Lumenjtë kërcënojnë, nis evakuimi i banorëve në Berat dhe Tepelenë. Gjanica përmbyt shtëpitë. Gjirokastra në terr

Shqipëria

Lumenjtë kërcënojnë, nis evakuimi i banorëve në Berat dhe Tepelenë. Gjanica përmbyt shtëpitë. Gjirokastra në terr

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 09:27

Lumenjtë që kanë dalë nga shtretërit e tyre për shkak të reshjeve të shumta në vend vazhdojnë të përbëjnë kërcënim dhe të shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe prishje të rrjetit elektrik. Pasojat janë duke i vuajtur disa rrethe të vendit. Ja informacionet që vijnë nga vendi orë pas ore dhe minute pas minute.


BERAT – Lumi Vjosë ka përmbytur 30 shtëpi në Urën Vajgurore dhe po kërcënon disa lagje edhe të Beratit, ndaj forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit kanë nisur sot në orën 9:00 të evakuojnë menjëhërë banorët nga shtëpitë e tyre.


VLORE – Fryrja e lumit Vjosë duket se nuk do të mbajë gjatë pa shpërthyer, madje në disa zona ka nisur të derdhet. Prefektura është duke hedhur thasë me rërë atje ku rreziku është më madh. 16 shtëpi në fshatin Novoselë janë nën ujë për shkak të shkak të reshjeve intensive dhe prurjeve. Po ashtu, të bllokuar janë fshatrat Bishan dhe Poro.


MEMALIAJ – Situatë e rënduar paraqitet në Memaliaj, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ka “pushtuar” të gjitha banesat përreth lumit. Në orën 8:25 u njoftua se një person ka mbetur i bllokuar nga uji në lokalin “1 Maji”, Fatos Fernuzi. Për shpëtimin e tij është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve.


TEPELENE – Ora 8:15 Dalja e lumit Vjosë nga shtrati ka krijuar një situatë të rrezikshme në qytetin e Tepelenës. Nënprefekti i Tepelenës ka urdhëru banorët e lagjes “Gurrë” të lënë shtëpitë sepse përmbytja tani mund të ketë pasoja në jetët e tyre, jo vetëm për shtëpitë. Në fshatin Dragot, përmbytja është evidente. Rrugët drejt Përmetit janë të bllokuara.


GJIROKASTER – Gjirokastra është gdhirë sot pa energji elektrike, pasi shiu që nuk ka pushuar gjatë gjithë natës me të njejtin intensitet, ka përmbytur edhe nënstacionin elektrik të qytetit. Në Gjirokastër uji ka vërshuar në shumë lagje dhe në shtëpi, si në Dunavat, Gërhot apo “11 Janari”.


GRAMSH – Në orët e para të ditës së sotme, reshjet e shumta dhe prurjet e lumit Devoll kanë përmbytur urën e Shushicës. Nga përmbytja, aksi Gramsh – Elbasan është bërë i pakalueshëm, shtuar edhe rrëshkitjet masive të dheut. probleme të mëdha hasen edhe në rrugën Gramsh – Kodovjat dhe në komunën Sult. Shembja e parë e dheut në Gramsh u regjistruan të premten, menjëherë pas fillimit të reshjeve të dendura, në aksin Gramsh – Elbasan, në afërsi të fshatit Shelcë.

/bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat