Tahiri: Bashkë me qytetarët të luftojmë korrupsionin në polici

Shqipëria

Tahiri: Bashkë me qytetarët të luftojmë korrupsionin në polici

Më: 30 janar 2015 Në ora: 17:10

“Ne besojmë shumë fort që shërbimi cilësor ndaj qytetarëve është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet, besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, duke na bërë gjithë bashkë në gjendje që të luftojmë kriminalitetin, paligjshmërinë dhe informalitetin, në mënyrë maksimale dhe me eficiencë”.

Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga Pogradeci ku u përurua Zyra e Shërbimit Unik për qytetarët. Ministri Tahiri u shpreh se Zyra e Shërbimit Unik garanton një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, por edhe eliminon praktikat abuzimeve dhe korruptive të punonjësve të policisë.

Viti 2015, tha Tahiri, është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por edhe i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit në shërbimin ndaj qytetarëve.

“Zyrat e shërbimit qytetar janë një prioritet yni për të garantuar shërbime cilësore ndaj qytetarëve. Kjo nuk është e vetmja, gjatë vitit 2014 kemi hapur një sërë zyrash të tilla në disa qytete të Shqipërisë, por ne do të vijojmë me modernizimin teknologjik, me modernizimin infrastrukturor dhe me modernizimin e shërbimeve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve, si e vetmja rrugë për të dhënë shërbime cilësore ndaj qytetarëve, por edhe për të luftuar bashkë korrupsionin brenda policisë së shtetit dhe kriminalitetin e paligjshmërinë në tërësi”, deklaroi ministri Tahiri.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë të Qarkut Korçë, Edmond Targaj bëri një përshkrim të aktivitetit të zyrës. “Aktualisht shërben në dy fusha; ankesat dhe krimet administrative, por edhe për çështjet penale, kallëzimet. Deri më sot është bërë në kushte jo të përshtatshme”, tha Targaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat