Vokshi: Shëndetësinë e lamë me probleme, ndaj jemi në opozitë

Shqipëria

Vokshi: Shëndetësinë e lamë me probleme, ndaj jemi në opozitë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 15:16

Deputetja demokrate, Albana Vokshi deklaroi se, shëndetësia është lënë me probleme nga Partia Demokratike, në kohën e qeverisjes së saj, gjë që shpjegon edhe faktin që sot PD është në opozitë dhe jo në pushtet.

Deklarata u krye gjatë mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, i cili u përfshi në debate të forta politike sa i përket situatës në spitalet e vendit. Deputetët e opozitës në komision folën për mungesë të vëmendjes së qeverisë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor, pretendime të cilat u hodhën poshtë nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili evidentoi disa nga projektet që po ndërmerren për këtë sistem.

Vokshi tha se kritikat dhe kërkesat për ministrin Beqaj nuk kanë si funksion të përbaltin askënd, por janë në funksion të përmirësimit të punës:

“Ne s’po mundohemi të përbaltim askënd. Këto janë kritika në fuksion të përmirësimit të punës. Ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë llogari ministrit për premtimet e bujshme elektorale. Duhen më shumë fonde për sektorin e shëndetësisë. Edhe ne e lamë me probleme prandaj jemi në opozitë sot, për shkak të gabimeve tona”, deklaroi Vokshi.

Po ashtu në komision u debatua edhe rreth projektit për sterilizmin në shërbimin kirurgjikal, për të cilin ministri Beqaj tha se dokumentet e asaj gare janë publike. Mazhoranca dhe opozita miratuan unanimisht marrëveshjen me BERZH-in, për financimin e reformimit të qendrës spitalore në Tiranë , në fazën e dytë të tij. Ky projekt kap një vlerë prej 15 milionë e 900 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat