Braho: Kunati i Berishës, 500 mijë euro për eliminimin e deputetit Doshi

Shqipëria

Braho: Kunati i Berishës, 500 mijë euro për eliminimin e deputetit Doshi

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:12

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Sprartak Braho në një konferencë për mediat, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i bëri thirrje prokurorisë dhe policisë që të hetojë akuzat e ngritura nga deputeti i përjashtuar nga grupi socialist, Tomë Doshi, ndërsa reagoi ndaj akuzave që deputeti socialist lëshoi kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta. Ai i kërkoi Policisë së Shtetit që të vijojë marrjen në mbrojtje të Doshit dhe deputeti të PD-së, Mëhill Fufi. Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho u shpreh se Tom Doshi fillimisht ka pretenduar se kunati i Berishës, Agim Rama ka ofruar shuma të mëdha për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mëhill Fufi, me qëllim destabilizimin e jetës politike, duke akuzuar për këto vrasje kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Hetimet

Kryetari i Komisionit të Sigurisë tha se Kuvendi ishte në dijeni të atentatit para 5 muajsh dhe se për këtë atentat ishte informuar nga vetë kreu i Kuvendit. “Para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, lidhur me pretendimet e shprehura nga deputeti Tomë Doshi, se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme parash, deri në 500 mijë euro, për eliminimin fizik të tyre, me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta”, tha Braho.

Të dorëzohen dosjet

Ligjvënësi i LSI-së kërkoi fakte të bazuara për akuzat e deputetit Doshi, qofshin ato video apo foto, të cilat nëse nuk dorëzohen do të sekuestrohen nga policia. Sipas tij, Doshi duhet të dorëzojë provat e pretenduara për kërcënimin e jetës së tij, në të kundërt policia dhe organet e hetimit duhet të bëjnë punën e tyre duke sekuestruar videon. “Si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video apo diçka tjetër, në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë, të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria. Gjithashtu ai duhet të denoncojë edhe personat e tjerë të implikuar në këtë çështje, duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre e për t’i zbardhur së më parë. Ndërkohë i kërkoj përsëri Policisë së Shtetit të vijojë marrjen në mbrojtje të dy deputetëve, Fufi dhe Doshi, të cilët sipas këtij të fundit janë të kërcënuar me jetë. Ky është një informim paraprak në respekt të opinionit publik dhe medias, pasi ne jemi këtu për të punuar në vazhdimësi së bashku”, u shpreh Braho.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Tomë Doshi është përballur me akuza të ashpra nga Brukseli dhe Ambasada Amerikane. Ndaj deklaratave të tyre deputeti ka reaguar duke sqaruar se ai nuk ka qënë i përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Doshi tha se është i gatshëm të vërë në dispozicion detaje të historisë së ndjekjes të tij prej disa muajsh nga kriminelët të cilët pretendon se paguhen nga Ilir Meta. Gjithashtu, ai kërkon dhe sjelljen e hetuesve profesionistë të gjykojnë së bashku me Prokurorinë Shqiptare këto akuza. Pas deklaratës së tij opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe një hetim të plotë të ngjarjes.

Akuzat e Doshit, Prokuroria: Nuk kemi asnjë koment

Albi Serani, këshilltari për media i kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk pranoi të komentojë asnje nga deklaratat e deputetit socialist Tomë Doshi. “Nuk kemi asnjë koment në lidhje me faktin e pretenduar nga Doshi apo edhe mbi komentet që ai ka bërë”. Nuk është hera e parë që zyra e kryeprokurorit Llalla hesht qoftë edhe jo zyrtarisht për deklaratat apo akuzat e politikanëve për vrasje. Burime pranë organit të akuzës, thanë se Doshi nuk ka dorëzuar asnjë kallëzim për pretendimet e mbajtura. Ai ka pasur një takim kohë më parë me kryeprokurorin, por asgjë nuk është bërë publike për temën e bisedës mes tyre. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime të Rënda, mësohet se është drejt pushimit të dosjes së vrasjes në Mamurras për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku u plagos Mëhill Fufi, për mungesë të provave dhe dëshmitarëve që provojnë ose identifikojnë autorët e vrasjes së Gjon Gjonit, i njohur si mbështetës i LSI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat