Punëtorët dalin nga studioja, duke mos parë më realizëm socialist në GKA

Shqipëria

Punëtorët dalin nga studioja, duke mos parë më realizëm socialist në GKA

Më: 1 mars 2015 Në ora: 14:27

Në Galerinë Kombëtare të Arteve është çelur ekspozita “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë me realizëm socialist”. Ekspozita është kuruar nga Mihnea Mircan. Në të prezantohen vepra nga Irwin (Slloveni), Armando Lulaj (Shqipëri), Ciprian Mureşan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Holandë) dhe Sarah Vanagt (Belgjikë), si dhe një përzgjedhje ekskluzive veprash nga fondi i GKA-së.

Artan Shabani, drejtor i GKA-së, u shpreh se kjo ekspozitë vjen me një theks të fortë mbi politikën në art. “Galeria Kombëtare e Arteve është një forum që lejon artistët të shprehin idetë e tyre, ashtu si ata e shohin realitetin. Qëndrimet politike të artistëve janë qëndrime të tyre individuale. GKA në këtë rast është një territor asnjanës”, u shpreh mes të tjerash Shabani.

Kuratori i ekspozitës, Mihnea Mircan, përgëzoi Galerinë Kombëtare për të gjithë mbështetjen dhe mundësitë për të realizuar këtë eksperiment provokativ në hapësirat e mrekullueshme, siç i quajti ai, të GKA-së. “Titulli i kësaj ekspozite është frymëzuar nga filmi (dokumentari) i parë i vëllezërve Lumiere, i cili njihet në kinematografi si “Workers Leaving the Lumière Factory”. Në artikulimin e këtij projekti “realizmi “ ka më tepër rëndësi se “socializmi”. Ne nuk jemi përpjekur për të bashkuar këtu një arkiv, apo një metaforë të realizimit socialist, se sa jemi përpjekur të krahasojmë atë mënyrë të të kapurit të realitetit me mënyrën bashkëkohore të fabrikimit të formave të reja politike, të cilat i përgjigjen një regjimi të ri politik”, tha Mircan.

Sipas tij, kjo ekspozitë eksperimenton edhe provokon. “Paralelja e së shkuarës vihet re në punët e artistëve shqiptarë gjatë realizmit socialistë në, pikturë, skulpturë edhe vizatim, të cilat vihen përballë punëve bashkëkohore të artistit nga Venezuela me katër automjete të zeza me motorë të ndezura brenda ambienteve të GKA-së. Ekspozita është për ndotjen e automjetit. Kjo ngrihet mbi dy hipoteza se si diskursi i asaj periudhe nuk mori fund, edhe se si shtysa heroike e diktuar nga pushteti zhduku metaforën. Realizmi socialist në vendet e lindjes nuk ka pas ndryshim”. Sipas kuratorit, ka vlera artistike, edhe pse u ndikuan nga diktatura.”Periudha e realizmit dhe socializmit është shumë e rëndësishme në artin pamor, kryesisht në vendet e Lindjes. Pavarësisht ideologjisë, veprat kanë një vlerë të dukshme artistike, këtë e kam hasur në Fondin e GKA-së, edhe ajo që kam dashur që të prezantojë në këtë ekspozitë është se si realizmi edhe socializmi mund të krahasohen me kapitalizmin. Unë arrij në përfundimin se realizmi socialist nuk triumfoi mbi konvencionin e artistiko-historik”.

Asistent kuratori i ekspozitës, Vinsent Van Gerven Oei u shpreh: “Një vit më parë nuk guxoja të mendoja se ky projekt do të bëhej i mundur, por sot jemi këtu falë punës së mrekullueshme të gjithë stafit të GKA-së, departamentit të Shqiponjave, Fondacionit Prins Claus, Holandë dhe sigurisht kuratorit Mihnea Mircan”. Të pranishëm në GKA ishte edhe artisti Dušan Mandić, pjesë e kolektivit “Irwin”, i cili foli për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 05 Prill 2015.

Mihnea Mircan: Realizmi socialist nuk triumfoi mbi konvencionet artistiko-historike

Realizmi socialist nuk triumfoi mbi konvencionet artistiko-historike, ndërsa makinacionet dhe bashkëfajësitë politike, që e ngritën dhe e mbajtën në jetë mund të thonë diçka në lidhje me (dhe për) artin bashkëkohor në përgjithësi, duke i hequr një vijë korrigjuese deklamacioneve të tij, për emancipim dhe angazhim. Edhe pse shpesh i braktisur, si naiv brenda diskursit artistik, lidhja mes gjuhës pamore dhe hegjemoneve ekonomike–politike, të theksuara vazhdimisht në realizëm socialist, mbetet fakt edhe sot, pavarësisht pretendimeve të shumta e të vazhdueshme për autonominë e artit; një autonomi që mund të mbahet në këmbë vetëm për shkak të strukturave ekonomike dhe politike që përfitojnë nga imazhi i artit, si autonom. Arti i realizmit socialist nuk qe kurrë në gjendje të asimilonte ndryshimet revolucionare të jetës politike dhe sociale që pritej të paraqiste, e nuk qe në gjendje as të përballonte dallgën e shokut të liberalizimit që i rrafshoi ato. Një art Realist Social “I ardhshëm” është një artikulim i ripërtërirë për lidhjet mes artit dhe politikës, mes pamundësisë për autonominë e artit dhe pamundësisë për pafuqinë e tij. Këtu kemi disa shembuj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat