Vjosa del nga shtrati, përmbytje masive në toka bujqësore dhe në disa shtëpi

Shqipëria

Vjosa del nga shtrati, përmbytje masive në toka bujqësore dhe në disa shtëpi

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 08:47

Lumi Vjosë raportohet të ketë dalë nga shtrati rreth orës 01:00 të ditës së diel, duke shkaktuar përmbytje masive kryesisht në toka bujqësore.

Sipas Shtabit të Emergjencës janë përmbytur rreth 300 ha tokë bujqësore në fshatrat Kashisht, Kafaraj, Cerven, Sheq Musalar dhe Ferras.

Dëme janë shkaktuar edhe në ushqimin e bagëtive. Janë përmbytur edhe pajisjet elektroshtëpiake në disa shtëpi të ndërtuara pa leje, shumë pranë shtratit të lumit.

Sipas Prefektit të Fierit, Xhevit Bushi, i cili ka qenë gjatë natës në zonat e përmbytura, Shtabi i Emergjencës ka marrë të gjitha masat për parandalimin e çdo të papriture.

Situata në jug të vendit, kryesisht në Përmet, Tepelenë, Gjirokastër dhe në zonën përreth lumit Vjosa, situata ka qenë e rënduar për shkak të reshjeve, të cilat kanë zgjatur gjatë gjithë ditës së shtunë.

Prej së premtes, në Gjirokastër ka pasur probleme në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor nacional për shkak të ujit në rrugë, ndërsa raportohet se e njëjta situatë është edhe në Përmet e Tepelenë.

Reshjet e shumta në zonën ujëmbledhëse të lumit Vjosa, në Shqipëri e Greqi, kanë rritur në nivele kritike këtë lumë, që në disa pjesë të tij ka dalë nga shtrati.

Shtabi i Emergjencave është në gatishmëri të situatës, ndërsa po mbahen nën kujdes edhe hidrovoret për të evituar grumbullimin e ujrave dhe përmbytjet. Sipas të dhënave, reshjet do të vijojnë edhe për disa ditë, duke bërë që përmbytjet të jenë të paevitueshme.

Rinisin reshjet e dëborës, probleme në akset drejt juglindjes dhe verilindjes

Ndërkohë në juglindje dhe verilindje problem janë bërë reshjet e dëborës. Për këtë arsye, shumë nga akset që të çojnë drejt Korçës apo edhe më tej janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që po mban nën vëzhgim situatën, janë ngritur grupet e punës me shërbime të përforcuara.

Ndërkohë që raportohet se, për shkak të dëborës, ka probleme në akset rrugore Korçë-Qafë Qarr-Voskopojë-Dardhë dhe në pikën e kalimit kufitar të Goricës, akse këto të kalueshme me zinxhirë.

Aksi Bilisht-Kapshticë dhe aksi rrugor Ersekë-Qafë Qarr janë gjithashtu të kalueshëm me zinxhirë, ashtu sikurse dhe aksi Qafë Thanë-Plloçë, ku ndodhet edhe policia, që nuk lejon kalimin e mjeteve të pa pajisura me zinxhirë.

Probleme të ngjashme ka edhe në zonën verilindore të vendit, edhe pse aty reshjet nuk janë të të njëjtit intensitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat