Berisha: Deklarata e Doshit, një ogur i zi për vendin

Shqipëria

Berisha: Deklarata e Doshit, një ogur i zi për vendin

Më: 3 mars 2015 Në ora: 07:57

Pas deklaratës së deputetit Tom Doshi sipas të cilit ishte urdhëruar vrasja e tij dhe deputetit të PD, M'hill Fufi nga Ilir Meta, ka reaguar në Facebook ish-Kryeministri Berisha duke thënë se kjo është ngjarja më e rëndë në 25 vitet e fundit.

“Akuzat se Ilir Meta dhe Edi Rama planifikuan vrasjen e dy deputëteve të Parlamentit, janë akuzat më të rënda publike në tërë historinë e pluralizmit shqiptar. Deputeti Doshi pohon se kryetari i Parlamentit të vendit, Ilir Meta, në marrëveshje me Edi Ramën, ka paguar për eleminimin fizik të tij dhe deputetit të Partisë Demokratike M'hill Fufi. Doshi njoftoi para mediave se për akuzën e tij, më e rënda 25 vitet e fundit, disponon fakte të cilat ai i ka paraqitur brenda dhe jashtë vendit”, shkruan Berisha.

Ai gjithashtu dënon me ashpërsi çdo përpjekje për të eliminuar fizikisht deputetët e Parlamentit, pavarësisht nga spektri i tyre politik. Sipas Berishës, qeveria po planifikon destabilizimin e vendit, prandaj ai u bën thirrje qytetarëve të ngrihen në protestë.

Topalli: Meta të dorëhiqet menjëherë

Ishkryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pas akuzave të lëshuara nga deputeti Tom Doshi, ka kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta.“Një person i akuzuar si urdhërues i vrasjes së 2 deputetëve, nuk mund të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë”, bën thirrje Topalli. Më tej deputetja e Partisë Demokratike tha se asnjë politikan shqiptar në këto 25 vjet nuk është akuzuar siç u akuzua Ilir Meta.

“Nuk ka asnjë politikan tjetër shqiptar që të jetë akuzuar siç u akuzua Ilir Meta. A janë akuzat e vërteta? Këtë le ta zgjidhë drejtësia! Por, derisa drejtësia të veprojë, si ishkryetare e Kuvendit kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës”, ka theksuar ajo. Ishkryetarja e Kuvendit reagoi pa mëdyshje pas përjashtimit të Doshit nga PSja, por në mënyrë tepër konçize dhe të padresuar: “Mafia është heshtja! Nuk keni parë asgjë akoma!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat