Nishani kërkon zhvillimin e tregtisë me Bullgarinë

Shqipëria

Nishani kërkon zhvillimin e tregtisë me Bullgarinë

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 19:57

Presidenti Bujar Nishani, gjatë qëndrimit në Sofje të Bullgarisë zhvilloi një takim të veçantë me homologun e tij bullgar, Rosen Plevneliev, me të cilin bisedoi mbi bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe atë euroatlantik. Presidenti Nishani theksoi se klima aktuale e bashkëpunimit me Bullgarinë, duhet të shoqërohet edhe me zhvillim të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, pasi ato janë larg atyre politike: “Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht në kushtet aktuale, kur Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe Bullgaria një vend anëtar i saj”.

Presidenti Nishani e siguroi homologun e tij për një vizitë të ardhshme të tij, gjatë së cilës, Nishani do të shoqërohet nga një grup sipërmarrësish shqiptarë, për të nxitur edhe më tej bashkëpunimin ekonomik konkret midis sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre bullgare.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu rolin e Bullgarisë në rajon dhe në Bashkimin Evropian duke shprehur besimin se, me eksperiencën e saj të aderimit në Bashkimit Evropian, ajo mund t’i japë një ndihmesë të vyer, Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Bullgarisë në organizatat rajonale dhe e garantoi homologun e tij bullgar se integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet projekti kryesor dhe i vetëm strategjik i Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat