Pensionet, si do të bëhet vlerësimi i bazës së kontributit

Shqipëria

Pensionet, si do të bëhet vlerësimi i bazës së kontributit

Më: 30 janar 2015 Në ora: 10:18

Qeveria shqiptare, me vendimin e publikuar të mërkurën, vendosi që kontributet, gjobat dhe interesat e lidhura me to, do të paguhen nga punëdhënësit dhe nga të vetëpunësuarit në llogaritë bankare të përcaktuara për këtë qëllim, të çelura në bankat e nivelit të dytë, apo edhe nëpërmjet “Postës Shqiptare”, sh.a, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila është përgjegjëse për administrimin e këtyre llogarive, si për të gjitha llogaritë e tjera, për të ardhurat tatimore. Sipas vendimit, dokument bazë për pagesën e tyre është urdhërpagesa e printuar nga sistemi informatik, bazuar në deklaratën e listëpagesës, njoftimin e vlerësimit për detyrimet dhe çdo dokument tjetër ligjor, i miratuar për këtë qëllim. Ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e punësuar si punëtorë shtëpie, paguhen nga kryefamiljari, i përcaktuar si punëdhënës, në bankat e nivelit të dytë, sipas procedurave të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël. Për këtë arsye, bankat e nivelit të dytë, në fund të çdo dite, do të raportojnë në mënyrë të hollësishme në Bankën e Shqipërisë dhe në organet tatimore lëvizjen dhe gjendjen progresive të llogarive për kontributet e paguara për sigurimet shoqërore dhe sigurimet e kujdesit shëndetësor. Në vendimin e qeverisë thuhet se për gjendjen e këtyre llogarive njoftohet Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe, nëpërmjet saj, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Procedurat e evidentimit, të njoftimit dhe të kalimit të kontributeve në llogaritë e Fondit të Sigurimeve Shoqërore dhe në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të sigurimeve të kujdesit shëndetësor nga të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare paguhen në llogaritë bankare apo në zyrat e “Postës Shqiptare”, sh.a., sipas marrëveshjeve, ndërmjet tyre, dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për administrimin e tyre. Për personat e vetëpunësuar në bujqësi, shuma e detyrimit kontributiv dhe e kamatëvonesave llogaritet nga organet e sigurimeve shoqërore. Dokument bazë për llogaritjen dhe evidentimin e tij është akt-detyrimi tip, i cili plotësohet nga organet e sigurimeve shoqërore, jo më vonë se tre muaj nga kalimi i afatit ligjor për pagesën e kontributeve ose, përfundimisht, në datën e pagesës së kontributeve. Shuma e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesat evidentohet në kontabilitetin e sigurimeve shoqërore, sipas procedurave të miratuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa kontributet vullnetare të sigurimeve të kujdesit shëndetësor paguhen në llogaritë bankare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Kurse kontributet e papaguara në afatet e përcaktuara, dhe interesat e lidhura me to, vlerësohen detyrim ndaj Fondit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas përkatësisë.

Shkëmbimi i informacionit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në procedurën e komunikimit on-line midis sistemeve informatike, të ngritura nga institucionet, dërgon në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, deklaratën e listëpagesës me të dhënat përmbledhëse të saj, sipas të gjitha rubrikave, për çdo NIPT. Po kështu shumat e kontributeve dhe interesave, të derdhura sipas NIPT-eve, muajve dhe bankën ku është bërë derdhja, duhet të deklarohet në drejtorinë e tatimeve. Pjesë e listës s deklarimeve janë edhe listëpagesat për çdo NIPT, me të dhënat sipas të gjitha rubrikave, për çdo person, të identifikuar edhe me numrin personal, shuma e kontributeve e të cilave është derdhur plotësisht. Ndërsa të dhënat e mësipërme transmetohen edhe për çdo version të fundit të listëpagesës së bashku me listën e subjekteve aktivë me të dhënat identifikuese dhe numrin e punonjësve. Të githa të dhënat dërgohen në komunikim on–line, midis sistemeve informatike të ngritura në të dy institucionet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore hartojnë marrëveshjet dhe protokollet e përbashkëta të shkëmbimeve elektronike.

Pagesa e përfitimeve

Përfitimet afatshkurtra për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë e sëmundje profesionale, në favor të të punësuarit, llogariten nga punëdhënësi, ndërsa, për personat fizikë, nga strukturat lokale të sigurimeve shoqërore. Fondet për mbulimin e këtyre pagesave transferohen nga llogaritë e sigurimeve shoqërore në llogarinë e personit, juridik apo fizik, ose në llogarinë individuale të përfituesit, pranë bankave të nivelit të dytë, një herë në muaj, pas miratimit nga organet e sigurimeve shoqërore të listëpagesës. Procedura e kontrollit të listëpagesave dhe e miratimit të llogaritjeve përcaktohet me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Përfitimet mujore afatgjata u paguhen përfituesve nëpërmjet “Postës Shqiptare”, sh.a., subjekteve financiare profesionale, të pajisura me dokumentet përkatëse nga Banka e Shqipërise dhe bankave të nivelit të dytë. Subjektet, që do të kryejnë shërbimin e pagesave, caktohen nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Rregullat dhe procedurat e pagesës përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve.

Shuma bazë e përfitimeve

Shuma bazë e përfitimit nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, kur e drejta ka lindur deri në datën 31.12.2014, të jetë 12 264 (dymbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë në muaj, kur përfituesi plotëson kushtet, si më poshtë: a) për pension pleqërie, të ketë plotësuar më shumë se 17 vjet e gjashtë muaj si vjetërsi pune, në marrëdhënie me ish-ndërmarrjet ose institucionet shtetërore, apo si persona të siguruar pas vitit 1994; b) për pension invaliditeti, të ketë plotësuar më shumë se gjysmën e periudhës minimale të sigurimit, të përcaktuar për këtë lloj pensioni, në marrëdhënie pune me ish-ndërmarrjet ose institucionet shtetërore, apo si persona të siguruar pas vitit 1994; c) për nënën që ka lindur 6 e më shumë fëmijë, të cilët janë rritur mbi moshën 8 vjeç, të ketë plotësuar më shumë se 30 vite si vjetërsi pune në marrëdhënie me ish-ndërmarrjet ose institucionet shtetërore, apo si person i siguruar pas vitit 1994. Shuma bazë e përfitimit të jetë 8 398 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë në muaj, për personat që e drejta e përfitimeve u ka lindur deri në datën 31.12.2014, por që nuk e kanë plotësuar vjetërsinë e punës dhe periudhën e sigurimit, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij kreu. Shuma bazë mujore e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, për personat që plotësojnë kushtet për përfitim, sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë 12 264 (dymbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë në muaj. Përfituesit e pensionit të parakohshëm kanë të drejtën e kompensimit të të ardhurave, sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve” dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimi i të ardhurave të jetë 14 414 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e katërmbëdhjetë) lekë në muaj. Në rastet kur pensioni për vjetërsi shërbimi rezulton më i lartë se pensioni bazë dhe, bashkë me kompensimet, rezulton më i lartë se shuma e të ardhurave minimale prej 14 414 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e katërmbëdhjetë) lekë, kompensimet jepen pjesore, deri në plotësimin e kësaj shume.

Si regjistrohen kontributet

Subjektet juridikë e fizikë, edhe për efekt të deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor, regjistrohen në organet tatimore, sipas përcaktimit në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 1. Kryefamiljarët, që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, i rregullojnë marrëdhëniet e punës nëpërmjet një kontrate me shkrim ndërmjet palëve, ku, veç të tjerave, shënohen, detyrimisht, numri personal i identifikimit të personit të punësuar, koha e fillimit të punës, zgjatja e saj “me ose pa afat”, si dhe paga mujore bruto. Në këtë rast, kryefamiljari përcaktohet në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrim në organet tatimore dhe për pajisjen, nga këto organe, me numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in). 2. Regjistrimi dhe çregjistrimi nga organet tatimore, i kryefamiljarëve që punësojnë persona si punëtorë shtëpie dhe i personave të vetëpunësuar në veprimtari tregtare, shërbimi apo ambulantë, bëhet sipas një procedure të thjeshtuar, që përcaktohet me udhëzim nga ministri i Financave. 3. Formimi profesional nëpërmjet punës, sipas përcaktimeve në kreun I, realizohet nga punëdhënësi që zhvillon aktivitet ekonomik, sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason). Koha e formimit profesional të personit, për një profesion të caktuar të kualifikuar, mund të zgjatë deri në tre muaj gjithsej dhe vetëm një herë, pavarësisht nga subjektet ku është kryer. Lista e personave pjesëmarrës, periudha e formimit profesional dhe profesioni për të cilin do të kualifikohen deklarohet zyrtarisht nga subjekti, në zyrën përkatëse të punësimit, përpara fillimit të trajnimit. Zyra e punësimit bën evidentimin në një regjistër të veçantë dhe autorizon subjektin për vazhdimin e procesit dhe deklarimin në organet tatimore. 4. Punëdhënësi bën sigurimin e punëmarrësit, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës apo në aktin e emërimit dhe vazhdon të paguajë kontribute çdo muaj, gjatë të gjithë kohës që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. 5. Kur fillimi dhe ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës bëhen gjatë muajit, si dhe kur gjatë muajit ka ndërprerje të përkohshme, për shkak të përfitimeve afatshkurtra nga skema e sigurimeve shoqërore, kontributet llogariten e paguhen në bazë të pagës së realizuar gjatë ditëve të punës. 6. Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit e kryejnë deklarimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor në total dhe për çdo person, në formë elektronike, në sistemin informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila siguron edhe mbajtjen elektronike të të dhënave të kontributeve të deklaruara nga subjekti, të pagesave të kryera, si dhe të detyrimeve që lindin nga vlerësimet dhe mospagesat. 7. Të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në organet e sigurimeve shoqërore pas paraqitjes së këtyre dokumenteve: a) certifikatës familjare të gjendjes civile; b) vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe/ose c) vërtetimin mbi tokën e marrë në përdorim, lëshuar nga strukturat përkatëse, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe/ose ç) kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar; d) vërtetimin e lëshuar nga komuna ose bashkia, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore/blektorale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat