Basha: Ilir Meta të dorëhiqet dhe prokuroria të hetojë

Shqipëria

Basha: Ilir Meta të dorëhiqet dhe prokuroria të hetojë

Më: 3 mars 2015 Në ora: 07:56

Pas akuzave të lëshuara nga deputeti Tomë Doshi, se kryeparlamentari Ilir Meta po përgatiste atentat ndaj tij, ka reaguar dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili atë që po ndodh brenda mazhorancës e ka cilësuar një teatër mafioz, me personazhe kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin e vendit. Basha tha se të gjithë shqiptarët pa përjashtim e panë se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë. “Krim, vrasje, shantazhe në këtë teatër mafioz personazhet janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri e deputetët e tyre, deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra”, deklaroi në një konferencë për mediat mbrëmjen e djeshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më tej ai kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. “Kryetari i Kuvendit akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë, të vihet në dispozicion të drejtësisë për t’u hetuar me akuzën më të rëndë që është bërë në këto 25 vite demokraci. Parlamenti nuk mund të drejtohet nga një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës se ka paguar për të vrarë dy deputetë”, shtoi Basha. Më tej, kreu i demokratëve fajësoi Kryeministrin Rama si person në dijeni të ngjarjes. “Më e pakta kemi sot një Kryeministër në dijeni të ngjarjes. Deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori vrasjesh dhe krimi”, deklaroi kreu i demokratëve. Basha tha se shqiptarët nuk mund të pranojë të kenë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve.

“Nuk ka shqiptar të pranojë një kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar”, tha kreu demokrat. Në fund, Basha tha se kjo nuk është më një betejë e brendshme e mazhorancës, por i përket të gjithë shqiptarëve. Më tej ai tha se Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale. “Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiq përpara popullit sovran që do ta çlirojë veten nga ky tumor malinj”, tha kreu i opozitës. Më tej kreu demokrat tha se "nuk do ta njohë Ilir Metën si Kryetar të Parlamentit, dhe as Edi Ramën si kryeministër, të dy nën akuzë, njëri të organizimit të vrasjes, tjetri si dëshmitari që hesht", tha Basha.

Shefi i opozitës nënvizoi se çdo minutë që kalon, vetëm e përkeqëson pozicionin e kryetarit të kuvendit dhe të kryeministrit. Sipas tij, dyshja Rama- Meta vetëm e kthen Shqipërinë prapa. "Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqë përpara popullit sovran që do ta clirojë veten nga ky tumor malinj. Dhe ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve", theksoi kreu demokrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat