Cani: 720 milionë dollarë borxhe nga qeverisja e kaluar

Shqipëria

Cani: 720 milionë dollarë borxhe nga qeverisja e kaluar

Më: 29 janar 2015 Në ora: 19:19

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani akuzoi sot opozitën se, e la arkën e shtetit me 720 milionë dollarë borxhe.
Duke folur në Kuvend, gjatë debatit për aktin normativ të buxhetit 2014, Cani tha se, “opozita është kundër miratimit të këtij akti, pasi është kundër interesit të qytetarëve”.

“1.5 miliardë lekë ose 15 milionë dollarë iu dhanë KESH-it hua në mënyrë që KESH të shlyente detyrimet ndaj HEC-ve të vegjël, detyrime tuajat që nuk i keni shlyer. 1.5 miliard lekë të tjera u dhanë për shpronësimet në mënyrë që 2015-a të mos ketë të njëjtat probeleme me investimet, por të paraprihen me shpronësimet”, iu drejtua Cani përfaqësuesve të opozitës në Kuvend.

Sipas tij, “shumë shpejt do të shlyhen edhe 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë shpronësime të qeverisjes së mëparshme, që i përkasin 5 viteve më parë”.

“Nga gjithë diskutimi i opozitës u kuptua që ajo është kundër këtij akti normativ, sepse opozita është kundër interesit të qytetarëve. Këtu u hodh shumë tym dhe baltë për veprimtari armiqësore, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, ndërkohë që ka 6 akte normative të të njëjtit tip, por më keq akoma, të shpërdoruara nga opozita e sotme.

Populli ju dënoi sepse nuk ju dha votën dhe ne do të vazhdojmë përpara duke shlyer borxhet tuaja dhe duke i dhënë të drejtën, atij që i takon”, tha në përfundim ministri i Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat