Meta: Ka dëshmitarë që Doshin donte ta vriste Berisha

Shqipëria

Meta: Ka dëshmitarë që Doshin donte ta vriste Berisha

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:30

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, foli për mediat pas akuzave të deputetit Tom Doshi se ai kërkonte vrasjen e tij.

Meta tha se versioni i parë është që Doshin do e vrisnin me porosi të kunatit të Sali Berishës.

“Ai i ndryshon versionet e tij sipas oreksit politik,” tha Meta.

“Nuk jam habitur aspak nga akuzat e djeshme të deputetit Doshi pas përjashtimit nga PS. E përshëndes veprimin e përjashtimit të tij, për shkak se mendoj se është një veprim shumë i qartë për të ndarë politikën nga shantazhi dhe për t’i dhënë fund praktikave të presionit mbi qeverisjen e vendit,” tha Meta.

“Versioni i parë, i bërë të ditur prej tij për mua dhe shumë persona të tjerë të përgjegjshëm dhe përgjegjësi institucionale, se ndaj tij po përgatitej një atentat, ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish- kryeministrit Berisha, zoti Agim Rama, që do paguante 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe të deputetit Mhill Fufi, me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje ishte i përfshirë edhe Ilir Meta.

Në atë kohë unë jam takuar me ministrin e Brendshëm, me Prokurorin e Përgjithshëm, në praninë e Spartak Brahos dhe kam kërkuar marrjen e masave për zbardhjen e gjithë kësaj historie dhe vendosjen e personave përgjegjës përpara drejtësisë.

I vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështje është deputeti Tom Doshi.

Këtu nuk flas në emër të prokurorisë dhe policisë, por veprimet e mia kanë qenë në përputhje me ligjin.

Nuk e di kush është interesi i Tom Doshit, di variantin e atyre që janë të gatshëm të dëshmojnë përpara drejtësisë.

Unë e kam inkurajuar Doshin që të ekspozojë faktet e tij tek drejtësia,” tha Meta.

Ai u shpreh se ka dëshmitarë për versionin e parë të Doshit, por asnjë dëshmitar për versionin që Meta ka urdhëruar vrasjet.

Meta tha se ka një garë mes Berishës dhe Bashës për të shprehur dashurinë ndaj Tomë Doshit.

“Opozita të zgjedhë atë si simbol të moralit, të luftës kundër krimit të organizuar.

Kryetari formal të jetë i kujdesshëm pasi Doshi e ka gjithmonë një atentat në mendje dhe i ndryshon gjithmonë porositësit.

Porositësi tjetër mund të jetë kunati i kryetarit formal të PD. Nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë dëshmitar që mund të provojë implikimin e kryetarit të Kuvendit në një skenar të tillë,” tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat