Studentët e Mjekësisë: Nuk e ndalim grevën, kërkojmë trajtim të barabartë

Shqipëria

Studentët e Mjekësisë: Nuk e ndalim grevën, kërkojmë trajtim të barabartë

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 12:57

Pas konfrontimit të një nate me parë më policinë, studentët e Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore vijojnë grevën e tyre në mjediset e Fakultetit.

Një natë më parë, policia u konfrontua me studentët të cilët kërkonin të fusnin në mjediset e brendshme të shkollës krevate, jastëkë dhe dyshekë.

Sot para paradite situata paraqitet më e qetë, me studentët që kanë folur për mediat dhe kanë përsëritur edhe njëherë kërkesën e tyre që të trajtohen njëlloj me studentët e publikut.

Ndërkohë që Universiteti vijon të jetë në mbikëqyrjen e forcave të policisë dhe punonjësve të sigurisë së Universitetit.

Janë rreth 40 studentë të universiteteve private të mbyllura që u transferuan në shtetëror, por tarifa vjetore e shkollës që ata duhet të paguajnë është disa fish më e lartë se studentët që ishin, për të njëjtat programe studimi.

Vetë studentët pranojnë se me kalimin e orëve situata e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet, ndërsa shprehin vendosmërinë për t’i shkuar grevës deri në fund të plotësimit të kërkesave të tyre.

“Gjendja e studentëve po shkon drejt përkeqësimit. U bënë 72 orë që studentët nga një protestë maratonë kaluan në një grevë urie, sepse nuk u mor asnjë masë për ne. Gjendja orë pas ore po përkeqësohet.

Studentët kanë pasur luhatje të tensionit, rënie të elektroliteve. Mbrëmë u bë dhe akti i turpshëm i policisë së shtetit që nuk po na lejonin të merrnim materialet bazë për një grevë urie.

Turp ti vijë policisë së shtetit për mënyrën si u soll ndaj nesh. Na mungon dhe shërbimi shëndetësor. Fatkeqësisht mbrëmë kolegia jonë pësoi një gjendje sinkopale nga lodhja dhe stresi dhe nuk kishte ambulancë që ta çonin në spital.

Zonja. Ministre duhet të hapë sytë dhe të shikojë, mbi të gjitha është nënë dhe prind. Duhet të na japë një rrugëzgjidhje dhe jo të na ofendojë. Nuk jemi klandestinë

Nuk kemi arritur akoma asnjë kompromis. Ne nuk i kemi parë në mënyrë kategorike tarifat e studimit, na është ushtruar presion për tu regjistruar shpejt se do humbisnim studimet.

Ne e dinim se do kishim tarifë më të lartë, por jo 7-8 fish më tepër, rreth 3 milion lekë të vjetra. Ne grevën do ta vzhdojmë deri në fund, këta po tallen me djersën e prindërve tanë”, ka thënë njëri nga protestuesit për “Ora News”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat