Meta: Nuk kemi ende një marrëveshje me PS-në

Shqipëria

Meta: Nuk kemi ende një marrëveshje me PS-në

Më: 2 mars 2015 Në ora: 11:37

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i LSI-së, tha të hënën se nuk ka ende një marrëveshje me Partinë Socialiste për kandidaturat për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Ai pohoi vazhdimin e negociatave me aleatin e saj në koalicion, ndërsa hodhi poshtë emrat e përfolur në media për kryetar në disa bashki kryesore në vend.

“Media gëzon të gjitha liritë për të hamendësuar, por mund t’ju them se nuk kemi ende një marrëveshje, jo për ndarjen e zonave pasi nuk ekziston ky koncept, por për mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar të bashkive. Ky është një proces i hapur dhe mjaft konstruktiv dhe do na duhet të presim dhe pak kohë”, iu përgjigj Meta interesimit të gazetarëve.

I pyetur nëse koalicioni i majtë po zhvillon negociata dhe me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kreu i Kuvendit u përgjigj se, “deri tani nuk është në dijeni për diçka të tillë”. Deklaratat e kreut të Kuvendit u bënë pas pjesëmarrjes së tij në seminarin për forcimin e pavarësisë së institucioneve që menaxhojnë zgjedhjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat