Zbulohen autorët e tritolit të Tahirit, por jo motivet

Shqipëria

Zbulohen autorët e tritolit të Tahirit, por jo motivet

Më: 1 mars 2015 Në ora: 08:50

Pas zbulimit të autorëve të atentateve terroriste me 10 shkurt në kryeqytet ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prerë 7 mandate arresti, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaron se personat e drejtuar nga Vladimir Gjuta janë autorët e shpërthimeve, por ende mungon një motiv apo pistë konkrete e vendosjes së bombave.

Referuar personave të arrestuar, Artan Didi deklaroi se ata janë me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa, sipas tij, Vladimir Gjuta, 35-vjeçari i shpallur në kërkim, ka qenë nën hetim edhe për tritolin e vendosur pak kohë më parë në Durrës ndaj Ardian Trotës. I ndalur tek atentati i oficerit Alfred Numani, Didi tha se ende nuk ka një provë që lidh të arrestuarit me këtë shpërthim.

Didi sqaroi dhe se si Baftjar Bruka u largua nga Shqipëria dy ditë para operacionit, duke deklaruar se nuk e bllokuan në kufi për të mos dekonspiruar hetimet. Prej 48 orësh Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta rezultojnë personat më të kërkuar nga Shqipëria ku, për kapjen e tyre, është kërkuar dhe ndihma e zyrave të Interpol partnere të Shqipërisë

Sipas Policisë së Shtetit, të arrestuarit dhe ata që jën në kërkim ndërkombëtar akuzohen për aktet e rënda kriminale të datës 10 shkurt 2015, në qytetin e Tiranës, ku në orët e para të mëngjesit u vendos lëndë plasëse eksplozive në vendin e quajtur Rruga “Kongresi i Manastirit” dhe pikërisht në farmacinë e shtetasit B.T., në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7, si dhe në afërsi të Urës Vasil Shanto, tek stacioni autobuzit të unazës dhe për pasojë në dy rastet e para ndodhën shpërthime, ndërsa në të fundit, shpërthimi mbeti në tentativë, për shkaqe të pavarura nga autorët, akte të cilat sollën si pasojë dëmtimin e pronës private dhe cënimin e rëndë të sigurisë publike.

Sipas drejtorit Artan Didi, strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Tiranë arritën në sigurimin e provave të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë. Policia e Shtetit më datën 26 shkurt 2015, ekzekutoi urdhrat e Prokurorit të Krimeve të Rënda, lëshuar më datë 25.02,2015, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për masat e sigurisë “Arrest me burg “ për shtetasit Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, person me precedentë kriminalë, i dënuar në vitin 2010 me 3 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”; Ernest Gjuta, 24 vjeç ,lindur në Kukës e banues në Tiranë; Kamber Bruka, 31 vjeç ,lindur në Kukës e banues në Tiranë dhe Erjon Dule, 33 vjeç , banues në Tiranë.

Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruka dhe Erjon Dule, të dyshuar si 4 nga 7 anëtarët e grupit të strukturuar kriminal me qëllime terroriste do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve me vendim gjykate. Po ashtu gjykatësi Ardit Mustafa ka vendosur që, për shkak të sekretit hetimor, ky proces të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe të ndalohet publikimi i të dhëave në media. Këta shtetas, së bashku me Vladimir Gjutën e Baftjar Brukën akuzohen se më 10 shkurt 2014 vendosën tritolin në biznesin e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të brendshëm dhe bombën e cila nuk shpërtheu në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë vendit ku Bashkim Tahiri parkonte automjetin.

Avokatët mbrojtës kërkuan lirimin në seancë me pretendimin se ska asnjë provë që lidh të arrestuarit me atentatet terroriste, por kjo kërkesë u rrëzua duke lënë në fuqi masën e sigurisë burg pa afat. Një ditë më parë, para gjykatës doli edhe Emirjon Gjuta, i cili, nga hetimet e krimeve të rënda, ka rezultuar se është pronari i celularit “Nokia” të gjetur në bombën e pashpërthyer në rrugën “Muhamet Gjollesha”, aty ku parkonte makinën babai i ministrit Tahiri. Për aktet terroriste të 10 shkurtit Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 7 persona të dyshuar, ku ende në kërkim rezultojnë Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka të konsideruar si personat që planifikuan dhe kryen shpërthimet me tritol. /shekulli/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat