Droga, vdes në Spanjë piloti i Ushtrisë

Shqipëria

Droga, vdes në Spanjë piloti i Ushtrisë

Më: 30 janar 2015 Në ora: 07:53

Majori i Forcave të Armatosura shqiptare, Sokol Feka dhe një ndihmës i tij ende i paidentifikuar, të dyshuar për përfshirjen në trafikun e drogës vdiqën në një aksident ajror, mëngjesin e të martës, në Malaga të Spanjës, pas një ndjekje të gjatë të policisë spanjolle. Helikopteri me të cilin ata udhëtonin u përplas me një shtyllë të tensionit të lartë. Kryeministri Edi Rama nga salla e parlamentit përcolli i pari lajmin, ndërsa deklaroi se strukturat e Rojes Civile Spanjolle kishin ndjekur helikopterin që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës. Ngjarja është përcjellë në këtë mënyrë në kanalet zyrtare para se të bëhej publike në media. Mësohet se autoritetet spanjolle kanë njoftuar ambasadën shqiptare për gjetjen e dy trupave, njëri prej të cilëve me dokumente zyrtare shqiptare. Pas verifikimeve është konstatuar se piloti i avionit ishte Sokol Feka, me një karrierë të pasur në Flotën Ajrore Ushtarake shqiptare. Kjo ngjarje ka nxitur edhe më tej debatet në seancën e djeshme plenare, në të cilën opozita akuzoi mazhorancën për lidhje me trafikun e drogës dhe se e ka kthyer vendin në Kolumbinë evropiane.

Ngjarja

“Ministria e Jashtme është njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë. Strukturat e Gardës Civile spanjolle kanë ndjekur një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vjetësh. Gradën e majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura”, - tha Rama në seancën e djeshme plenare. Ndërsa mësohet se lajmi për përfshirjen e majorit shqiptar në këtë ngjarje, është përcjellë nga autoritetet spanjolle te ambasada jonë në Madrid. Kjo e fundit ka kontaktuar me Ministrinë e Jashtme për incidentin dhe pas verifikimeve të bëra në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes rezultoi se piloti shqiptar ishte majori Sokol Feka. Ministria e Mbrojtjes bëri verifikimet e dyshimeve të ngritura dhe rezultoi se majori Feka nuk ndodhej në repartin e tij. Ai kishte aplikuar dhe pas aprovimit kishte marrë lejen e zakonshme në datën 12 janar, leje që do t'i zgjaste deri në 31 janar. “Shtetasi Feka ka marrë lejen e zakonshme për periudhën 12-31 janar 2015, por nuk ka aplikuar për leje për të dalë jashtë vendit, duke shkelur rregullat e parashikuara në ligjin për Statusin e Ushtarakut në Republikën e Shqipërisë”, - njoftoi dje Ministria e Mbrojtjes. Ngjarja ndodhur në rajonin e Malagës së Spanjës, pranë zonës së njohur me emrin Cortes de la Fornitera, ku Garda Civile spanjolle u vu në ndjekje të helikopterit që fluturonte në një hapësirë ajrore të paautorizuar. Pavarësisht thirrjes për t'u ulur, helikopteri ka bërë manovrime të vështira dhe madje ka hedhur një pjesë të lëndës narkotike. Në këto tentativa helikopteri është përplasur me një shtyllë elektrike teksa përpiqej t’i ikte policisë. Pjesët e avionit të djegur u gjetën mëngjesin e djeshëm. Aty u gjetën edhe dy trupat e pilotëve së bashku me 30 pako hashash që përllogariten rreth 1 ton hashash.

Debatet në kuvend

Ngjarja e trafikut të drogës ku është përfshirë dhe majori shqiptar ka shtuar debatin mes mazhorancës dhe opozitës, në seancën e djeshme plenare. Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ishte Sali Berisha i cili deklaroi se qeveria ka kthyer Shqipërinë në Kolumbinë evropiane. “Çan ferrën piloti i trafikut dhe na bën trafik ndërkombëtar për të provuar se shqiptarët, jo që Shqipërinë me këtë qeveri e kanë kthyer në Kolumbi, por do kolumbizojnë edhe vendet e tjera”, - deklaroi Berisha. Por sipas Kodhelit deklarata të tilla janë broçkulla nga dikush që është në dekompozim politik. “Majori ka dalë pa leje nga Shqipëria, ka qenë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Gjithçka pas kësaj është një histori nën investigimin spanjoll”, - deklaroi ajo. Berisha ka shfrytëzuar seancën e djeshme për të akuzuar qeverinë dhe për dështimin, siç e cilësoi ai, të operacionit për shkatërrimin e laboratorit të drogës ne Elbasan ndërsa akuzoi shumicën për lidhje me krimin e me bandën “Hakmarrja për drejtësi” duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që Rama bëri një pasqyrim të luftës ndaj krimit duke renditur shifrat, që sipas kreut të ekzekutivit, tregojnë një realitet krejt tjetër. “Duket vërtet sikur janë shifrat e Kolumbisë ato që ishin para 23 qershorit dhe ndërkohë shifrat tona, të njohura ndërkombëtarisht, flasin për një ndryshim rrënjësor të raporteve mes shtetit e krimit. Përpjekja për të mohuar këtë është një përpjekje impotente e një grupi impotentësh që përmes një politike impotente kërkon të imponojë diçka që askush nuk mund ta marrë seriozisht”, - tha ai.

Abuzimi me FA-të, replika Topalli-Kodheli

Përfshirja e majorit të Forcave të Armatosura, Sokol Fekës në trafikun e drogës ka sjellë replika të ashpra mes ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Topalli ndërsa akuzoi qeverinë se po i jem mburojë politike krimit, kërkoi dhe dorëheqjen e ministres Kodheli. “Ministrja e Mbrojtjes duhet të japë dorëheqjen për ngjarjet që i kanë plasur brenda segmenteve të caktuara që kanë garanci qeveritare dhe politike. Sot në trafiqe ndërkombëtare droge na del që ka qenë i përfshirë një major. Mjafton kjo që ministrja të jepte dorëheqjen. Ministrja thotë ishte gabim, e kuptoni ku jemi? Jemi në një situatë emergjence pasigurie kur vendi ynë është kthyer në Kolumbi”, - deklaroi Topalli. Por sipas Kodhelit e vetmja që duhet të kërkojë falje është ish-kryeparlamentarja, për abuzimet e dhëndrit të saj me flotën detare. “Ky teatrim nuk meriton përgjigje por dua t’u kujtoj diçka në 15-16 shtator 2013 kur kam hyrë në ministri, është ngritur një zyrtar i lartë e tha nuk kemi asnjë litër naftë për të patrulluar bregdetit. E dini pse mungonte nafta se dhëndri i zonjës dhe dhëndurët shëtisnin bregdetit me flotën debate. Nëse dikush duhet të kërkojë falje është pikërisht kjo zonja”, - deklaroi ajo.

Majori shqiptar i shmangu oficerë spanjoll, godet shtyllën

Helikopteri që tentoi të transportonte kontrabandë një ton hashash në periferi të Malagës, në Spanjë, është rrëzuar pas përplasjes me një shtyllë të energjisë elektrike ndërsa ndiqej nga policia. Autoritetet kanë rekuperuar trupat të cilët janë tepër të dëmtuar pranë malit Cortes de la Frontera ndërsa janë dërguar në institutin mjekoligjor të Malagës. Policia spanjolle deklaron se po punohet për të përcaktuar sasinë e saktë të hashashit që po transportohej. Incidenti ndodhi pasi helikopteri në ngjyrë të zezë ndiqej nga një helikopter i Rojes Civile, ndërsa kryente fluturim të paautorizuar. Po sipas mediave, gjatë kërkimit oficerët spanjollë humbën gjurmët e helikopterit dhe iu desh të rikthehen në bazë. Të nesërmen pasi u kthyen në pozicionin e fundit të helikopterit, Garda Civil zbuloi mbeturinat e helikopterit. Mediat spanjolle shkruajnë po ashtu se helikopteri me drogë, i drejtuar nga majori shqiptar i Forcave të Armatosura dyshohet se është rrëzuar të martën në mëngjes. Sipas tyre helikopteri ishte i lyer me të zezë, për të mos u dalluar në udhëtimin gjatë natës. Në përpjekje për të mos u dalluar nga forcat spanjolle, Sokol Feka ka fluturuar ulët, aq pranë tokës sa është përplasur me shtyllat e tensionit të lartë. Në helikopter, bashkë me ushtarakun shqiptar udhëtonte edhe një person tjetër. Edhe ai ka humbur jetën menjëherë pas përplasjes, raportojnë mediat spanjolle. Trupat e pajetë u dërguan në morgun e spitalit të Malagës për identifikim. Nga të dhënat e policisë është raportuar se në helikopter gjendej rreth një ton hashash. Helikopteri i drogës u pikas nga një helikopter tjetër i rojeve civile. Në fillim u raportua për një mjet fluturues të kamufluar po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve për shkak se ata udhëtonin në kuote të ulët dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrezuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashash. Edhe pse policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, dyshohet se ajo vjen nga Maroku. Agjentët e policisë spanjolle thanë për mediat se ky lloj transporti i drogës, është më efikasi për shkak të lehtësisë se trafikut. Helikopteri mund të ulet direkt në anijet që vijnë nga Maroku, ku dhe ngarkohen. Kjo ndodh në ngushticën mes dy kontinenteve. Ndalesa e parë mund të jetë në Kadiz, duke ndaluar më pas në Siera de Grazalema, të dyja këto krahina të provincës Malaga.

Trafiku, debate në seancë plenare

Topalli: Ku janë këta trafikantët e laboratorit? Ku janë kokat? Pse nuk flisni. Si ka mundësi që ministri i Brendshëm ndërhyn në emisionet televizive i rebeluar, “Kush jeni ju që flisni për laboratorin e drogës së Elbasanit?” Çfarë e shqetëson këtë ministër.

Berisha: Lidhur me qëndrimet ndaj krimit të qeverisë së mëparshme, janë me dhjetëra raporte ndërkombëtare që tregojnë. Kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin në NATOs, se shembi murin e korrupsionit bëri të mundur liberalizimin e vizave. Flisni për informalitetin, e dini ju historinë e ndërmarrjes së peshkut të partisë? E tërë Divjaka thotë se kryetar ndan paret me deputetin. Peshku i partisë ka zëvendësuar një ndërmarrje tjetër e cila me urdhër të kryepolicit bllokohet.

Braçe: Nuk kam asgjë me parafolësin, çfarëdolloj gjëje që ka t’i çojë në gjykatë. Jam gati të përballem me çdo lloj gjykatësi të zgjedhur prej tij. E kuptoni sa poshtë bien gjërat? Nga vrasja në mes të bulevardit në vrasje ordinere që ndodhin brenda familjes. Nga vjedhja e Bankës së Shqipërisë te vjedhja e peshkut. E kupton se ku shkon kjo gjë nga specialistët e midhjes dhe peshkut që flasin në sallën e Kuvendit?

Meta: U përmend peshku më shumë se duhet.

Berisha: Unë përmend dhe ngjalat. Vrasësi është ky këtu, (i drejtohet Ramës).

Meta: Kalojmë në çështjen tjetër, aktin normativ për buxhetin e vitit 2014. Zoti Tahiri ka fjalën. Berisha: Ku e ka emrin?

Topalli: Zbato rregulloren.

Meta: S’keni pse ulërini, Doni t’u hiqni fjalën ministrave?

Paloka: Jeni duke shkelur rregulloren.

Meta: Kaq frikë keni nga zoti Tahiri sa nuk e lini të flasë. Zoti Tahiri vazhdoni, mos u shqetësoni nga zhurmuesit.

Rama: E mora fjalën, sepse përpara pak minutash Ministria e Jashtme është njoftuar lidhur me një ngjarje të rëndë, ndodhur në Spanjë, ku strukturat e Gardës Civile Spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Duke marrë shkas nga kjo, kam një pyetje shumë të thjeshtë; Ky Major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vjetësh, gradën e Majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje, a është majori juaj apo është majori ynë?

Genc Pollo flet nga vendi.

Kodheli: Të paktën kur flet më shiko në sy sepse e di që nuk je aq trim në fakt. Nuk mund të ndihmoj dot asnjë njeri që këtu flet broçkulla e aq më pak dikë që është në dekompozim politik.

Topalli: Fol për majorin...

Kodheli: Majori ka dalë pa leje nga Shqipëria, ka qenë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje.

Ruli: Ka qenë me leje lindje? Mimi Kodheli: Nëse ju keni marrë ndonjëherë leje lindje...

Berisha: Së pari meqë dole, të takonte t’u thoshe shqiptarëve që ti dhe “gjeneral trafiku” nuk keni lidhje me majorin që fluturonte në qiejt e Spanjës.

Balla: Majori në fjalë nga prilli 2007- prill 2013, ka marrë 5 herë medalje dhe është emëruar nga Berisha.

Basha: Përfshirja e majorit njollos Shqipërinë

Përfshirja e majorit të Forcave të Armatosura në helikopterin që transportonte drogë në Spanjë njollos rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi që lëshoi dje përmes një postimi në Facebook kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili thotë më tej se kjo ngjarje tregon paaftësinë e qeverisë madje shpreh dyshime për inkriminimin e saj. "Përfshirja e efektivit të FA në trafikun ndërkombëtar të drogës ashtu si avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit, njollosin rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtar. Paaftësia për të zbuluar trafikun në zemër të vendit dhe të institucioneve tradhton syshkeljen qeveritare ndaj narkotrafikut”, - shkruan Basha. Faktet që vërtetojnë përfshirjen e përfaqësuesve të mazhorancës në banda, sipas Bashës, janë të paralajmëruar prej kohësh nga opozita.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat