Policia ndërpret grevën e urisë së studentëve të transferuar

Shqipëria

Policia ndërpret grevën e urisë së studentëve të transferuar

Më: 2 mars 2015 Në ora: 07:38

Policia ndërpreu dje grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, pas kërkesës së Rektoratit për lirimin e menjëhershëm të ambienteve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike. Kjo për shkak se godina, sipas tij, ishte zënë në mënyrë të paligjshme nga studentët e transferuar nga universitete private. Ndërhyrja e policisë u bë rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës, duke liruar ambientet ndërsa shumë nga studentët grevistë u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Një video amatore e filmuar nga studentët që ndodheshin në grevë prej dy ditësh shfaqi ndërhyrjen e efektivëve teksa hapin me forcë derën godinës së Infermierisë. Edhe psë pamjet nuk janë të qarta për shkak të errësirës, duket ndërhyrja e unifomave blu, por në asnjë moment përdorimi i dhunës, siç pretendojnë studentët. Për grevistët, policia ka nisur një procedim penal për veprat penale të organizimit të tubimeve të paligjshme. Studentët janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje në ambientet e policisë, ku edhe kanë dhënë deklarime me shkrim se nuk janë dhunuar nga policia. Por, krejt i kundërt ishte pretendimi i tyre gjatë një deklarate për shtyp.

Ata janë shprehur se gjatë aksionit të policisë për t'i nxjerrë nga greva është ushtruar dhunë. Në rrjetet sociale qarkullojnë video, që sipas studentëve tregojnë se ata janë dhunuar Studenti: “Kanë hyrë me dhunë dhe janë futur dhe na kanë nxjerrë dhunë. Vajzat i kanë kapur për flokësh, djemtë i kanë tërhequr zvarrë. Na kanë futur nëpër makinat e policisë dhe na kanë shoqëruar për në komisariate. Mbrëmë përjetuam situatë terrori ne studentët të cilët nisëm një kauzë të drejtë për atë që na takon”.

Në thelb të kërkesave të këtyre studentëve të ardhur nga universitetet private të mbyllura me vendim qeverie, ishte trajtimi i njëjtë me pjesën tjetër të universitetit publik sa u përket tarifave. Ministria e Arsimit deklaroi dy ditë ma parë se studentët kanë qenë të ndërgjegjshëm për tarifat, për të cilat kanë firmosur vetë kontratat para se të pranoheshin në këtë universitet. Në godinën e Infermierisë ishin ngujuar mbi 50 studentë të cilët theksonin se nuk do të largoheshin deri në përmbushjen e kauzës së tyre..

Këshilli Studentor: Policia ushtroi dhunë

Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës, ka reaguar në lidhje me ndërprerjen e grevës së studentëve të Universitetit të Mjekësisë, mëngjesin e djeshëm, nga ana e policisë. Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Këshilli Studentor akuzoi policinë se përmes dhunës dhe presionit psikologjik ka nxjërrë studentët nga greva, duke shtuar se më pas ato janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në komisariat dhe spitale. Lidhur me këtë situatë, Këshilli Studentor theksoi se studentët do të solidarizohen duke bojkotuar mësimin dhe provimet, deri sa studentëve të Universitetit të Mjekësisë t’u plotësohen kërkesat e tyre. “Ne Këshilli Studentor i UT-së jemi këtu sepse jemi shumë të tronditur me ngjarjet e mbrëmshme. Sot në mëngjes si të gjithë qytetarët kemi parë aktin kriminal të policisë, që në pabesi ndërsa ishin në gjumë, hyjnë duke përdorur presionin psikologjik për të nxjerrë nga greva studentët. Greva e urisë ishte e vetmja mënyrë për të kundërshtuar nga studentët. Ato janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në komisariat dhe spitale, duke ndaluar grevën me dhunë. Për një të drejtë themelore ato u futën në grevën e urisë. Pasi u ndërpreu studimet i detyroi të paguajnë më shumë në universitetet publike. Karta e Bolonjës ka një praktikë, që nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë. Në emër të këshillit studentor, deklarojmë mbështetjen e plotë, dhe theksojmë se studentët do të bojkotojnë në ditët në vijim mësimin dhe provimet deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Ne jemi dhe do të jemi me ta deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.” tha në deklaratën për mediat Këshilli Studentor.

MAS: Nuk tërhiqemi, reforma do të vazhdojë

Ministria e Arsimit do të vazhdojë zbatimin e reformës për Arsimin e Lartë pavarësisht përpjekjeve për të penguar realizimin e saj. Në një reagim të Ministrisë së Arsimit sqarohen arsyet pse sipas kësaj të fundit nuk duhet të kishte nisur greva e studentëve të mjekësisë. Ministria ka sqaruar se që në fillim të vitit arsimor studentët janë informuar jo vetëm për tarifat e studimit që do ti kishin më të larta por edhe për trajtat politike që ka marrë kjo protestë.

“Këta që i qajnë hallin studentëve sot janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura,”- shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Po ashtu Ministria thotë se nuk mund të trajtohen njësoj si studentët që kanë fituar të drejtën e studimit me meritë ashtu edhe ata të cilët u futën në këtë fakultet pa meritë por me anë të një marrëveshjeje. “MAS dhe Qeveria Shqiptare mbeten të vendosur në rrugën e reformës së arsimit në vend dhe nuk do të lejojmë që askush të marrë peng zhvillimin. 170 mijë studentët shqiptarë dhe familjet e tyre, meritojnë një sistem arsimor cilësor. E mbi te gjitha, procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush. As nga partitë politike, as nga ata që përdoren nga partitë politike,” –shkruan Ministria në reagimin e saj.

Këshilli Studentor: Distancohemi nga përfaqësuesit fiktivë

KSUMT nënvizon se mësimi do të vijojë normalisht, ndërsa mbështet debatet e hapura

Përmes një komunikate për shtyp, Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë ka hedhur poshtë deklaratën e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës, ku këta të fundit deklaruan se do të bojkotojnë mësimin dhe provimet në shenjë solidarizimi. Sipas komunikatës për shtyp, KSUMT e cilëson të pavërtetë deklaratën e Këshillit Studentor të UT-së, duke shtuar se deklarata është bërë nga një përfaqësi fiktivë këshillash studentorë. KSUMT nënvizon se mësimi do të vijojë normalisht, pasi sipas këtij këshilli fryma e përrçarjes mes studentëve nuk çon në zgjidhjen e problemit të studentëve që protestojnë për tarifat. “Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës është informuar se studentë, jo të autorizuar, që nuk i përkasin strukturave tona kanë deklaruar se do të bojkotojnë mësimin deri në gjetjen e një zgjidhje për protestuesit. Ne deklarojmë se kjo nuk është e vërtetë dhe se respektojmë protesten e çdo grupimi por duke mos cenuar procesin akademik i cili do të vijojë normalisht prej ditës së hënë. Ne si Këshill Studentor i UMT, distancohemi nga çdo deklaratë nga përfaqësues fiktiv këshillash studentorë të cilat marrin përsipër guximin të flasin në emër të të gjithë Këshillave Studentorë të Universiteteve Publike. Çdokush që nxit akte të tilla duhet të distancohet sa më parë pasi kjo frymë synon përçarjen mes studentëve dhe nuk çon në zgjidhjen e problemit të studentëve që protestojnë për tarifat! Në vazhdim, nxisim dhe mbështesim debatet e hapura për çdo problem të studentëve të transferuar por në mënyrë qytetare dhe pa cenuar liritë dhe të drejtat e askujt”-thuhej në deklaratën e KSUMT-së.

Basha: As Ramiz Alia s'guxoi ndaj studentëve. Rama të largohet

Kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka konsideruar një akt të turpshëm ndërhyrjen e policisë për të ndërprerë grevën e urisë së studentëve. Nga selia e Partisë Demokratike kryetari Basha denoncoi dhunën e policisë, ndërsa e konsideroi veprimin e shefit të mazhorancës një akt që minon bashkëjetesën demokratike në vend. “Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh e duke i dhunuar në qeli. Edi Rama ka vendosur të mos lejojë protestën, mendimin ndryshe. Edi Rama ka vendosur me dhunë të ndalojë vlerën me themelore në demokraci. Kjo është e drejta për të shprehur kundërshtimin me qeverinë. Grevistët nuk janë anëtar të PD-së, janë të rinj që kërkojnë të arsimohen, të mos diskriminohen nga qeveria. Studentëve i është mohuar një e drejtë themelore kushtetuese, pasi qeveria ka vendosur një taksë të papërballueshme ekonomikisht nga ata, i ka mbyllur dyert e shkollës. Prej një viti ata kërkojnë të drejtën e tyre por janë shpërfillur dhe poshtëruar sistematikisht. Në fund vendosën të bëjnë grevë se kërkesa e tyre u refuzua nga qeveria.”, u shpreh lideri i opozitës.

Balla: I padënuari Basha, akuza policisë

Deputeti socialist, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës për dhunën e policisë ndaj studentëve që protestonin në fakultetin e Mjekësisë. Balla ka shkruar në Facebook se Basha është i njëjti person i cili akuzon punonjësit e Policisë së Shtetit në një kohë kur ai është një i akuzuar i padënuar ende për vrasjen e katër shqiptarëve në bulevard. Po ashtu shkruan Balla ky person kërcënon punonjësit e policisë dhe shantazhon prokurorinë kur ai vetë ka përdorur raportet mjekësore false për të mos u pyetur nga prokurorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat