Nishani-Danielsson: Gjithëpërfshirja, kryefjala e suksesit të reformave

Shqipëria

Nishani-Danielsson: Gjithëpërfshirja, kryefjala e suksesit të reformave

Më: 30 janar 2015 Në ora: 14:08

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson.

“Kryefjala e suksesit të reformave në vend është gjithëpërfshirja, jo thjesht dhe vetëm në optikën e ngushtë partiake, por duke përfshirë ekspertizën më të mirë vendase dhe evropiane".

Kjo ishte deklarata e Presidentit të vendit Bujar Nishani, gjatë takimit të sotëm me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson. Nishani vuri në dukje vizitën që zhvilloi së fundmi Presidenti i Komisionit të Venecias në Tiranë, duke siguruar për angazhim maksimal në realizimin e reformës në drejtësi”.

Presidenti vlerësoi angazhimin e Bashkimit Evropian, përfshirë Komisionin dhe Parlamentin Evropian, të cilët po bëjnë çdo përpjekje që Shqipëria të shënojë progres jo vetëm në përmbushjen e 5 prioriteteve, por edhe për konsolidimin e parimeve dhe standardeve demokratike dhe evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, vlerësoi rolin e Presidentit të Republikës, i cili së bashku me deputetët e Parlamentit Evropian arritën të sjellin palët politike së bashku, dhe në këtë kontekst theksoi se gjithëpërfshirja është kyçe për realizimin e reformave, veçanërisht asaj që të gjithë konsiderojmë prioritare, reformën në drejtësi.

“Komisioni Evropian do të vazhdojë të investohet në Shqipëri, dhe se 5 prioritetet janë plotësisht të qarta, por fokusi duhet të zgjerohet edhe përtej, duke sjellë si shqetësim klimën e biznesit në vend, si dhe çështjen e pronësisë”, u shpreh Danielsson.

Biseda u përqendrua edhe në punën që po bëhet për përgatitjen e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Nishani u shpreh se “do të mbështesë fort krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, me shpresën se ky do të jetë rezultat i bashkëdakordësisë të të gjitha palëve për adoptimin e modelit më të suksesshëm dhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat