Konstituohet komisioni për serverin e tatimeve, PS: Vështirë të hetohet

Shqipëria

Konstituohet komisioni për serverin e tatimeve, PS: Vështirë të hetohet

Më: 31 janar 2015 Në ora: 12:58

komisioni-hetimorKomisioni Hetimor ka nisur dje punën për hetimin parlamentar mbi skandalin me serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku në muajin nëntor të vitit 2013 u konstatua zhdukja e rreth 4.3 milion të dhënave tatimore. Zbardhjen e ngjarjes, deputeti socialist Blendi Klosi e konsideroi të veçantë por dhe vështirë për t’u zbuluar. Hetimi parlamentar u krijua pasi opozita konsideroi skandal ndërhyrjen në serverin e tatimeve, me pasojë zhdukjen e të dhënave. Përfaqësuesi demokrat Arben Ristani, i cili drejton këtë komision, në mbledhjen e parë të mbajtur dje propozoi miratimin e rregullores, por përfaqësuesi i të majtës Blendi Klosi tha se rregullorja duhet të diskutohet në mbledhjen e dytë, që është përcaktuar ditën e martë në orën 12:00.

Diskutimi

Në diskutimin e mëtejshëm deputeti Ristani tha se komisioni duhet të fillojë hetimin për zbardhjen e ngjarjes për të ndihmuar prokurorinë. “Qëllimi i komisionit është mbledhja e të dhënave për serverin tatimor i cili ka qenë jashtë funksionit për disa ditë. Pas gjetjeve do të kemi një raport për prokurorinë”, tha Ristani. Nga ana tjetër deputeti socialist edhe pse tha se ky komision do të gëzojë mbështetjen e të majtës, ai shprehu rezerva për arritjen e rezultateve nga ky hetim. “Komisioni po ngrihet mbi një histori që është vështirë të hetohet. Partia Socialiste do të mbështesë çdo hetim dhe do të thërrasë cilindo që ka të dhëna”, tha Klosi.

Pasi është bërë konstituimi i Komisionit ku u zgjodh sekretari i komisionit, i cili do të vlerësojë plani paraprak të hetimit, u përcaktuan edhe detyrat që do të kryej secili nga anëtarët. Në mbledhjen e parë që qe konstituive, Blendi Klosi është miratuat si nënkryetar i këtij komisioni, ndërsa ky i fundit ka propozuar deputeten socialiste, Blerina Gjylameti si sekretare të këtij komisioni, kërkesë kjo që është përkrahur nga të gjithë palët. Pjesë e Komisionit Hetimor për serverin e tatimeve nga radhët e së djathtës është Florian Mima, Jorida Tabaku, Helidon Bushati, ndërsa nga e majta krahas Blerina Gjylametit dhe Blendi Klosit anëtar të komisionit janë Vasilika Hysi, Ervin Koçi, Ervin Bushati dhe Përparim Spahiu. Komisioni hetimor për administratën dhe ai i për serverin e tatimeve ishin një nga kërkesat e Partisë Demokratike për të thyer bojkotin parlamentar. Këto dy komisione u miratuan që në fundin e sesionit të kaluar edhe pse opozita kishte bojkotuar parlamentin. Komisioni i ngritur ka për qëllim “kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”.

Partia Demokratike kohë më parë kërkoi zyrtarisht komision hetimor, kërkesë që u rrëzua nga mazhoranca me justifikimin se hetimi kishte nisur nga prokuroria. Skandali thellohet kur në janar të 2014-s, ku në media u dha qartë se shefi i IT-së pranë qeverisë, Ermal Beqiraj dhe deputeti i LSI Spartak Braho, kryetar i komisionit të Sigurisë Kombëtare, kishin hyrë në drejtorinë e Tatimeve. Demokratët dërguan çështjen në Gjykatë Kushtetuese, e cila prillin e vitit të kaluar rrëzoi vendimin e shumicës së majtë për bllokim të hetimit parlamentar. Vendim i cili gjeti zbatim vetëm pas gjashtë muajsh. Mbledhja e ardhshme e komisionit do zhvillohet të martën e ardhshme dhe palët duket të pozicionuar për të mbrojtur tezat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat