Enigmat mbi pilotin e drogës, si u rekrutua Sokol Feka?

Shqipëria

Enigmat mbi pilotin e drogës, si u rekrutua Sokol Feka?

Më: 30 janar 2015 Në ora: 00:00

Shumë enigma pritet të zbardhen pas rrëzimit të helikopterit me drogë në Spanjë dhe me në bord një
ushtarak shqiptar, shkruan sot Top Channel. E para ka lidhje me Shërbimin Informativ Ushtarak dhe Policinë Ushtarake. A e kanë bërë detyrën e tyre si duhet këto dy strukura tepër të rëndësishme në Forcat e Armatosura, të cilat janë përgjegjëse mes të tjerash edhe për kontrollin dhe lëvizjet e ushtarakëve, përfshirë këtu edhe pilotin e repartit të Farkës, Sokol Feka?

Pavarësisht se piloti kishte marrë lejen e zakonshme dhe pas ngjarjes deklarohet se ai kishte ikur pa leje jashtë Shqipërisë, cili organ duhet të kontrollonte daljet e tij, apo ushtarakëve të tjerë nga Shqipëria pa leje? Policia e Shtetit thotë se nga kontrolli paraprak i sistemit Tims del që piloti ka dalë jashtë vendit më datë 20 janar, ndërkohë që Sokol Feka aktivizohet edhe në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook më datë 27 janar, kur edhe ka ndryshuar foton e tij të profilit.

Disa nga të njohurit komentojnë shumë për lëvizjet e tij të shpeshta jashtë vendit, por ende nuk ka një version përfundimtar se sa herë piloti ka udhëtuar jashtë Shqipërisë. E mbi të gjitha, një pyetje që pritet të zbardhet nga pala shqiptare është se, përveçse një ushtarak i dekoruar pesë
herë me Dekoratë Karriere dhe Shërbimi, kush janë lidhjet e panjohura të pilotit me një histori 18­vjeçare në detyrë?

Si është rekrutuar ai? A është kjo hera e parë që ai transportonte drogë me helikopter?

Sokol Feka, pohojnë shokët e tij, njihej si një tip i shkathët, kishte dështuar në martesën e pare dhe ishte në një tjetër lidhje. Pavarësisht se kishte në pronësi edhe një firmë të vogël private, ai vazhdonte të jetonte me qera në një zonë periferike të kryeqytetit. Edhe pse ndoshta duhet të kishte nisur vetë hetimet, duke marrë shkas nga ngjarja, Prokuroria shqiptare thotë se po pret çfarë do t’i kërkohet nga autoritetet spanjolle. Burime nga prokuroria thonë se nuk ka ende një kërkesë nga autoritetet spanjolle për të mësuar të kaluarën e Sokol Fekës, ose lidhjet e tij, në mënyrë që të zbardhet edhe pyetja më e madhe: kujt i shërbente Sokol Feka? Kush është njeriu që e punësoi atë si pilot të helikopterit me gati 800 kg kanabis?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat