Përballja në gjyq, mungon Paloka, Rama: Do jem në çdo seancë

Shqipëria

Përballja në gjyq, mungon Paloka, Rama: Do jem në çdo seancë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 10:22

(E plotësuar) - Sot pritej të shënohej përballja e parë në Gjykatën e Lartë mes kreu të qeverisë, Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Ky i fundit nuk u paraqit, por u përfaqësua nga avkoati i tij mbrojtës, ndërkohë që kryeministri premtoi se do të jetë i pranishëm në çdo seancë.

Përballja e radhës u caktua të mbahet më 9 mars, të hënën e javës tjetër. Shefi i mazhorancës u paraqit sot në Gjykatën e Lartë rreth orës 10:00, në kohën kur ishte parashikuar të mbahej edhe seanca. Padia erdhi pas akuzave të bëra nga Paloka, në adresë të kreut të qeverisë, si person të lidhur me krimin dhe bandat kriminale.

Rama paditi Palokën më 7 janar dhe kërkoi ballafaqimin e Edi Palokës me drejtësinë, lidhur me akuzat e pabaza ndaj qeverisë, të cilat sipas tij dezinformojnë publikun.

Kreu i grupit parlamentar artikuloi akuza publike ndaj kreut të qeverisë për lidhje me krimin, e veçanërisht me Emiljano Shullazin, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare.

Rama: Do paraqitem në çdo seancë, Paloka të provojë akuzat

Pas daljes nga Gjykata e Lartë, në mbyllje të seancës së parë që zgjati vetëm pak minuta, Rama tha për mediat se nuk ka asgjë për t’u pajtuar, duke e konsideruar procesin një domosdoshmëri për publikun, i cili duhet të dijë të vërtetën për kryeministrin e tij.

“Ishte një mundësi për të parë se në çfarë gjendje rrënimi është godina e Gjykatës së Lartë dhe në ç’kushte krejtësisht jashtë çdo imagjinate punon një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit, çka më bën të përsëri atë që kam thënë në krye të herët, por pa e parë nga brenda se, do të bëjmë të mundur që plani për sistemin e gjykatës të shkojë në përfundim dhe Gjykata Kushtetuese dhe e Larta të marrin atë që meritojnë. Ishte seancë pajtimi mes dy personave që janë përballë. Nuk ka asgjë për t’u pajtuar se nuk është personale. Nuk është një akuzë e ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi dhe një tjetri, por kjo është një domosdoshmëri për publikun për të ditur të vërtetën dhe asgjë tjetër veç të vërtetës. Nëse pala që më ka detyruar të drejtohem në dyert e gjykatës do të provojë çfarëdo qoftë nga ato që ka thënë, publiku duhet ta dijë se bëhet fjalë për kryeministrin e Shqipërisë, ashtu si duhet të dijë nëse, pala këto akuza i ka ngritur për të cenuar integritetin e kryeministrit. Është koha t’i jepet fund politikës së shantazhit, politikës së baltës, të denigrimit, talljes së përditshme me opinionin publik. Është koha që gjykatat të marrin rolin e arbitrit të paanshëm dhe të pavarur për t’i shërbyer opinionit publik me shërbimin përballë çdo akuze", deklaroi Rama.

Pyetur se çfarë do të paraqesë si provë në këtë proces, Rama u përgjigj: "Qytetërimi ynë e ka zgjidhur që në kohën e romakëve çështjen e provës, barra e provës i takon atij që akuzon. Do të jem i pranishëm në çdo seancë gjyqësore se, ja detyroj këtë të gjithë opinionit publik shqiptar dhe atyre qytetarëve që turbullohen nga helmi i përditshëm që prodhon bari i SHQUP-it”.

Përfaqësuesi i Palokës: Do i sjellim provat në kohën e duhur

Deputeti demokrat, Edi Paloka, mungoi në seancën e sotme gjyqësore, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës. “Do të paraqesim në kohën e duhur të gjitha provat”, tha pas përfundimit të seancës Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, më konkretisht i Edi Palokës në këtë proces.

Trupa gjyqësore

Tom Ndreca, Relator i Çështjes

Edmond Islamaj

Ardian Nuni

Guxim Zenelaj

Medi Bici

Rama- Paloka përballen për herë të parë në Gjykatën e Lartë

Sot shënohet përballja e parë në Gjykatën e Lartë ndaj kreu të qeverisë, Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Dy politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për shpifje, ndërkohë që lidhur me këtë akuzë kryeministri Rama vendosi ta zgjidhin në rrugë gjyqësore.

Shefi i qeverisë paditi Palokën më 7 janar për shpifje dhe fyerje, pas akuzave në lidhje me bashkëpunimin e Ramës me krimin. Kryeministri kërkoi ballafaqimin e Edi Palokës me drejtësinë lidhur me akuzat e pabaza ndaj qeverisë, të cilat sipas tij dezinformojnë publikun.

Shefi i mazhorancës u paraqit sot në Gjykatën e Lartë rreth orës 10:00, në kohën kur ishte parashikuar të mbahej edhe seanca

Kreu i grupit parlamentar artikuloi akuza publike ndaj kreut të qeverisë për lidhje me krimin, e veçanërisht me Emiljano Shullazin, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat