Deputetët dhe krerët e degëve të PD-së drejt bashkive

Shqipëria

Deputetët dhe krerët e degëve të PD-së drejt bashkive

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 07:50

Në disa prej bashkive kryesore të vendit, demokratët po planifikojnë të nxjerrin si kandidatë deputetë të saj dhe disa krerë të degëve në rrethe. Deputetët duhet të lënë mandatin për t’u bërë pjesë e garës për bashkitë. Konfirmimi se deputetët janë të lirë të kandidojnë është bërë nga nën nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, i cili tha se është pro kandidimit të deputetëve, të cilët kanë ndikim të madh të zonat e tyre elektorale. “Zgjedhjet e 21 qershorit zhvillohen me hartën e re elektorale. Krejt normale do të më dukej që edhe deputetët të mund të shprehnin interesimin, edhe kandidatë të tjerë që momentalisht mund të mos jetojnë në ndonjë rreth, por kanë lidhje të fuqishme me atë zonë.

Rrugën e hapur për garën elektorale e kanë edhe kryetarët e degëve”, tha Spaho. Sipas burimeve të PD-së, deputetja Voltana Ademi është një nga emrat e lakuar që ka shprehur dëshirën për të udhëhequr të djathtën në garë për bashkinë e Shkodrës. Ndërsa vetë deputetja Ademi është shprehur se është herët për të diskutuar për emra. Një kandidat tjetër i së djathtës tashmë i propozuar zyrtar isht nga PR-ja është Agron Duka. Lista surprizë e deputetëve demokratë për garën e krerëve të bashkive do të jetë e gjatë, por emrat zyrtarisht do të bëhet e ditur në ditën në vijim. Ndërkohë edhe pse ka katër ditë që në 33 bashki janë përcaktuar drejtuesit e shtabeve dhe organizimi i strukturave ka nisur në bazë, Spaho nuk flet për emra konkretë të kësaj gare nga e djathta.

Në garë dhe krerët e degëve

Deputeti demokrat theksoi se kandidatë potencial për zgjedhjet vendore për 61 bashkitë mund të jenë edhe krerët e degëve, duke hedhur poshtë spekulimin në media se Basha nuk do të lejojë që ata të kandidojnë në zonat e tyre. “Kryetarët e partive në rrethe kanë një mandat politik. Për rrjedhojë, është krejt normale që ata të aspirojnë për të kandiduar”, tha ligjvënësi demokrat. Ndërkohë Spaho ka anashkaluar pyetjen për kandidatin e mundshëm të Tiranës. “Nuk dua të ndalem në emra të përveçëm pasi ka mjaft kapacitete në PD që mund të drejtojnë bashkinë e Tiranës. Do ta diskutojmë në struktura këtë çështje dhe do të shprehë opinionin e tij edhe zoti Basha”, tha ai.

Më tej deputeti i djathtë tha se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave në të gjithë rrethet po vazhdon. “Në fundjavë ose në ditët e para të javës së ardhshme do të zhvillohen mbledhje, ku do të përcaktohen kalendarët dhe menjëherë do të fillojnë të zyrtarizohen kandidaturat. Kryesia e çdo dege që do të drejtojë kalendarin, do të mblidhet nga kandidati i shtabit”, shpjegoi nënkryetari i PDsë. Demokratët pohojnë se përplasja më e fortë do të jetë në kryeqytet, për të cilën do të luftojnë në 21 qershor. Strukturat e PD-së do të vendosin për Tiranën por pritshmëritë janë që kryebashkiaku aktual i Tiranës Lulzim Basha të mos kandidojë për kryeqytetin.

Rrethet nisin procesin

Partia Demokratike tashmë është futur në fazën më të nxehtë të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve që do të konkurrojnë në zgjedhjet vendore. Strukturat e PD-së në rrethe pas marrjes së urdhrit nga kreu demokrat Lulzim Basha për kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë, kanë nisur të bëjnë propozimet e para në degën e tyre. Ashtu siç e parashikon statusi dhe udhëzimi i ri, të gjitha qarqet do të propozojnë emrat gjatë këtyre ditëve, të cilët do t’i dorëzohen strukturave dhe në fund do të bëhet përzgjedhja e kandidatit që do të përballet me rivalin e së majtës me 21 qershor. Lista e propozuar nga seksionet dhe degët do të analizohet dhe nga kryesia, e cila në bazë të statutit të saj ka të drejtë të bëjë ndryshimet përfundimtare të kandidatëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat