Pastrimi i parave, një zyrtar i lartë mori 1 mln euro

Shqipëria

Pastrimi i parave, një zyrtar i lartë mori 1 mln euro

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:35

Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 462 raste të dyshimta për pastrim parash. Deklarata është bërë dje nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, gjatë raportimit të punës 1-vjeçare në Komisionin e Sigurisë. Por sipas Gazhelit edhe pse janë rritur me rreth 63 për qind rastet e evidentuara, prokuroria dhe gjykata hetojnë dhe dënojnë pak në krahasim me rastet e denoncuara. Në katër vitet e fundit nga 231 procedime janë dërguar në gjykatë vetëm 22 të tilla. Rasti më flagrant për Gazhelin është ajo se në 22 vite numri i te dënuarve për tjetërsim të fondeve është i papërfillshëm. E ndërkohë që në raportin e përgatitur nga kjo drejtori thuhet se edhe një zyrtar i lartë ka qenë nën hetim për kryerje transfertash të dyshimta.

Komisioni i Sigurisë

“Për vitin 2014, DPPPP-ja ka referuar 462 raste në institucionet ligjzbatuese, ndërsa gjatë vitit 2013 janë referuar 283 raste dhe në vitin 2012 janë referuar 211 raste. Pra ka një rritje 63 % krahasuar me një vit më parë”, - tha Gazheli. Ai sqaroi se janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm, që kapin një vlerë totale prej rreth 18 milionë eurosh, nga të cilat rreth 15 milionë euro janë sekuestruar me vendim gjykate/ prokurorie, shifra këto që tejkalojnë bindshëm të gjitha bllokimet dhe sekuestrimet e viteve 2009-2013 të mbledhur së bashku.

Një dukuri tjetër pozitive e kësaj agjencie, sipas kreut të saj, ka të bëjë edhe me rritjen e mbikëqyrjes ndaj subjekteve të ligjit. Numri i subjekteve dhe/ose punonjësve të tyre, të trajnuar për vitin 2014 është 699 persona, ndërsa në vitin 2013 janë trajnuar 401. I njëjti trend rritës për vitin 2014 është edhe për numrin e masave administrative dhe ekzekutimit të tyre. Kreu i DPPPPsë deklaroi dje se trafiku i lëndëve narkotike është një ndër burimet e parave të pista. “Nga rastet për të cilat ka qenë e mundur të individualizohet vepra mëmë, pra tjetërsimi i fondeve, pastrim parash, dominojnë trafikimi i lëndëve narkotike, fshehja e të ardhurave, evazioni fiskal, falsifikimi, trafikimi i qenieve njerëzore etj”, - ka pohuar ai.

Gazheli ka kritikuar më tej punën e prokurorisë dhe gjykatës. “Gjej momentin dhe rastin t'i bëj thirrje prokurorisë shqiptare të ndërgjegjësohet për këtë fakt. Tjetërsimi i fondeve është vepër penale dhe dënohet. Mosvlerësimi i formacioneve që institucioni jonë dërgon është fakt që demostrohet bindshëm nga kërkimi i të dhënave që janë dërguar më parë dhe nuk gjenden në arkivat e tyre. Letër-porositë dërgohen me vonesë, duke specifikuar vetëm gjeneralitet që kanë personat nën hetim, pa dhënë detaje për gjeneralitetet e tjera, që mund të kenë përdorur dhe pa dërguar gjurmët e gishtave. Dihet që kriminelët përdorin disa gjeneralitete", - tha Gazheli. Ai ka vlerësuar më tej si një lajm të mirë heqjen e Shqipërisë nga lista e vendeve të dyshimta për pastrim parash, ku ndodhej për tre vjet rresht.

Raporti

Raporti vjetor i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka ngritur si shqetësim përfshirjen në transferta parash edhe të zyrtarëve të lartë. Duke e paraqitur si rast studimor, sipas kësaj drejtorie, edhe një zyrtar i lartë është dyshuar për transferta dhe investime të dyshimta parash. Ajo bën të ditur se ky person i ekspozuar politikisht (PEP) gjatë vitit 2014 përfitoi në llogarinë e tij bankare një fond nga Lindja e Mesme në shumën 1 milion euro, të cilat ishin donacione. Nisur nga fakti se shtetasi përfitues i fondeve ishte PEP i një niveli të lartë u ndërmor një investigim i hollësishëm lidhur me arsyen e transferimit të fondeve, përdorimin e tyre, si dhe historikun e lëvizjeve financiare.

Nga ky investigim raporton DPPPP-ja rezultoi se fondet e dërguara si donacione, në një pjesë të madhe kanalizoheshin nëpër llogaritë e tij personale dhe jo drejt destinacionit përfundimtar, pra investime për komunitetet. Gjithashtu nga ky hetim rezultoi se ky person në vitin 2010 kishte blerë kuotat e një shoqërie të caktuar për 2 milionë lekë, kuota të cilat i ka shitur një vit më vonë për vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu hetimi zbuloi se po ky person kishte blerë një tokë me çmim 2.5 milionë euro së bashku edhe me dy shtetas të tjerë, të cilët jetonin në Lindjen e Mesme. Por hetimet nxorën të dhëna të tjera që e bënin edhe më të dyshimtë gjithë aktivitetin financiar të këtij politikani. Kështu ai rezulton që të ketë depozituar mbi 500,000 euro cash në llogaritë e tij personale, si dhe të një shtetaseje tjetër, që rezulton të jetë bashkëshortja e tij, të cilës i kishte blerë edhe një apartament. Por në këtë raport nuk jepen të dhëna se si ka përfunduar hetimi i këtij rasti.

Një zyrtar nën hetim për pastrim parash

RAST STUDIMOR

DPPPP u njoh me faktin se një person i ekspozuar politikisht (PEP) përfitoi në llogarinë e tij bankare një fond nga Lindja e Mesme në shumën 1 milion euro, të cilat ishin donacione. Nisur nga fakti se shtetasi përfitues i fondeve ishte PEP i një niveli të lartë u ndërmor një investigim i hollësishëm lidhur me arsyen e transferimit të fondeve, përdorimin e tyre, si dhe historikun e lëvizjeve financiare të PEP. Nga ky investigim rezultoi se: - fondet e dërguara si donacione, në një pjesë të madhe kanalizoheshin nëpër llogaritë e tij personale dhe jo drejt destinacionit përfundimtar, pra investime për komunitetet; - në vitin 2010 kishte blerë kuotat e një shoqërie ‘C’ për 2 milionë lekë, kuota të cilat i shiti një vit më vonë për 2 milionë euro! - Kishte blerë një tokë me çmim 2.5 milionë euro së bashku edhe me dy shtetas të tjerë, të cilët jetonin në Lindjen e Mesme; - kishte depozituar mbi 500,000 euro cash në llogaritë e tij personale, si dhe të një shtetaseje tjetër (A), të cilës i kishte blerë edhe një apartament; - shtetasja A, ndërkohë kishte të depozituara në llogari mbi 150,000 euro, si dhe kishte investuar shuma të konsiderueshme për hapjen e një biznesi shërbimesh. DPPPP-ja dërgoi rastin për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit, me dyshime të forta për korrupsion nga zyrtari i lartë, jo vetëm për keqpërdorimin e fondeve, por edhe për investimet e pajustifikuara të tij në pasuri e biznese.

Të dhëna

Gjatë vitit 2014 janë arkëtuar në total 34 235 705 lekë nga të cilat 18 170 000 lekë janë arkëtime nga masat administrative të vendosura në vitin 2014 dhe 16 065 705 lekë arkëtime të masave administrative të viteve të mbartura nga masat administrative te vendosura ne vitet e mëparshme. Çështje gjyqësore të përfunduara gjatë këtij viti në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit janë gjithsej 56.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat