Shpëtojmë jetë, mos u tallni në telefon

Shqipëria

Shpëtojmë jetë, mos u tallni në telefon

Më: 30 janar 2015 Në ora: 07:57

Po të kaloje përpara një muaji në Shërbimin e Zjarrfikësve të Tiranës, në stacionin kryesor të metropolit nuk do të gjeje asgjë më shumë se sa një gërmadhë, në brendësi të së cilës janë gati për ndonjë rast zjarri ca heronj. Sot, gjërat janë ndryshe. “Shekulli” bëri një vizitë në stacionin më të madh në vend, sot, edhe më të mirin. Më në fund, zjarrfikësit tanë që përdornin celularët, apo në rastin më pak të keq bërtisnin nga kati i shtatë për të lëshuar ujin, sot kanë radio dhe komunikojnë më lehtësisht mes tyre.

Gjithçka ka ndryshuar, që tek asfalti i parë i këtij stacioni, të cilin kush e ka parë më parë ka qenë plot gropa dhe i detyronte makinat e rënda të zjarrfikëseve të mos nxitonin dot drejt vendngjarjes. Salla e mbledhjeve duket më e madhe, edhe me një hartë me reliev të Tiranës. Zjarrfikësit dhe komandantët e tyre kanë radio nëpër duar dhe për 3 minuta sigurojnë se shkojnë në vendngjarje. Por, probleme ka ende. Madje qysh nga momenti kur njoftohet për një avari, për zjarr, për aksidente me makinë apo për ndonjë tentativë vetëvrasjeje.

Lavdie Vasku, një zjarrfikëse operative

Ajo qëndron aty 12 orë në ditë. Nuk largohet nga salla operative. Duhet që të jetë gjithnjë aty për t’iu përgjigjur qytetarëve që njoftojnë për ndonjë aksident me zjarrin, ujin, gazin apo edhe me makinën. Në sallën operative, gjejmë një zonjë që e quajnë Lavdie Vasku. Ajo ka turnin e parë, ndërsa në 12 orët e tjera, dikush tjetër do të presë telefonatat, sepse shërbimi i zjarrfikëses është 24 orë në 24. Lavdia, edhe pse mund të mos e veshë uniformën në sallën operative, sepse askush nuk do ta shohë nga telefoni, duket e përkushtuar. Teksa është duke na pritur, sytë e saj duket sikur na thonë se e do këtë punë që po bën. Me uniformën mbërthyer ajo qëndron përballë katër telefonave dhe një celulari për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve, edhe pse shumë prej tyre janë alarme të rreme. “Jo pak herë telefonin e bllokojnë persona të ndryshëm, kryesisht adoleshentë që kërkojnë të tallen, të vënë në alarm kot dhe në shumë raste të bllokojnë edhe linjën telefonike. Por, këtu shpëtohen jetë njerëzish. Nëse për një moment linja del e zënë rrezikohet një familje, një njeri apo një shtëpi”, na tregon ajo krejtësisht e qetë, si të ishte mësuar me të tilla probleme. Në bisedën me të, zbulojmë jo pak herë se thirrjet për ndihmë në numrin 128 janë edhe në rastet e tentativës për vetëvrasje. “Kur shihni që dikush tenton të hidhet nga një ndërtesë e lart, telefononi menjëherë Shërbimin Zjarrfikës”, thotë Lavdia, duke dashur të shpjegojë se ky shërbim jo pak herë ka shkuar përpara ambulancës, edhe në rastet e aksidenteve rrugore. Ajo jo pak herë del nga zyra për të ndihmuar zjarrfikësit në terren. I ndihmon të bëhen gati, të marrin të gjitha mjetet e nevojshme dhe sigurisht edhe pak ndihmë psikologjike nga ana e një femre, është gjithnjë e domosdoshme në raste emergjente.

Gjashtë raste në ditë

Palestra, kulla e stërvitjes dhe shumë punime të tjera në këtë vend i kanë bërë vetë zjarrfikësit. Ata tregojnë se Prefektura e Tiranës dhe agjencia turke TIKA i kanë ndihmuar shumë për rregullimin e këtyre ambienteve, që nevojiten për stërvitjen, procesin e tyre më të rëndësishëm të ditës. Heronjtë e këtij stacioni stërviten ashtu sikurse edhe në stacionet e tjera, nga ora 9.00 e mëngjesit e deri në mesditë. Pas kësaj tregojnë se janë gjithnjë gati për ndonjë rast rreziku. Disa presin në dhoma e disa në kuzhinë. Zjarrfikësit tregojnë se përafërsisht mund të ketë pesë ose gjashtë raste në ditë, që kërkojnë ndërhyrjen e tyre. Ilir Xhanari, komandanti i këtij stacioni, ashtu sikurse edhe heronjtë që takojmë në këtë ndërtesë thonë se:“ Rastet shtohen gjatë stinës së dimrit për shkak se, sistemi i ngrohjes dhe përdorimi i pajisjeve elektrike i ngarkojnë linjat dhe sahatet e pallateve”. Sipas Xhanarit, vetë linjat elektrike, e sidomos ato të pallateve duhet të krijohen për të përballuar më shumë ngarkesë elektrike.

Punohet me radio e pa radio

Shumë janë kuriozë se si punonin zjarrfikësit tanë pak muaj më parë pa radio. Zbulojmë se celularët edhe në rastet më të rrezikshme përdoren për alarme dhe sinjale. Batutat ishin të ndryshme. “Kur ishim në kat të tretë apo të katërt që dëgjoheshim, bërtisnim:‘Lëshoje ujin! Apo ofertat e kompanive celulare, që zgjidhin punë deri nga kati i shtatë i ndërtesës ishin të zakonshme në atë kohë”. Mirëpo, periudha pa radio duket se ka kaluar tashmë edhe për ta. Tanimë, komunikimi nuk mbetet vetëm përmes dy personave, por radiot e transmetojnë atë në mënyrë kolektive duke folur në grup, që gjithsekush në terren të bëjë një punë më të mirë, edhe më të shpejtë. Ndërhyrja e tyre në kryeqytet tani bëhet për 3, deri në 4 minuta, kudo që të jetë vatra e zjarrit.

“Nuk ka hidrantë uji, harxhojmë kohë dhe naftë”

E megjithatë, pas asaj fasade të bukur të stacionit kryesor ka edhe probleme. E ato më të rëndësishmet janë në terren, atëherë kur zjarrfikësve u duhet të veprojnë me shpejtësi dhe me korrektësi. Shkëlqim Goxhaj, i graduar nënkomisar, njëkohësisht edhe drejtori i PMNZSH-së, flet për “Shekulli”-n, mbi problemet kryesore që has shërbimi zjarrfikës në Tiranë. Parkimi i dyfishtë, qëndrimet e gabuara të makinave në rrugë dhe mungesa e hidrantëve të ujit janë ato, që e shqetësojnë më së shumti punën në terren të këtyre heronjve.

Në pamje të parë duket se gjërat shkojnë shumë mirë në këtë ndërtesë, por a ka një problem që ju shqetëson ende?

Po, tashmë ambientet e këtij stacioni në Tiranë janë rregulluar aq sa nuk kanë ndryshim nga stacionet homologe në Ballkan e Evropë. Parkimi i makinave në vende të gabuara herë pas here na detyron të ndalojmë deri në një pikë, e më pas të shtrijmë edhe 100 metra tubin e ujit për të shkuar deri te vatra, edhe për të arritur misionin tonë. Por, ata që dalin në terren tashmë janë mësuar me këto pengesa dhe që kur nisen i marrin parasysh qëndrimet dhe parkimet e gabuara të automjeteve në rrugët e Tiranës. Ajo që më shqetëson mua më së shumti është mungesa totale e hidrantëve nëpër lagje. Nëse ndodh një avari në Kashar, ne jemi të detyruar që të shkojmë e të vijnë për të mbushur makinën me ujë dhe kjo vetëm për shkak të mungesës së hidrantëve. Me vajtjet dhe me ardhjet ne kemi shpenzuar shumë kohë dhe karburant, edhe sigurisht jemi bërë më pak efektivë. Në këtë pikë, mendoj se çështja e parë për të cilën më duhet të trumbetoj në media është pikërisht kjo që thashë.

Po në lidhje me heronjtë, me punën e tyre?

Ajo që më shqetësonte që kur e mora këtë detyrë ishte mungesa e specializimeve dhe trajnimeve. Ka shumë punonjës që ende nuk kanë bërë trajnimin e Ndihmës së Shpejtë. Ne japim ndihmën e parë në një vendngjarje, nëse jemi thirrur për të qenë aty dhe pikërisht ne nuk kemi ditur se si ta japim këtë ndihmë. Dhe të gjithë e dinë se sa të rëndësishme janë momentet dhe lëvizjet e para të një personi të dëmtuar në një rast aksidenti. Ato mund të sjellin edhe vdekjen, ndaj të gjithë do të duhet të kenë këtë dhe të tjera trajnime. Në këtë aspekt, ne jemi në proces përgatitjeje me Kryqin e Kuq dhe të tjerë bashkëpunëtorë vendas dhe të huaj.

Po çështja e rrugëve dhe e adresave në Shqipëri sa shqetësuese është për ju?

Në fakt, çështja e adresa nuk përbën aq problem sa ai i vend-parkimeve të gabuara. Makina që qarkullojnë rrugëve ku duhet të kalojnë makinat e emergjencës, si zjarrfikësja apo ambulanca, janë një pengesë e madhe për të kryer punën. Sa për adresat, tashmë zjarrfikësit e njohin mirë Tiranën dhe dinë të orientohen kudo që na bie alarmi për të shkuar. Kështu që për adresat nuk kemi ndonjë shqetësim të madh se sa për mënyrën e parkimit të qytetarëve në vende të gabuara, jo pak herë edhe parkime treshe në një rrugë me një kah.

Kur godina është 25 vite në mëshirë të fatit

Një vit më parë, kur mora besimin e qeverisë, sfida kryesore me te cilën u përballa ishte rritja e cilësisë së shërbimit ndaj çdo qytetari të qarkut më të madh në vend. Por ky shërbim nuk mund të ishte kurrsesi cilësor pa pasur më së paku kushtet e punës. Gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhej ky stacion zjarrfikës, edhe pse më i madhi në vend, nuk arrinte të garantonte as nevojat minimale për punonjësit e saj, e jo më një shërbim efikas në luftën kundër zjarrit dhe mbrojtjen e jetëve. Falë interesimit tonë, dhe përgjigjes së menjëhershme të qeverisë turke, ne arritëm ta ringrinim këtë godinë në një kohë rekord, ashtu siç nuk kishte qenë kurrë më parë.

Sot, ato imazhe të shëmtuara e të trashëguara nga e kaluara kanë mbetur si një kujtim i largët dhe që dëshmohen tashmë vetëm prej fotografive dhe prej efektivëve, që kanë vite që shërbejnë këtu. E gjithë kjo, sepse në 25 vite kjo godinë dhe efektivët e saj ishin lënë në mëshirë të fatit, pavarësisht punës fisnike e me rrezikshmëri të lartë që ata kanë.

Ky investim, nuk lidhet vetëm më fasadën që ju shihni sot. Pjesë e investimit është kulla e stërvitjes, asfalti, kuzhina, salla e mbledhjes dhe mjetet logjistike. Nga sot, komunikimi i shërbimit zjarrfikës është shumë herë më efikas falë vendosjes së dy repetitorëve dhe pajisjes së efektivëve me radiomarrëse, mjete minimale në dukje këto, por që na kishin munguar prej vitesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat