Nishani: Ligji për dosjet, një domosdoshmëri

Shqipëria

Nishani: Ligji për dosjet, një domosdoshmëri

Më: 2 mars 2015 Në ora: 18:34

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim një grup ish-të përndjekurish politikë për të zhvilluar një bashkëbisedim mbi kremtimet e 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, por edhe për çështje të tjera me interes shtetëror e social, si ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionit.

Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë e madhe që kremtimi i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit ka për vendin dhe kërkoi angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve në takim, por nëpërmjet tyre, të gjithë ish-të përndjekurve dhe familjarëve të tyre për të kontribuar për ceremonitë shtetërore që do të organizohen për këtë qëllim.

"Shqipëria, duhet që në këtë 25-vjetor që kulmon në 8 dhjetor 2015, të organizojë ceremoni të nivelit të lartë shtetëror, sikurse kanë zhvilluar edhe Polonia, Gjermania, Rumania e Bullgaria. Në dallim nga këto shtete, Shqipëria ka qenë vendi më i varfër ekonomikisht, dhe i takon të reflektojë thellë mbi pasojat e sistemit komunist gati 50-vjeçar që tronditi nga themelet shoqërinë shqiptare. Ligji për dosjet dhe ligji i lustracionit janë domosdoshmëri, dhe praktikat e mira evropiane mund të shërbejnë si modele të aplikueshme në rastin e Shqipërisë", tha Presidenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat