Rekord! Berisha flet 13 herë në Kuvend, Rama me ‘dhimbje koke’

Shqipëria

Rekord! Berisha flet 13 herë në Kuvend, Rama me ‘dhimbje koke’

Më: 30 janar 2015 Në ora: 11:51

Rikthehen debatet në Kuvendin e Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita, për herë të parë që pas kthimit të kësaj të fundit në parlament, kanë debatuar për më shumë se 12 orë në një seancë e cila i ka patur të gjitha llojet e akuzave dhe debateve brenda.

Duke përfituar nga fakti se në rend të ditës ishte diskutimi i Aktit Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit të shkuar, opozita ka ngritur një sërë akuzash ndaj qeverisë, e cila sipas saj e ka bërë jetën e shqiptarëve më të vështirë.

Ndaj në daljet e tij të shumta në seancën e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të ishin e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

“Bëj thirrje ta çojmë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, për të shpëtuar vendin nga kthetrat e ministrave që vjedhin vendin me tenderat e motrave, grave, vëllezërve të tyre, për të shpëtuar procesin e integrimit nga kthetrat e mafies”, – tha Berisha.

Për këtë, ai ka sjellë në vëmendje një sërë aktesh që vërtetojnë jo thjesht paaftësinë e institucioneve shqiptare për të vendosur ligjin, por edhe bashkëpunimin e krimit me pushtetin.

Këtu ai i ka kujtuar mazhorancës rastin e vrasjes së katërfishtë të djalit të ish-deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, rastin e arrestimit dhe mbajtjes në burg të ish-guvernatorit Fullani, por gjithashtu edhe rastin më të fundit të drogës së kapur në laboratorin e Xibrakës.

Sipas tij, të gjitha këto raste tregojnë qartë presionin dhe lidhjet e pushtetit me krimin, por edhe krijimin e një shteti policor.

“Kalojmë tek superbanda, kjo qeveri është qeveria e ‘Hakmarrjes për Drejtësi’, nga kreu i saj dhe tek ministrat me radhë. Ato kërcënime që më kanë çuar, ato më nderojnë mua, dhe mos mendo ti se me banda mundesh t’i imponosh Sali Berishën dhe opozitën. ‘Hakmarrja për Drejtësi’ është lidhur si mishi me thonjtë me familjarët e Kryeministrit, nuk pyes për kërcënime unë, as nga Dabulla dhe as nga Dobrati”, – tha më tej Berisha.

Ndaj këtyre akuzave kanë reaguar me radhë, fillimisht deputeti Erion Braçe e më pas ministri Sajmir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama, të cilët kanë deklaruar se rezultatet e arritura në fushën e rendit janë jo vetëm spektakolare por edhe të pabesueshme.

“Përpjekja për të mohuar këtë është një përpjekje impotente e një grupi impotentësh, që përmes një politike impotente kërkon të imponojë diçka që askush nuk mund ta marrë seriozisht. Çka do të thotë se Shqipëria nuk u bë vendi i drogës pas 23 qershorit. Shqipëria u bë vendi i drogës për vite të tëra. Ndryshe nga gjithë vendet e tjera, pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishte qeveria dhe ishte Policia e Shtetit. Për këtë arsye Shqipëria u nda veç nga gjithë të tjerët”, – tha Rama.

Më tej ai solli në vëmendje një sërë arritjesh të tjera të qeverisjes së majtës, duke përmendur aksionin në vjeljen e detyrimeve për energjinë, pagesat e borxhit që la qeveria e mëparshme etj.

Ndërkohë që deputeti Braçe ka sjellë në vëmendje se opozita e sotme nuk ka moral të flasë për këto çështje, pasi ka vrarë 4 persona në bulevard duke protestuar.

“Ju përmendët jetën e njeriut si një e drejtë themelore dhe e shenjtë, por a menduat ju katër vite më parë se jeta e njeriut ishte themelore kur dhe urdhër të vriteshin 4 veta në bulevard, katër veta që ishin të pafajshëm? A mendove për jetën e qytetarëve që protestonin paqësisht? Ti u ke dalë zot vrasjeve, por dil para prokurorisë për të dhenë dëshminë tënde dhe përballu me policinë e prokurorinë duke u përballur si qytetar i lirë, se nuk ka krim më të madh se të vrasësh kundërshtarët e tu, t’i vrasësh pa patur asnjë emocion në fytyrë kur jep urdhrin”,- akuzoi Braçe ish-kryeministrin Berisha.

Kësaj akuze i është përgjigjur sërish kryeministri Sali Berisha, i cili i ka kujtuar atij se “ata i solli ky (Rama) për bllokun e atij (Metës).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat