3 javë më parë: Berisha-Tom Doshit: Ty ta vuri Shullazi pistoletën e Tahirit në kokë. Doshi: Do ma dëgjoni krismën

Shqipëria

3 javë më parë: Berisha-Tom Doshit: Ty ta vuri Shullazi pistoletën e Tahirit në kokë. Doshi: Do ma dëgjoni krismën

Më: 2 mars 2015 Në ora: 16:46

Kryeministri Rama i cilësoi sulmet me tritol të ditëve të fundit si akte terroriste, që kanë në shënjestër punën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pa asnjë kujdes etik, Kryeministri sulmoi opozitën, e cila sipas tij u pozicionua në anën e krimit duke sulmuar ministrin e Brendshëm përmes shpifjesh.

Ish kryeministri Berisha dhe deputeti i PS, Tom Doshi

“Shqiptarët duhet ta dinë, jo nga ne, por nga një palë e tretë që na gjykon, nëse e vërteta është siç e pretendoj unë apo siç akuzoni ju. Por kaq nuk mjafton, s’mund të mjaftojë. Këto nuk janë sherre në familje, as sherre mes komshinjsh dhe ne nuk jemi këtu për të hapur gjyqe me ju, sa herë ju jashtënxjerr goja ato që ju prodhon zorra juaj politike. Kështu nuk vazhdohet më. Shqipëria nuk mund të rrijë zhytur në baltën e akuzave të sajuara apo të paprovuara të politikanëve me njëri-­tjetrin”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, për herë të parë pas shpërthimeve të tritolit, Rama tha se ato kanë sjellë pasiguri te njerëzit. “48 orë më parë, Tirana u gdhi me lajmin e vendosjes së tri bombave. Dy prej tyre kishin në shënjestër familjen e ministrit të Brendshëm. Akte të mirëfillta terroriste, të cilat së pari përcjellin mesazhin e një kërcënimi të rëndë në adresë të ministrit të Brendshëm. Së dyti, përcjellin ankth dhe pasiguri te njerëzit, siç është në natyrën e terrorizmit të çdo forme. Së treti, fatkeqësisht përcjellin energjitë më negative të qenies njerëzore për të furnizuar politikën e llojit më të ulët që është politika me krimin, e cila është mbështetje imorale dhe frymëzim i drejtpërdrejtë për krimin”, tha Rama. Përmes një fjalimi që zgjati rreth 1 orë e 5 minuta, Rama u ndërpre disa herë nga deputetët e pakicës në Kuvend, të cilët e kundërshtonin. “Si në asnjë vend tjetër demokratik në botë, opozita nuk e ka për gjë të pozicionohet në anën e krimit, përmes reagimesh të cilat nuk dënojnë veprën terroriste, por tregojnë me gisht ministrin e Brendshëm dhe familjen e tij, si fajtorë që meritojnë bombat”, tha Rama.

Ai lajmëroi se do të kërkojë në Kuvend shpalljen krim të shpifjes, nisur nga akuzat e opozitës që e lidhin ministrin e Brendshëm me krimin. “Ne do të kërkojmë kriminalizimin një orë e më parë me ligj të shpifjes për shkak të detyrës, për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik”, tha Rama.

Madje, ai u kujtoi dy deputetëve demokratë, Edi Paloka dhe Arben Ristani, se në muajin mars do të ketë seancën gjyqësore për shpifje me ta. “Do t’i shkoj deri në fund atij procesi dhe, nëse ju do të provoni sadopak, jo të gjitha, sadopak, nga tërë ato hatara që ju ka nxjerrë hapësira që e quani gojë, unë do të jap dorëheqjen dhe do t’i vihem në dispozicion drejtësisë. Në të kundërt, ju do të paguani çmimin e kësaj politike të turpshme”, tha Rama.

REPLIKAT NË KUVEND

Edi Rama: Duhet të kesh një pafytyrësi hollivudiane dhe duhet ta mendosh popullin tënd një tufë delesh për të dalë sot dhe për të akuzuar këtë qeveri për drogën, pasi ke kultivuar Lazaratin dhe i ke kthyer malet e kodrat në fusha pjellore, nën porosinë e shokut Enver, jo me grurë, por me drogë. 2214 parcela me kanabis të asgjësuara. Kush i mbolli? Kush i kultivoi? Ne,

Ministria e Brendshme apo ministri i Brendshëm? Sadri Abazi: Saliu, Saliu i mbolli. Edi Rama: Jeni qesharakë, siç mund të bëhet një violinist dasmash, kur përpiqet të luajë Paganinin, aq qesharak u bë edhe ai kryetari juaj, i riu, kur shkoi në një fshat në kodër, në Shtyllas, ku nuk kishte pasur përmbytje dhe me çizme, se i kishin veshur edhe çizmet në tokë të thatë, në pikë të diellit, trashte edhe zërin dhe urdhëronte qeverinë: shpalle sot gjendjen e emergjencës. Ose, siç mund t’i jetë dukur ndonjërit sot dikush si Pamela Anderson në “Baywatch”. Albana Vokshi: Meqenëse më krahasoi me Pamelën, më mirë Pamela Anderson, që në filmin “Baywatch” shpëton njerëzit nga përmbytjet, sesa një gaztor si Mr. Bean, që ju bën të qeshni me zor… Edi Rama: Me vendim qeverie, në fillim të janarit shtonin fondin 200 milionë lekë dhe në fund të janarit e ulnin 160 milionë. Po kështu, në dhjetor e ulnin 150 milionë lekë dhe para vitit të ri e shtonin 100 milionë lekë. Mos e pyet! Rrumpalla juaj tipike, kaosi juaj organik. Edhe paaftësia juaj lapidare. Edmond Spaho: Hajde Kryeministër, kalon nga përmbytjet te legalizimet… Edi Rama: Profesor, me ty kam debat intelektual, profesor e ke fituar bukën si akademik, jo si shpifës profesionist dhe jo si bërtitës. Taulant Balla: O nënkryetari i Kuvendit, ulu aty… Edi Rama: Ju vjen keq kur ne ju përmendim si i latë rezervat e shtetit për emergjencat. Nuk latë kokërr orizi, nuk latë kokërr fasuleje dhe me gjithë ato fasule që keni ngrënë në mes të vapës, -­ se ishte fushata elektorale dhe emergjenca e vetme ishte si t’i shpëtonit humbjes, – kush e di ç’kanë ndier ata që ju vinin mbrapa… Sali Berisha: Tre persona të cilët flisnin më shumë në botë dhe ky vjen i katërti, u nisa nga Miloti e erdha në Tiranë dhe vazhdoi gjysmë ore fjalimi. Tre persona mbanin fjalime të tilla;; Çavez, Kolonel Gedafi dhe Fidel Kastro e kanë pësuar shumë rëndë nga fjalimet e stërzgjatura. Të këtë respekt për Parlamentin… Edi Rama: I riu vajti në Shtyllas ku s’kishte përmbytje, ky i vjetri në Milot. Edhe në Milot s’ka pasë përmbytje, hajde merre vesh ç’lidhje kanë këta me problemet e njerëzve. Sali Berisha: Këtu para meje dëgjuat një ligjëratë prej 1 orë e 45 minutash, të atij që tani në popull po e thërrasin rëndom “halla” e “njeriu me top” apo “hallë Esmaja”, që niste dhe s’i pushonte goja pa ditur se çfarë thoshte…
*** Sali Berisha: Atëherë çfarë ishte tritoli në zarf? Tritoli në zarf ishte pikërisht për t’i thënë se guxuat të na prekni aty ku na kishit dhënë garanci. Në fakt, ata i preku Prokuroria e Krimeve të Rënda, sepse Policia i kishte në patronazh të plotë. E dyta, ishte mesazh për të thënë se mirë ne na arrestuat, por janë nja 13 të paarrestuar, ndaj mos guxoni t’i prekni… Tom Doshi: Edhe këtë e bënë gjermanët, s’bëri gjë Prokuroria! Sali Berisha: Pra, çfarë u ndodhi me Vilunin? Këtu, në këtë sallë, i jam drejtuar këtij që nuk dua t’i drejtohem, por prapë është ministër, dhe unë s’mund të them kurrë që krimi të godasë një ministër, por mos u bëj zëdhënës i një bande kundër një bande tjetër. Bandat një fytyrë kanë. Bandat një destinacion duhet të kenë. Ai është ligji. Por ju u tregoni ligjin qytetarëve të thjeshtë dhe mirë bëni, s’jam kundër, por që arrestoni pa motiv dhe që keni arrestuar apo ndaluar 38.000 qytetarë. Nuk e besojnë njerëzit, por është statistikë e Policisë kjo që them unë, jo e imja. Saimir Tahiri: Je mashtrues, po mashtron… Sali Berisha: Sot vendimin e merr krimi në Shqipëri. Sali Berisha-­Tom Doshit: Ti e di shumë mirë që vendimin e merr krimi. E provuan, desh të… E ka marrë vesh gjithë Tirana, se e mohon ti është tjetër gjë… Si e mbylle gojën kështu për këtë (Saimir Tahirin) ti? Nga ultimatumi i Shullazit e mbylle gojën, këtë e dinë të gjithë. Tom Doshi: Nuk ma mbyll gojën njeri mua. Sali Berisha: Lëri ato! Dakord, dakord. Tom Doshi: Je i zoti ti? Do bashkëpunosh?!… Sali Berisha: Po shkojmë drejt një gremine të paimagjinueshme si shoqëri. Ndihem jashtëzakonisht jo mirë kur çdo ditë partnerë të huaj më thonë: “Si është e mundur?!” “Çfarë ndodh?!” Këto janë realitete. Shkoni arrestoni bandat. Ju bëni luftë me njëri-­ tjetrin. Arrestoni për të dytën herë Shpëtim Gjikën. Pse kujtoni ju se më dhimbset mua Shpëtim Gjika? Kurrë s’më dhimbset, por ka një rregull. Ti e arrestove, i rendite të gjitha akuzat. Ore tjetrit mund t’i hapësh dhjetë çështje, nuk jam kundër, por mos përsërit të njëjtën praktikë të shëmtuar dhe shkon pastaj ta arrestosh. Absolutisht luftë brenda jush është.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat