Gruaja e pilotit tregon bisedën e fundit

Shqipëria

Gruaja e pilotit tregon bisedën e fundit

Më: 31 janar 2015 Në ora: 19:06

“Me Sokolin fola të hënën dhe më tha se do kthehej të mërkurën dhe se do të më telefononte sërish por nuk ndodhi. Më kishte thënë se do shkonte në Spanjë për çështje pune, unë nuk e di si është e vërteta”. Bashkëshortja e majorit Sokol Feka i cili humbi jetën dy ditë më parë në Spanjë, tregoi se nuk kishte dijeni për përfshirjen e tij në ndonjë rrjet të trafikut të drogës.

Sokol Feka, 41 vjeç, pilot me gradën major, vdiq të martën në mëngjes, pasi helikopteri me të cilin ai po transportonte afërsisht 1 ton hashash u përplas me një shtyllë dhe u rrëzua në një rajon pranë Malagës në Spanjë. Erjola përpiqet të tregojë diçka rreth bisedës së fundit me bashkëshortin e saj, ndërsa rreth saj qëndrojnë tri gra, të cilët e mbajnë nga krahët për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ajo ndodhet.

“Jam e shokuar. Nuk më besohet që Sokoli nuk është më. Nuk mund ta besoj këtë që ndodhi, unë nuk di asgjë”, tregon 31- vjeçarja me zërin që i dridhet. Piloti ishte nisur më datë 20 janar 2015 drejt Spanjës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes pa leje përkatëse, ndërsa gruas së tij i kishte thënë se do e dërgonte shteti për të rregulluar disa helikopterë të prishur.

“Më tha se do të ikte në Spanjë për çështje pune dhe do të qëndronte rreth një javë. Gjatë kësaj jave më telefononte dhe më tregonte se ishte mirë, ndërsa më pyeste për vajzën. Herën e fundit biseduam të hënën në mëngjes dhe më tha se do të më telefononte sërish, por nuk mori. U shqetësova pasi kisha dy ditë pa folur me të dhe të mërkurën, nuk u kthye, ndërsa të enjten mësuam ngjarjen nga televizionet", tregoi më tej Erjola.

Prej dy ditësh, në shtëpinë ku jeton me qera familja Feka në zonën “Misto Mame” në Tiranë, janë hapur dyert e mortit ndërsa ende nuk dihet se sa do vijojë vaji pa trupin e pajetë të Sokolit. Erjola u shpreh dje se ende nuk kanë marrë njoftim se kur do të kthehet trupi i bashkëshortit të saj. “Zoti e goditi Erjolën shumë rëndë për të dytën herë. Sapo kishte ngritur pak “kokën” për të ecur përpara pas vdekjes së djalit të saj të vetëm, ndërsa tashmë i ndodhi një tjetër gjëmë”, shprehen të afërmit e familjes Feka.

Hetimet

Vdekja e pilotit ushtarak Sokol Feka gjatë transportimit helikopter të rreth1 ton hashash në provincën e Malagës ka vënë në lëvizje një sërë institucionet në Shqipëri dhe në Spanjë. SHIU, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme janë duke zhvilluar hetime në lidhje me të kaluarën e Fekës në Shqipëri, ndërsa autoritetet spanjolle po vijojnë hetimet për të zbuluar rrjetin e trafikut të hashashit. Autoritetet spanjolle kanë kërkuar informacione shtesë nga homologët e tyre në Shqipëri në lidhje me pilotin shqiptar, major Sokol Feka.

Hetuesit kërkojnë gjetjen e rekrutuesit të pilotit 41-vjeçar. Dyshimet e para bien mbi kunatin e tij. i cili rezulton i dënuar dy herë për trafik ndërkombëtar droge. Një prej dënimeve e ka marrë në Zvicër dhe një tjetër në Italisë, ndërsa aktualisht ndodhet në burg duke vuajtur dënimin. Policia nuk bën të ditur identitetin e kunatit të Fekës, pasi çështja është ende nën hetim. Megjithatë nuk përjashtohet edhe pista e rekrutimit të pilotit nga persona të tjerë me të cilët ai është njohur jashtë vendit teksa ndodhej me specializim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes majori është dërguar disa herë për trajnime në vende të ndryshme. Vetëm gjatë periudhës qershor- dhjetor ai ka udhëtuar tre herë jashtë shtetit i dërguar nga Forcat e Armatosura për specializim. Dalja e parë e feks daton më 15 qershor 2014, nga aeroporti i Rinasit drejt Romës për t’u kthyer më 23 korrik nga Roma në Tiranë. Në daljen e dytë ai ka përdorur sërish të njëjtin itinerar, nga data 21 shtator deri më 30 shtator. Më 16 nëntor 2014, piloti ka dalë sërish nga Shqipëria me destinacion Mynihun ndërsa është kthyer më 20 dhjetor nga Roma.

Ndërkohë që udhëtimi i tij i fundit është kryer më datë 20 janar pa leje nga Ministria e Mbrojtjes. Ai ka udhëtuar drejt Spanjës një javë pasi kishte marrë lejen e zakonshme dhe kishte planifikuar të kthehej prej andej tri ditë para se të riniste punën më datë 31 janar. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë për gazetën se nga verifikimet e kryera nuk rezulton që Feka të ketë udhëtuar herë të tjera jashtë vendit pa leje, ndërsa nuk ka pasur asnjëherë dyshime se ai ishte i përfshirë në ndonjë rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kështu ky dikaster dyshon se ky udhëtim është i pari për Fekën ku dhe humbi jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat