“Gjithçka e paguaj, spitali më siguron vetëm shtratin”

Shqipëria

“Gjithçka e paguaj, spitali më siguron vetëm shtratin”

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 10:10

Mungesa të barnave në spitale, mungesa të realizimit të analizave dhe ekzaminimeve, si edhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Këto janë ndër problemet kryesore në spitalet publike në vendin tonë. Konstatimin e bën një paciente, e cila aktualisht gjendet në një situatë të vështirë, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe mundësisë për ta përballuar kurimin. Leonora Gjoni, nënë e një fëmijë 7-vjeçar, e ndodhur në një situatë kritike ka zgjedhur, ndoshta si derën e fundit të mundësisë, atë të kryeministrisë, ndihmën për të marrë shërbimet mjekësore falas. Në ndihmë të saj, por edhe në emrin e qindra pacientëve të tjerë, të cilët vuajnë sëmundjen e kancerit, dolën edhe një grup shoqatash, të cilat formuluan 3 kërkesa për kryeministrin Rama. Pacientja Leonora Gjoni u shpreh se: “Para pak muajsh m’u shfaqën disa shqetësime në gjoks. Vendosa të bëj një vizitë, por përgjigjja ishte shokuese. U ekzaminova me kancer në gji. Që nga ajo ditë kanceri dhe varfëria po më marrin shpirtin. Nuk mundem të përballoj shpenzimet e jam zhytur në borxhe deri në fyt”, thekson Nora. Kur e pyesim se çfarë i siguron spitali për mjekimin e saj, ajo përgjigjet shkurt. “Vetëm shtratin, të tjerat pothuajse të gjitha i kam blerë vetë. Edhe sot që po flasim bashkë, bleva doxorubicin dhe cyclophosphamit (medikamentet që kurojnë sëmundjen).

Këto ilaçe duhej t’i kishte spitali, por mjekja më dha recetën për t’i blerë në farmaci se nuk ka. Problemi është se për të realizuar kimioterapinë, më duhen edhe barna të tjera, siç është avastina, e cila është shumë e shtrenjtë. Mjekimi mujor më shkon rreth 150 mijë lekë, por nuk mundem t’i blej të gjitha, mjekët më thonë se nuk ka në spital”, duke i bërë thirrje kryeministrit ta ndihmojë që të marrë shërbimet shëndetësore falas. Nisur nga rasti i Gjonit, por edhe qindra njerëzve, të cilët vuajnë sëmundjen dhe pamundësinë ekonomike për të ndjekur terapinë, shoqatat i kanë drejtuar një letër të hapur Kryeministrit të vendit, Edi Rama, dhe përmes saj sjell në vëmendje disa raste konkrete të pacientëve që, edhe pse vuajnë nga sëmundje të rënda, ankohen se nuk po marrin shërbimin e nevojshëm, sepse ka mangësi me medikamente, analiza dhe ndërhyrjet kirugjikale. “I kërkoj Kryeministrit të vërë dorën në zemër”, u shpreh Leonora Gjoni, një nënë e diagnostikuar me kancer gjiri. “Kam shkuar në spital ku më diagnostikuan dhe më thanë se analizat duhet t’i bëj te privati, pasi QSUT-ja nuk i bën dot”, thotë ajo. Më tej tregon se edhe operacionin është detyruar ta bëjë në privat, për shkak se jeta e saj ishte në rrezik dhe në QSUT ndërhyrjen ia lanë pas shumë muajsh.“Edhe analizat e thjeshta të gjakut i kam bërë në privat. Më thonin që shteti s’i bën dot. Kam paguar 1300 euro për operacionin. Tani bëj kimioterapi. Vetëm një herë më ka ndodhur që spitali ta ketë ilaçin. Këtë ilaç që shikoni dhe që është bazë për kimioterapinë, e kam blerë gjithmonë vetë”, rrëfen Leonora. E papunë dhe me një fëmijë 7 vjeç për të mbajtur, me kushte shumë të vështira ekonomike, ajo kërkon që shteti ta ndihmojë. Pavarësisht premtimit të ministrit Beqaj se në spital ilaçet ndodhen, Leonora thotë se ajo shumicën e ilaçeve i blen vetë dhe se në QSUT mungojnë ilaçet për kimioterapinë.

Kërkesat

Të investigohen administrativisht rastet e pacientëve që janë në listën bashkangjitur kësaj kërkese, dhe të verifikohen shkeljet ligjore dhe procedurale, që janë kryer gjatë trajtimit shëndetësor të tyre brenda qendrave spitalore publike në Shqipëri.“Këta pacientë nuk përbëjnë raste të izoluara, por përkundrazi ata përfaqësojnë atë që shumë pacientë vuajnë çdo ditë nëpër qendrat spitalore publike në Shqipëri”, u shprehën përfaqësuesit e shoqatave, të cilët kërkuan nga Kryeministri Edi Rama t’i informojë për masat e marra nga Qeveria, në drejtim të përmirësimit të gjendjes së qendrave spitalore publike, por në veçanti për rastet e pacientëve që po adresojnë. Në pikën e dytë të kërkesës së tyre ata kërkojnë që kryeministri të kujdeset që Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT të marrin masa për t’u ofruar pacientëve mjekimin e nevojshëm, duke pasur si synim ruajtjen e shëndetit dhe jetës së tyre, ashtu si legjislacioni në fuqi, por edhe parimet etike të betimit të Hipokratit e detyrojnë çdo mjek (në veçanti atë që paguhet nga taksat e qytetarëve). Gjithashtu shoqatat kërkojnë që të mundësohet një takim ku të dëgjoni nga afër eksperiencat e jetuara nga shumë prej pacientëve, jeta e të cilëve rrezikohet çdo ditë nga mosdhënia e ndihmës së nevojshme apo trajtimi i pakujdesshëm nëpër qendrat spitalore publike.

Bari gjendet në spital

Lidhur me shqetësimin e Leonora Gjonit, për mungesën e barit, ministri i Shëndetësisë deklaroi nga foltorja e Kuvendit, se pas verifikimeve, rezultoi se bari gjendet në spital. “Të paktën nga verifikimi që kryem, edhe bari që normalisht me të drejtë u kërkua nga qytetari para Kryeministrisë, është në spital. Sigurisht, që ka nevojë për investime. Por, pajisjet mjekësore, edhe kur prishen, rregullohen pas 2 ditësh, nuk rrinë më me muaj, që njerëzit të pilotohen në klinikat private. Ne u angazhuam që nuk do të pranojmë barna më të shtrenjta se në vendet e origjinës. Sigurisht, miratuam Ligjin e ri të barnave në datën 31 korrik, vendimet e Qeverisë në vijim. Është e njohur se jo vetëm në Shqipëri, barnat kanë një regjim çmimi të rregulluar, çka do të thotë se çdo vit prodhuesit negociojnë me autoritetet e vendit përkatës, në rastin konkret me Ministrinë e Shëndetësisë, për çmimet me të cilat vitin e ardhshëm do t’i vendosin barnat në treg, aplikohen marzhe që caktohen po nga Qeveria dhe barnat janë në treg. E kishit 70%, nuk e bëtë, aty ishte ligji. Ne u angazhuam dhe po e bëjmë gradualisht dhe ja ku janë rezultatet. Para 2 javësh unë u paraqita ilustrime grafike. Dikush nga ju nuk donte t’i merrte për bazë”, deklaroi Beqaj.

Kanceri, 7000 raste të reja u diagnostikuan në vitin 2014

Spitali onkologjik, në qendrën spitalore “Nënë Tereza” pret çdo ditë me dhjetëra pacientë, të cilët diagnostikohen për sëmundjen e kancerit. Radhët në dyert e këtij pavijoni janë të gjata dhe të sëmurët ankohen për orët e pritjes. Familjarët presin të shqetësuar përgjigjet e analizave për të afërmit e tyre. Kjo situatë është e përditshme në këtë pavijon, i cili pret edhe pacientë të ardhur nga rrethet, me rekomandimet e mjekëve përkatës. Pacientja nga Berati, R.S., thotë se është e katërta herë që vjen për të bërë analizat në këtë pavijon, pasi ka konstatuar praninë e disa gjëndrave në trupin e saj dhe ende nuk ka mundur të marrë një përgjigje për gjendjen shëndetësore. “Herën e fundit që kam ardhur kam pritur nga ora 8 të mëngjesit, deri në 5 pasdite dhe nuk munda të hyj për të bërë analizat. Këtu nuk përgjigjet njeri. Shkoj sa nga një spital te tjetri dhe më nxjerrin probleme. Unë nuk llogaris fare shpenzimet e rrugës, por dua të di se çfarë kam”, tregon gruaja. Shembuj të tillë, sigurisht janë për të ardhur keq, sidomos kur i dëgjon prej tyre.

Por ka dhe mjaft familjarë e të afërm, të cilët rrinë të përhumbur dhe nuk mund të shprehin asnjë fjalë përveçse ankthit që bartin brenda tyre. Duhet thënë se fushata e tetorit të vitit të kaluar për sensibilizimin e grave ndaj luftës kundër kancerit të gjirit ka qenë shumë e fortë, krahasuar me vitet e kaluara. Ishte një fushatë, e cila zgjati deri në muajin nëntor dhe arriti që shumë femra të kryenin ekzaminimet. Dhe është pikërisht mungesa e një kulture që është krijuar apo mënyrës se reagojnë shqiptarët për shërbime të tilla, të cilat pranohen gjerësisht nga mjekët dhe politika. Një konstatim dhe apel njëkohësisht, e ka bërë dhe shefi i Onkologjikut pranë QSUT-së, Agim Sallaku, para pak kohësh, teksa ka raportuar të dhënat në Kuvend. “Sipas të dhënave ndërkombëtare të Institutit për Kancerin në Lion ne llogaritemi në rreth 7000 raste të reja me kancer në vit, llogarisni se një e treta praktikisht i përket Tiranës.

Në regjistrin ndërspitalor ne shkojmë në nivelet e 4500-5000 rasteve, pra ka një disnivel të rëndësishëm dhe pikërisht regjistri i kancerit do të bëjë që të japi numrin e saktë të njerëzve që sëmuren çdo vit. Gratë dhe nënat shqiptare, ende nuk e kanë kulturën shëndetësore që t’i drejtohen mjekut për çdo problem shëndetësor që kanë, ndërsa në rastin konkret, ekzaminimet janë në fazë minimale. Kujdesi për të kapur që në fazat fillestare kancerin e gjirit është i ulët dhe kjo për disa arsye, kryesorja nga të cilat duket se është jo mungesa e informacionit, por zbatueshmëria e saj nga gratë shqiptare. Gratë duhet të kuptojnë fare qartë se sot nuk është më frika të shkohet te mjeku që mos më zbulojë një sëmundje të keqe, duhet të shkojnë sa më herët të jetë e mundur, për çdo problem që ata kuptojnë në trupin e tyre sepse kjo është baras me shpëtim jete”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat