vetjak dhe ne po i frenojmë, duke qenë se kuadri ligjor yni nuk e përcakton se sa është saktësisht masa e lejuar e konsumit vetjak të kanabisit. Ligji këtu dënon me burg këdo që mban më shumë se katër gram kanabis me vete. Ndaj mendoj se duhen bërë ndryshime lidhur me sasinë minimale që mund të mbajë çdo përdorues për konsum vetjak. Ndërkohë, duke e legalizuar kanabisin, shteti ka mundësi të mira për ta kontrolluar prodhimin, në mënyrë që edhe kjo bime, me gjithë produktet që dalin prej saj të përdoret në mënyrë të kontrolluar, qoftë nga pacientët që kanë nevojë për trajtim, qoftë edhe nga turistët.

A ka boshllëqe legjislacioni shqiptar në lidhje me kultivimin, prodhimin, shitjen dhe trafikimin e kësaj e kanabisit?

Ne, ende sot kemi një vakuum të madh ligjor lidhur me këtë çështje. Ligji nuk i dënon ata që përdorin kanabis në doza të vogla, mirëpo ne nuk kemi një përcaktim të qartë se cila është doza e vogël dhe ku mbaron ajo. Ndaj, mendoj se duhet legalizuar kanabisi dhe më pas, ekspertët e mjekësisë mund të përcaktojnë edhe dozat e përdorimit të kanabisit, të lejueshme për çdo përdorues.

A mund t’i bëjmë ne përmirësimet në legjislacion lidhur me këtë çështje?

Patjetër, ne e kemi ngritur këtë problem disa herë, pasi Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka vetëm katër dispozita për lëndët narkotike. Ne kemi dispozita për prodhimin, shitjen, kultivimin dhe trafikimin. Ndërkohë, në të gjithë botën, ka me dhjetëra dispozita lidhur me lëndët narkotike dhe për kanabisin, duke nisur që nga sasia e lejueshme për posedim, cilësia etj. Ndërsa në Shqipëri, trajtohen njësoj përpara ligjit, si ai që e mbjell, ai që e trafikon, ai që e shet dhe ai që e përdor. Kjo është e padrejtë dhe natyrisht që duhet ta rishikojmë këtë çështje. Ndërsa në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike mendoj se ligji aktual është mjaft i mirë.

Shumë familje dhe banorë të Lazaratit, por edhe të zonave të tjera ku kultivohej kanabis, kanë mbetur tashmë, pas operacioneve të policisë, pa punë dhe pa të ardhura, madje disa prej tyre janë burgosur për kultivimin e kanabisit. Si do t’i ndihmonte ata legalizimi i kanabisit?

Në momentin që kanabisi legalizohet, ato persona, madje edhe familje që janë dënuar për kultivimin e kanabisit, marrin, në mënyrë absolute, pafajësi. Por kjo ndodh vetëm në rastet kur provohet nga gjykata se ata nuk kanë patur lidhje apo nuk kanë qenë pjesë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sa e ndihmon policinë legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore në luftën kundër trafikimit të tij?

Duhet thënë se trafiku i lëndëve narkotike nuk ka lidhje me kultivimin e kanabisit, qoftë për qëllime mjekësore, qoftë për përdorim vetjak. Trafiku i lëndëve narkotike është një vepër penale tjetër. Nëse ne ligjërojmë prodhimin e kanabisit i japim mundësi shtetit dhe policisë që të ketë një avantazh më të madh në luftën kundër trafikut. Pra, e thënë ndryshe, ai që do ta kultivojë kanabisin, do ta prodhojë vetëm për përdorim legjitim. Nëse ky kultivues do të fillojë të tjetërsojë kultivimin dhe prodhimin e kanabisit deri në trafikim do të mbajë përgjegjësi penale lidhur me këtë vepër. Legalizimi i kultivimit të kanabisit e ul trafikun e tij në Shqipëri, sepse vetë policia do të ketë mundësi të kontrollojë çdo tokë që mbjell kanabis, dhe çdo gram që prodhohet prej kësaj bime. Gjithashtu, kultivuesit do të pajisen me licenca dhe policia do të ketë skeda të qarta të atyre që e mbjellin kanabisin. Më parë, autoritetet nuk kishin dijeni se kush mbillte dhe kush tregtonte kanabis dhe jo më për personat që e trafikon. Ndërsa në rast legalizimi, policia do ta ketë më të lehtë për të zbuluar trafikantët, duke ditur personat që e mbjellin.

Farmacitë e Holandës me kanabis Lazarati

Si mendoni, cili mund të jetë shembulli më i mirë që mund të ndjekë Shqipëria në lidhje me legalizimin e kanabisit?

Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një shembull mjaft i mirë edhe për Shqipërinë, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në ndjekjen e këtij procesi. Shtetet e SHBA-ve kanë nisur një e nga një që ta legalizojnë tashmë kanabisin, qoftë për qëllime mjekësore, qoftë edhe për konsum vetjak. Dhe deri tani nuk ka patur ndonjë efekt negativ, por vetëm përfitime. Gjithashtu, mendoj se edhe Holanda është një shembull mjaft i mirë për t’u ndjekur. Çuditërisht, në farmacitë e Holandës tregtohen lëndë narkotike që kanë ardhur nga Lazarati. Ekzistenca e kësaj marke në farmacitë e Holandës tregon qartë se importi atje është bërë në mënyrë legjitime. Holanda ka ligje mjaft të mira për këtë çështje dhe nuk lejon që brenda vendit të vet të tregohen produkte në mënyrë ilegjitime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat