Prokuroria nis hetimin për deklaratat e Doshit

Shqipëria

Prokuroria nis hetimin për deklaratat e Doshit

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:32

Kryeprokurori Adriatik Llalla mbërriti në zyrën e kryeministrit Edi Rama për një takim, një ditë pas akuzave të deputetit socialist, Tom Doshi, se Ilir Meta ka paguar për eliminimin e tij fizik.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Fillimisht nga takimi ka dalë Llalla.

Më pas ka vazhduar takimi mes Ramës dhe Tahirit.

Ende nuk dihen detaje të bisedës mes tyre.

Ndërkohë dje në mbrëmje pati një ndryshim të kahut të akuzave. Deputeti i LSI, Spartak Braho deklaroi se është Sali Berisha ai që ka paguar për të vrarë Tom Doshin dhe jo Ilir Meta.

Më vonë u bë e ditur nga Prokuroria e Përgjithshme se ka nisur hetimi ndaj deklaratave të Doshit.

Njoftimi

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë për Krime të Rënda të nisë hetimin kryesisht mbi deklarimet e z. Tom Doshi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është shprehur publikisht ditën e Hënë (dt. 02.03.2015), se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një tjetër deputeti, disa muaj më parë.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria, krahas veprimeve të tjera proceduriale, fton deputetin Tom Doshi që të paraqesë shpjegimet e tij, si edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë rast.

Gjithashtu, Prokuroria Shqiptare vlerëson mbështetjen dhe inkurajimin e partnerëve ndërkombëtarë në përmbushje të misionit të saj për evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të personave që kryejnë vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe zyrtarët publikë të çdo niveli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat