Për “Stresin” arrestohen 3 policë dhe pezullohen 12 të tjerë

Shqipëria

Për “Stresin” arrestohen 3 policë dhe pezullohen 12 të tjerë

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 13:54

Një ditë pas arratisjes së këngëtarit të njohur me emrin Stresi nga ambientet e komisariatit, 3 efektivë të policisë përfunduan në pranga dhe 12 të tjerë janë pezulluar. Largimi i tij edhe pse jo me rrezikshmëri për shoqërinë, i ka kushtuar vendin e punës të 15 prej efektivëve të policisë. SHKB njofton se policët Saimir Cinga, Bashkim Dybeli dhe Mark Gjonpalaj, u arrestuan pasi përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre bënë të mundur arratisjen e Arkimed Lushajs.

Këngëtari Stresi u hodh dje nga kati i dytë i Komisariatit Nr.3, pasi ishte shoqëruar për drejtim makine pa patentë, ndërkohë që prej ditës së djeshme është në kërkim. Menjëherë pas ngjarjes forcat e policisë nisën hetimet për kapjen e tij, ndërkohë që SHKB shoqëroi 6 efektivë për sqarimin e ngjarjes. Ndërkohë që për të njëjtën çështje bëhet me dije se 12 efektivë të Komisariatit nr.3 janë pezulluar. Mes të pezulluarve është edhe zv/shefi i këtij Komisariati.

“Lidhur me largimin nga ambientet e Policisë Gjyqësore Rrugore në rrugën “Mine Peza”, të shtetasit Arkimed Lusha, janë pezulluar nga detyra 12 punonjës policie për shkelje të detyrës, përfshirë edhe 3 punonjësit e arrestuar”, thuhet në deklaratë.

Deklarat e SHKB-së: Arrestohen 3 policë

Në datë 01.02.2015, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka kryer arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë:

Saimir Cinga, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Ndihmës Specialist për Linjat Interurbane në Njësinë e Qarkullimit Rrugor Tiranë

Bashkim Dybeli, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë.

Mark Gjonpalaj, 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë

Këta punonjës policie me veprimet dhe mos veprimet e tyre, në mospërputhje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë largimin e personit të kapur në flagrancë Arkimed Lushaj, nga ambientet e policisë Gjyqësore Rrugore në rrugën “Mine Peza”. Shtetasi Arkimed Lishaj është shpallur në kërkim policor. Materialet në ngarkim të tre punonjësve të policisë i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Tiranë.

Ja si u arratis "Stresi"

Nga verifikimet e para është mësuar se Lushaj, u hodh nga kati i dytë dhe më pas kaloi në oborr dhe më pas kaloi në derën e oborrit të komisariatit dhe më pas u largua. Ende nuk dihen rrethanat më të sakta të largimit dhe se si ai ka mundur të largohet, por burimet thanë se Lushaj ka qenë i pa prangosur. Kjo pasi 27 vjeçari i njohur për problemet dhe përplasjen e tij me policinë, ka qenë në cilësinë e personit të shoqëruar ndaj të cilit po kryheshin verifikime, pasi ai ishte identifikuar si shkelës i rregullave të qarkullimit dhe ishte marrë nga patrullat e policisë së këtij komisariati. Në kohën që po bëheshin verifikimet ndaj tij nga specialistët e policisë kriminale dhe të rendit në katin e dytë të komisariatit ai ka mundur të përfitojë dhe të largohet.

Ndërkaq pas ngjarjes, mësohet se është mbajtur një raport shërbimi nga hetuesit e komisariatit nr.3, të cilët mësohet se e kanë shpallur personin në kërkim policor ndërsa ndaj tij pritet të nisin edhe hetimet për veprën penale të largimit nga vendi i qëndrimit të të personit të akuzuar. Policia e Tiranës nuk dha ndonjë deklarim lidhur me ngjarjen, por tha se ishte duke hetuar ngjarjen rrethanat e largimit të tij si dhe pozicionin e secilit prej punonjësve të policisë të cilët ndodheshin në katin e dytë në momentin e largimit të Lushës, si dhe ata që e kishin shoqëruar dhe duhej të punonin me të.

Lidhur me arratisjen e këngëtarit nga ambientet e komisariatit ka nisur edhe një hetim nga ana e SHKB, e cila ka shoqëruar 6 efektivëve për sqarimin e ngjarjes. Mësohet se Stresi ka qenë shoqëruar në ambientet e komisariatit numër 3 dje në mbrëmje për shkelje të rregullave të qarkullimit, duke u arratisur sot në mëngjes duke u hedhur nga kati i dytë i komisariatit. Arkimed Lushaj (Stresi ) është djali i Sali Lushajt, njërit prej njerëzve më të besuar të ish-kryeministrit Berisha. Arkimed Lushaj (Stresi) është arrestuar edhe herë të tjera nga ana e policisë, por nuk është dënuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat