Lidhjet e Tom Doshit me ‘drogën’, dokumentet që e akuzojnë

Shqipëria

Lidhjet e Tom Doshit me ‘drogën’, dokumentet që e akuzojnë

Më: 3 mars 2015 Në ora: 10:19

Deklarata e papritur nga ana e Ambasadës së SHBA-së, pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga radhët e grupit Parlamentar të PS-së, zgjoi reagime të shumta. Akuzat e ngritur nga ambasada, nisën dyshime lidhur me të kaluarën e deputetit Doshi dhe përfshirjes së tij me gjëra të kundraligjshme.

SHBA përmes ambasadës së saj në Tiranë, mbështeti Partinë Socialiste lidhur me vendimin e ndërmarrë për përjashtimin e Doshit nga PS, ndërkohë që zbuloi se deputeti është i përfshirë në veprimtari kriminale dhe korruptive.

Raportimet që bënte ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në Departamentin e Shtetit, e paraqesin Tom Doshin një biznesmen, i cili dyshohet për lidhje me trafikun e narkotikëve dhe afera korruptive.

Dokumentet sekrete të bëra publike nga Wikileaks, e përmendin në të paktën tre raste deputetin Tom Doshi.

Ndërkohë që Uidhers ka folur edhe për presionet që Doshi i bënte kryeministrit Rama, pas humbjeve të zgjedhjeve në vititn 2009, në mënyrë që të mos jepte dorëheqjen.

Dokumentet

3 shtator 2011

Tom Doshi është deputet në Shkodër dhe është veçuar nga raporti i të Drejtave të Njeriut për një sulm fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton. Ai ishte një figurë kyçe në financimin e fushatës së PS. Ai njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh. Doshi ka shërbyer edhe në Parlamentin e mëparshëm si deputet me PD, përpara se të kalonte me PS-në në këto zgjedhje.

5 shtator 2011

Disa deputetë (të PS) janë banditë të thjeshtë. Këta deputetë e kanë bërë pasurinë e tyre përmes mjeteve të ndryshme dhe kanë tendencë për të ndryshuar parti, në qoftë se biznesi ua kërkon këtë. Ata mund të jenë shumë të pasur, kanë arsimim minimal dhe mund të jenë të dhunshëm. Shembulli klasik është Tom Doshi, i cili është deputeti më i pasur i deklaruar, me një pasuri të vlerësuar në 10 milionë euro, dhe që drejton biznese ndërtimi, farmaceutike dhe biznese të qumështit. Ai dyshohet gjithashtu edhe për drejtimin e disa ndërmarrjeve jo dhe aq ligjore.

6 shtator 2011

Duke folur më në përgjithësi, Blushi tha se zgjedhjet kanë mbaruar dhe PS-ja duhet të pranojë humbjen e saj dhe të lëvizë përpara. Ai mendonte se ankesat për Fierin, Beratin dhe rajonet e tjera nuk do të kishin pasur shumë ndikim; PS-ja thjesht humbi zgjedhjet.

Ai përmendi dy arsye kryesore për dështimin e PS-së: kandidatët dhe koalicionet. Sipas Blushit, shumë prej kandidatëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë zgjedhur personalisht nga Rama me pak konsultim ose aspak, nuk ishin të përshtatshëm për detyrën dhe kualifikimi i tyre i vetëm ishte besnikëria ndaj Ramës.

Ai u ankua për disa kandidatë, të ashtuquajtur “banditë” ose “truproja”, si Tom Doshi nga Shkodra dhe kandidatët e tjerë të diskutueshëm në Lezhë dhe zona të tjera. Blushi tha se PS-ja nuk mund të tolerojë individë të tillë brenda saj dhe duke vepruar kështu ai e ka kthyer partinë njëzet vjet mbrapa.

Ai tha se Doshi i ka thënë Ramës se nuk mund të japë dorëheqjen si kryetar, pasi Doshi kishte investuar 500 000 euro në zgjedhjet në Shkodër dhe se ai donte t’i ktheheshin këto para. Blushi tha se paratë e shpenzuara ishin pa dobi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat