Bashkia e Fierit dhe Janinës, marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha

Shqipëria

Bashkia e Fierit dhe Janinës, marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha

Më: 2 mars 2015 Në ora: 11:39

Bashkia e Fierit dhe e Janinës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha si turizmi, tregtia, kultura, sporti, dhe trashëgimia natyrore, kulturore e historike.

Në marrëveshjen e nënshkruar në qytetin e Fierit, përveç kryebashkiakëve Baftjar Zeqaj dhe Thomas Bengas, ishte edhe
Drejtori i Përgjithshëm i Marrëdhënieve të Mesdheut për Turizmin, Kulturën dhe Programet Europiane në rajonin e Pulias, Bernardo Notarangelo.

Kjo marrëveshje përfshin një bashkëpunim të përhershëm mes dy bashkive, në interes reciprok të zhvillimit dhe progresit.
Në bazë të marrëveshjes palët morën detyrimin, që në bazat e respektit të ndërsjelltë të vendosin marrëdhënie të përherëshme të bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim zhvillimin e territoreve të tyre, të shkëmbejnë ide lidhur me realizimin e projekteve me interes të përbashkët në fushën e ekonomisë, kulturës, turizmit, sportit dhe mbrojtjes së trashëgimnisë natyrore, kulturore e historike.

Palët marrin detyrimin e përbashkët që të japin kontributin e vet për zhvillimin dhe forcimin e qeverisjes lokale dhe bashkëpunimit të tyre reciprokë. Të krijojnë dhe zhvillojnë më tej marrëdhëniet e gjithanëshme, që do të vijnë si rrjedhojë e bashkëpunimit të suksesshëm të qytetarëve dhe komuniteteve respektive.

Palet bien dakord që të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar dhe të bashkojnë forcat në lidhje me aplikime të përbashkëta në Programet e ardhshme europiane 2014-2020, jo vetëm ato ndërkufitare, por edhe të tjera pa përjashtim, duke njohur e ruajtur një bashkëpunim të privilegjuar e prioritar, si dhe duke realizuar me vullnet të lirë një memorandum bashkëpunimi në lidhje me këto programe.

Palët ranë dakord në parim, për të realizuar në një fazë të dytë, një dokument bashkëpunimi binjakëzues, që i lidh këto dy qytete edhe në programe europiane binjakëzimi.

Me qëllim të bashkëpunimit më efikas, palët do të organizojnë takime të përbashkëta, seminare, panaire, shkëmbime eksperiencash më të mira të biznesit, manifestime kulturoro-sportive, si dhe vizita të ndërsjellta, së paku një herë në vit, respektivisht në bashkinë e Fierit dhe në bashkinë e Janinës, si dhe të përgatisin programe të përbashkëta aktivitetesh, me qëllim nxitjen e vlerave të demokracisë, barazisë dhe pushtetit të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat