Përmbytjet në vend -Tahiri: Janë evakuuar 210 familje, Basha jashtë realitetit

Shqipëria

Përmbytjet në vend -Tahiri: Janë evakuuar 210 familje, Basha jashtë realitetit

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 21:30

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Florion Serjani reagoi të dielën ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike për mos ngritjen e Shtabeve të Emergjencës nga qeveria për menaxhimin e përmbytjeve në vend.

“Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri shpreh keqardhjen për shkëputjen e plotë të kryetarit të opozites nga realiteti. Thirrja e tij për ngritjen e një shtabi emergjence është thirrje e dikujt që e ndjek jetën e vendit nga jashtë realitetit dhe mesa duket as nga televizori. Sepse, që prej ditës së djeshme mediat kanë informuar në vijimësi për masat e marra nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga rreshjet”, tha Serjani.
Ai i bëri të ditur z. Basha se prej 3 ditësh janë ngritur dhe funksionojnë shtabet e emergjencave civile në çdo qark.

Që në datë 29 janar, vijoi Serjani, janë njoftuar autoritetet e qeverisjes vendore se sipas parashikimeve do të kishte rreshje të dendura dhe rrezik për përmbytjeje veçanërisht në qarqet Gjirokastër, Fier, Vlorë dhe Berat. Sipas tij, janë vënë në gadishmëri të gjitha kapacitet njerëzore dhe teknike të emergencave civile, të bordeve të kullimit, autoritetit rrugor, njësive të qeverisjes vendore.

“Janë vënë në gadishmëri të gjitha trukturat e Policisë, Ushtrisë dhe Shërbimit Zjarrfikës. Janë vënë në funksionim mjetet e emergjencave civile, fadroma, borëpastruese dhe motobarkat, me të cilat po operohet për evakuimin e popullatës në komunat e Levanit dhe Frakullës në Fier dhe Novoselës në Vlorë. Janë kryer sot paradite operacione me helikopter për të shpëtuar pronarët e lokaleve, që nuk ishin larguar nga bizneset e tyre dhe ishin bllokuar nga uji i Vjosës në Memaliaj. Aktualisht po evakuohen banorët në të dy krahët e urës së Mifolit, në fshatrat e Novoselës buzë Vjosës”, informoi Serjani.
Deri tani bën të ditur ai, janë evakuuar rreth 90 familje buzë Vjosës, prej të cilave 30 në zonën e Fierit dhe 60 në Vlorë. Po ashtu janë evakuuar edhe 30 familje në Berat.

Sipas Serjanit, Ministri i Brendshëm i shpreh kryetarit të opozitës gatishmërinë e institucionit për t’a informuar në kohë reale lidhur me ecurinë e punës së shtabeve të emergjencës, duke e ftuar njëkohësisht të vetëpërmbahet sepse njerëzve në zonat e përmbytura nuk u bëjnë asnjë punë rreshjet e zakonshme të shpifjeve të Partisë Demokratike./a.gjonaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat