Rama-Meta negociata të ethshme/ LSI kërkon edhe Gjirokastrën e Fierin, përveç Pogradecit, Lezhës e Beratit

Shqipëria

Rama-Meta negociata të ethshme/ LSI kërkon edhe Gjirokastrën e Fierin, përveç Pogradecit, Lezhës e Beratit

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 21:21

Koalicioni qeverisës përfshihet nga ethet elektorale të lokaleve të 21 Qershorit. Takimi i përjavshëm i të mërkurës Rama-Meta ka shërbyer thjesht për të ndërtuar platformën e ndarjes së bashkive ku do të garojnë kandidatët e PS dhe LSI-së.


Një burim pranë negociatave i tha Top-Channel se për momentin është duke u diskutuar për 12 bashkitë kryesore në 12 qarqet e vëndit që njihen si bashki të nivelit të parë. Vetën atëherë kur të jetë arritur marrëveshja për këto 12 bashki palët do të diskutojnë emrat e kandidatëve.


Mësohet se Rama i ka propozuar Metës që LSI të marrë 3 bashki dhe PS 9, por Meta nuk e ka pranuar këtë formulë. Negociatat kanë vijuar edhe paraditen e të enjtes në kafen e Kuvendit, ku Rama dhe Meta kanë bashkëbisduar për më shumë se 30 minuta përpara nisjes së seancës plenare.


Burime nga Kuvendi pohojnë se Meta ka kërkuar në këtë takim që LSI të ketë bashkitë e Pogradecit, Fierit, Beratit, Lezhës madje edhe Gjirokastrën.


Kërkesat e LSI-së për Fierin dhe Gjirokastrën e kanë komplikuar ekuacionin e mbërritjes drejt një marrëveshje.


E ndërkohë që aleatët po negociojnë për bashkitë në selinë e LSI grupi i punës është duke punuar për kandidatët. Emrat që qarkullojnë në LSI për kandidatë në Bashkinë Berat është Gledion Rahovica, aktualisht deputet, Robert Bitri në Fier, Viktor Tushe në Lezhë, ndërsa për Gjirokastrën Vangjel Tavo.


Paralelisht janë duke u kryer negociata edhe me atë që mund të quhet ‘martesa’ më e re politike në vend PDIU-në e Shpëtim Idrizit i cili ka ambicie për të parë Bashkitë e Konispolit, Patosit dhe të vijuar së drejtuari atë të Librazhdit.


Por nëse mazhoranca do të arrijë një marrëveshje me PDIU-në atëherë do të shkohet drejt një marrëveshje politike e cila vlen për t’u parë nëse do të jetë edhe më e gjerë se sa zgjedhjet lokale.


Gjithsesi java e ardhshme do të jetë vendimtare për koalicionin qeverisës në ndarjen e zonave se ku do të kenë kandidatët e tyre.


Burime pranë negociatave shprehen se mazhoranca synon ta ketë përfunduar këtë proces dhe të njoftojë kandidatët e saj më 5 Mars./TCH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat