Rikthehet moti i keq, probleme me energjinë dhe qarkullimin rrugor

Shqipëria

Rikthehet moti i keq, probleme me energjinë dhe qarkullimin rrugor

Më: 30 janar 2015 Në ora: 23:10

Moti i keq me shira të dendur dhe erëra të forta ka lënë pa energji Tiranën dhe qytete të tjera në vend. Disa zona në kryeqytet kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa në disa të tjera ka pasur probleme me qarkullimin rrugor. Kështu, një pjesë zonës e Laprakës prej gati dy orësh, vuan mungesën e energjisë.

Situatë e ngjashme paraqitet dhe në qytete të tjera, si në Lushnje, ku janë prekur disa lagje të qytetit, ndërsa në Korçë janë prekur kryesisht fshatrat përreth. Ndërsa Durrës situata paraqitet disi më e rënduar, kjo pasi, përveç ndërprerjes së energjisë në disa lagje, ka pasur probleme edhe me qarkullimin në rrugë.

Pezullohet lundrimi i anijeve në portin e Vlorës e Durrësit

Moti i keq ka sjellë ndërprerjen e lundimit të anijeve në portin e Vlorës. E njëjta situatë paraqitet edhe në portin e Durrësit, ku është pezulluar lundrimi i anijeve të peshkimit. Nga ana tjetër, është i lejueshëm lundrimi i anijeve të tonazhit të rëndë.

Në Durrës, forca e detit gjatë pasdites mbërriti në 5.5 ballë dhe shpejtësia e erës ka shkuar deri në 24 metra në sekondë. Ndërkohë burime pranë kapitenerisë së portit të Durrësit bëjnë me dije se nuk ka probleme sa i përket lundrimit te anijeve të tonazhit të rëndë.

Reshjet e shiut që vijojnë të jenë intensive kanë shkaktuar edhe mjaft probleme sa i përket përmbytjeve në zonat periferike te qytetit bregdetar kryesisht në Spitallë dhe zonën e ish-Kënetës.

Problematike sa i përket motit të keq situata është edhe në portin e Vlorës, ku për shkak të erërave të forta është ndërprerë edhe lundrimi i anijeve. Reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë ditës, teksa forca e detit aktualisht mbërrin ne 6.5 ballë dhe shpejtësia e erës shkon në 26 metra në sekondë. Ndërkohë në disa nga lagjet e qytetit bregdetar mungon energjia elektrike për shkak të problemeve në rrjetin e shpërndarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat