Koka: Nuk do iu falim asnjë litër uji shteteve fqinje

Shqipëria

Koka: Nuk do iu falim asnjë litër uji shteteve fqinje

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 22:42

Ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Lefter Koka i është përgjigjur sot nga foltorja e Kuvendit shqetësimit të qytetarëve shqiptarë për çështjen e devijimit të lumenjve, Vjosë, Bunë e Radika.

Lefter Koka ka garantuar shqiptarët se Qeveria nuk do të lejojnë që shtetet fqinje të marrin qoftë edhe një litër uji nga lumenjtë dhe liqenet e Shqipërisë.

Sipas tij, gjithçka dhe çdo projekt që ka Maqedonia apo Greqia do të zbatohet sipas konventave ndërkombëtare të menaxhimit të ujërave.

Koka: Shteti maqedonas nuk ka marrë vendimin dhe vlerësimin e shtetit shqiptar

"Në flagrancë të plotë dhe shkelje me ligjin dhe konventat shteti maqedonas nuk ka marrë vendimin dhe vlerësimin e shtetit shqiptar. Sot ne kemi kërkuar që pasi të përfundojë studimi i fizibilitetit, këtu dua të falenderoj dhe ministrin e Jashtëm për marrëdhëniet shumë intensive që ka pasur shteti maqedonas, i kemi kthyer përgjigje, për ti thënë që në respekt të konventave ne duhet të jemi pjesë e vlerësimit dhe të ndikimit në mjedis; dhe sigurisht qoftë ky projekt i financuar nga Banka Botërore, nuk mendoj kurrsesi që mund të jetë pjesë e manipulimit të saj për ta implementuar këtë projekt. E njëjta gjë ndodh edhe sa i përket Prespës, tashmë nuk është më Bnaka Botërore financues është një kompani private të cilët kanë të njëjtin qëllim për të devijuar një pjesë të Vjosës", tha Koka.

Më tej Koka garantoi qytetarët dhe deputetët e opozitës se shteti shqiptar do të mbrojë ujërat shqiptare dhe nuk do të fal asnjë litër ujë, pavarësisht projekteve për të cilat flitet.

Koka: Kjo qeveri është e vendosur për të mos falur asnjë litër ujë

"Sigurisht nga shteti shqiptar jemi angazhuar në kohën e duhur edhe në rastin në fjalë që në projekt-ide shtet fqinje ndërkufitarë, duhet të jenë pjesë e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Një gjë është e qartë dhe për këtë garantojmë të gjithë deputetët dhe të gjithë shqiptarët që kjo qeveri është e vendosur për të mos falur një litër ujë, jo me dete; liqene e lumenj. Janë të gjitha konventat që na e garantojmë këtë, janë gjykatat ndërkombëtare që e garantojnë, dhe ne këtu jemi pikërisht gardianë për të respektuar këto konventa e aq më shumë kur bëhet fjalë për raportet ndërkufitare, " tha më tej ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Këto shpjegime u dhanë nga ministri pasi deputetë të opozitës kërkuan shpjegime për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj këtyre planeve për ndërtime hidrike, që mbështeten mbi devijimin e lumenjve, që përshkojnë edhe Shqipërinë.

Dy ditë më parë, shoqëria civile protestoi para Ministrisë së Jashtme, pas informimit për mundësinë e devijimit të një sasie të konsiderueshme të ujit të lumit Vjosa.

Megjithëse si çështje daton në sirtarët e politikës prej korrikut të viti 2013, publiku ditët e fundit është njohur me këtë projekt, të cilin shoqëria civile e cilëson si grabitqar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat