Kokëdhima: Ja pse e promovoj legalizimin e kanabisit mjekësor

Shqipëria

Kokëdhima: Ja pse e promovoj legalizimin e kanabisit mjekësor

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 15:11

Deputeti socialist Koço Kokëdhima foli sot për propozimin e tij politik, për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kokëdhima sqaroi se, propozimi i tij nuk ka të bëjë me një plan biznesi, apo zhvillimin e një ekonomie kriminale, por lidhet me një ekonomi të licencuar dhe të mirëkontrolluar nga shteti, një projekt që duhet të kthehet në monopol shtetëror.

Deputeti sqaroi dy arsyet kryesore përse e mbështet legalizimin e kanabisit mjekësor. Arsyeja e parë ka të bëjë me ata pacientë që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve, përmes medikamenteve që burojnë nga kanabisi. E dyta ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë shqiptare, progresi i së cilës do të ndihet me zhvillimin e një industrie farmaceutike që bazohet te kanabisi.

Deklarata e deputetit në lidhje me legalizimin e kanabisit:

Pyetje: E guximshme ideja juaj për ta publikuar idenë e marijuanës. A është gati Shqipëria për ta bërë këtë gjë!

Ne jemi një vend demokratik dhe i diskutojmë në mirëkuptim të plotë të gjitha idetë dhe duhet t’i diskutojmë të gjitha idetë. Qeveria bëri një punë të shkëlqyer për veprimtarinë kriminale që lidhej hashashin, që në përgjithësi ishte një ekonomi në duart e trafikantëve. Kultivuesit përfitonin në mënyrë qesharake.

Unë jam mbështetës i luftës së qeverisë që vendosi kontrollin në të gjithë territorin, u çarmatosën të gjithë ata njërëz, u kthyen në burgje shumë kriminelë që nuk duhet të ishin të lirë. Ishin aksione të mirëpritura nga publiku dhe qytetarët, dhe nga ne si deputetë. Unë e promovoj projektin e kanabisit medicinal për dy funksione:

Së pari, për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve përmes medikamenteve që burojnë nga marijuana. Janë shumë sëmundje që mjekohen nga marijuana, dhjetëra mijë që kanë nevojë të marrin këto trajtime mjekësore.

Së dyti, unë e promovoj një projekt të tillë për eksportet, sepse është një industri farmaceutike në botë që bazohet të kanabisi sativa, është një shans për Shqipërinë, një shans për ekonominë e vendit. Është i shpejtë progresi i kanabisit, ka ekonomi qindra miliardash që zhvillohet sot në botë. Është një ftesë që ne të shfrytëzojmë mundësinë.

Kemi disa rrethana favorizuese, i njohim këto varietete, Shqipëria ka kulturë bujqësore për këto çështje. Deri sa e besoj këtë gjë, nuk kemi ndonjë arsye të dukemi as të guximshëm, do t’i diskutojmë këto ide.

Propozimi im është politik, të shikojmë mundësinë të zhvillojmë këtë projekt, nuk është një plan biznesi. Një gjë për mua është thelbësore, nuk e bëjmë për një ekonomi kriminale, por për një ekonomi të licencuar dhe të kontrolluar nga shteti, një monopol shtetëror në çështjen e kanabisit.

Legjislacioni ynë penal që lidhet me marijuanën është më i ashpri në botë, nuk e di pse ne kemi një legjislacion të ashpër, këtë arsye e di patjetër "Doktori" që e ka ashpërsuar, që jepen dënime njësoj sikur, një që merr disa gram, të kishte marrë kilogramë të tërë me drogëra të forta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat